OSHEE nis investimet në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nis fazën e parë të investimit për rehabilitimin dhe fuqizimin e rrjetit elektrik në një nga zonat më problematike në zonën e ish-Kënetës në Durrës, që do të përfundojë brenda 6 muajve dhe ku përfitues do të jenë mbi 10 mijë konsumatorë familjarë dhe biznese.
Në nisjen e punimeve morrën pjesë ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, njoftoi sot MEI.
“Qeveria dhe Operatori i Shpërndarjes kanë ndërmarrë një plan të gjërë investimesh në sektorin energjitik, që do të materializohet me shërbim më të mirë për popullatën, ulje drastike të humbjeve, por mbi të gjitha, do të bëjë që qytetarët t’a ndjejnë se kontributi që kanë dhënë me pagesat e energjisë, patjetër do t’u kthehet në një shërbim më të mirë.
Sektori energjitik, rimëkëmbjen po e fillon jo vetëm me arkëtime dhe situatë financiare më të mirë por mbi të gjitha, po kryen investimet aq shumë të munguara prej vitesh në shpërndarje”, sqaroi Gjiknuri.
Projekti me 5 Lote, nisi fazën e parë me vlerë 83 milionë lekë në zonën e ish-Kënetës në Durrësin e ri, brenda javës tjetër do të nisin punimet për LOT 2, me vlerë 360 milion lekë, ndërsa janë edhe tre LOT-e të tjera.
“Totali i investimeve në Durrës eshte 800 milion lekë, që shkojnë për zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones. Parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët ABC”, u shpreh drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela.
Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, falënderoi OSHEE-në për përfshirjen e zonave problematike në planet e investimeve dhe e konsideroi projektin si shumë të rëndësishëm, që përmirëson jetesën e banorëve të tyre. Ai falenderoi OSHEE-në për rreth 8 milion dollar investime që do të realizojë në Bashkinë e re të Durrësit, nga të cilat janë përfitues të drejtpërdrejtë qytetarët dhe sektori i turizmit.
Sipas të dhënave të OSHEE-së, në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet arrin sot rreth 45%.
Me kryerjen e investimeve, parashikohet që niveli i humbjes së energjisë për këto zona të ulet deri në 12%. Projekti do të zgjasë 3-6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për mbi 10 mijë familjarë e biznese