OSHEE modernizon sportelet e Shërbimit ndaj Klientit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë,  Damian Gjiknuri, shoqëruar nga administratori i OSHEE-së Adrian Çela, inauguruan përfundimin e modernizimit të sportelit të parë të Kujdesit ndaj Klientit në Tiranë.

Projekti i investimit për menaxhimin e fluksit të rradhëve në sportelet e kompanisë në këtë fazë të parë do të shtrihet në 14 sportele të shpërndara në 10 rajone në gjithë vendin.

Ministri Gjiknuri deklaroi se konsumatori është aksioneri i vetëm i këtij aseti të rëndësishëm kombëtar që është shpërndarja e energjisë elektrike.

“E kemi thënë që çdo kontribut i konsumatorëve shqiptar me pagesat është kontribut për veten e tyre. Këto investime shumë moderne që po bëjmë për të gjithë zyrat e klientit kanë në fokus konsumatorin shqiptar i cili meriton përgëzime për bashkëpunimin, gatishmërinë që ka treguar dhe e ka kuptuar që pagesa e energjisë elektrike nuk është taksë, por është një kontribut për një cilësi më të mirë për jetën e tyre”, theksoi Gjiknuri.

Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela tha se “Zyrat e Shërbimit ndaj Klientit do të jenë një lloj banke jo vetëm nga vlera monetare, por edhe nga mënyra e shërbimit. Pra, po i paraqesim klientit një fytyrë tjetër të kompanisë. Të gjitha punëtorët janë të indentifikueshëm me emër-mbiemër. I krijohet mundësia edhe abonentëve për ankimime që mund të kenë, ta shohin qartë, ku dhe si ka mbetur procedura që ato po aplikojnë”.

Faza e parë përfshin modernizimin e 4 KNK-ve në Tiranë, një në Kamëz dhe 9 të tjerat përkatësisht në Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Lushnje, Pogradec, Berat, Vlorë dhe Korçë.

SHKARKO APP