OSHEE: Investimi 200 mijë USD, drejt përfundimit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, vijon investimet, duke patur në fokus zonat bregdetare, me synim rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, për zonat turistike, përfshi edhe ato rurale, ndihmë kjo për zhvillimin e agroturizmit. (zona e Borshit, në drejtim të Sarandës)
Në këtë kuadër, prej disa ditësh ka nisur investimi i radhës, ai i rikonstruksionit të linjës 35 kV Bistrica2-Sarandë, me vlerë rreth 200 mijë dollarë, me fondet e kompanisë. Theksojmë se kjo linjë është ndërtuar në vitet ’70-të, dhe nuk garantonte më sigurinë e furnizimit me energji për zonën.
Punimet në këtë linjë filluan në mesin e muajit prill deri në datën 5 qershor, për tu ndërprerë më pas me nisjen e sezonit turistik.Investimi rinisi nëtetor fundtë shtatorit, dhe pritet të përfundojë në ditët ë para të nëntorit. Drejtuesit e projektit sqarojnë se, punimet kanë ecur me ritme më të shpejta, dhe pritet të përfundojnë brenda muajit.
Elementët e investimit
Investimi parashikon vendosjen e përcjellësve të rinj, me gjatësi 13 km, dhe ky proces tashmë ka përfunduar në 11 km linjë. Gjithashtu, janë vendosur 7 shtylla të reja metalike në këtë aks.
Linja e re 35 kV, konsiderohet e rëndësisë së veçantë pasi garanton dhe furnizon me cilësi të lartë banorët e zonave përreth. Për shkak të kapacitetit të tij, prej 35 kV, gjatë zhvillimit të investimit, OSHEE është e detyruar të stakojë linjën e furnizimit në zona ku shtrihet kjo linjë, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Theksojmë se ditëve të shtuna oraret e stakimeve jena të reduktuara (deri në 12.00), ndërsa të dielave nuk kryhen punime.
Për shkak të pozicionit të linjës dhe pamundësisë për të dhënë energji nga linja të tjera, gjatë punimeve stakohet i gjithë rrjeti dhe zonat që preken janë:
Borsh, Lukovë, Bërdenesh, Bashkia Sarandë, Çukë, Metoq, Gjashtë, Shelegar, Bregas, Vrion, Vromero, Coraj, Ftere, Piqeras, Sasaj, Krekëz, Shënvasil dhe Nivic.
OSHEE sqaron se banorët janë njoftuar më herët në lidhje me stakimet dhe se kërkon ndaj tyre mirëkuptim për kufizimet, të cilat vijnë prej investimit që rrit ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike.