OSHEE reagon për skadalin e faturimeve: Është shkarkuar drejtori i agjensisë dhe 6 lexues sahatesh

Duke marrë shkas nga akuzat publike të bëra sot prej Partisë Demokratike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sqaron opinionin publik se kompania është vënë në lëvizje që prej datës 24 Janar 2015, pas denoncimeve të banorëve të lagjeve nr.2 dhe 3 në Laç.

"Më datën 27 janar, Departamenti i Shitjeve dhe Arkëtimeve ka ngritur grupin e posaçëm të verifikimit në terren. Objekt i kontrollit ishin 32 kabina të cilat furnizojnë konsumatorët e lagjeve nr.2 dhe 3 që arrijnë në 8200 kontrata. Nga verifikimi i të dhënave për 732 familjare, rezultoi se 592 prej tyre janë nënfaturuar për një total 239 Mwh dhe 140 janë mbifaturuar për një total prej 214 mwh. Ndërkaq, për konsumatorët privatë rezultuan 14 raste mbifaturim për një sasi 60 mëh dhe 73 raste nënfaturim për një sasi prej 250 mwh. Me 6 shkurt, me përmbylljen e fazës së kontrollit u mor vendimi për shkarkimin e drejtuesit të agjencisë së OSHEE­së Kurbin; ulja në detyrë e shefit të degës së shitjes dhe largimi nga detyra i 6 lexuesve që mbulonin lagjen nr.2 dhe 3 në Laç. OSHEE përmes Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimeve po vazhdon punën për sistemimin e veprimeve për abonentët familjar dhe jofamiljar sipas balancës reale të konsumit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike siguron opinionin publik se verifikimi i ankesave dhe ushtrimi i kontrolleve në terren është një proces që kryhet në vazhdimësi. Kompania është e vendosur të reformojë sistemin e shpërndarjes, jo vetëm në infrastrukturë duke kryer investime por edhe sa i takon burimeve njerëzore, duke ndëshkuar çdo nëpunës që kryen abuzim ndaj konsumatorëve", citon OSHEE-ja.

SHKARKO APP