OSHEE përgënjeshtron PD-në: Në 2015, vetëm 38 mijë ankesa
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë ka reaguar këtë pasdite në lidhje me pretendimin e Partisë Demokratike mbi ankesat e qytetarëve për mbifaturime, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Sqarojmë se shifra e paraqitur prej 91.400 ankesa për mbifaturime është e pavërtetë dhe nuk ekziston. Ndërkohë që e vërteta është se për vitin 2015 janë depozituar ankesa për 38 mijë fatura, të cilat përfshijnë një sërë problematikash”, thuhet në një deklaratë për mediat.
Sipas njoftimit, ankesat në fjalë kanë të bëjnë me: faturime afrofe të ndara sipas periudhave rregullatore; mbifaturim; faturim gjatë kohës së pezullimit; depozitime dhe vendime gjykate; dëme ekonomike, etj.
“Ndër këto ankesa, 12 mijë prej tyre (ose 30%) përfaqësojnë fatura të lëshuara përgjatë periudhës 2007-2013. Përsa i takon cilësisë së faturimit të vitit të kaluar, vetëm 8.800 klientë (12 mijë fatura) kanë depozituar ankesa për mbifaturim dhe faturim afrofe, shifër e cila përfaqëson më pak se 0.1% të totalit të faturave të emetuara gjatë vitit 2015. Mbi 90% e këtyre ankesave janë zgjidhur brenda vitit”, përfundon njoftimi zyrtar i OSHEE.