OSHEE: Sillni librezat e energjisë, të vërtetoni se nuk jeni debitor
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), përmes një deklarate zyrtare, ka njoftuar dje të gjithë abonentët që pretendojnë se kanë kryer likujdimin e faturës së energjisë elektrike, por që në sistemin e pagesës figurojnë debitorë, të paraqesin pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit (KNK) dokumentacionin e nevojshëm që provon këtë fakt. Konkretisht, fjala është për librezën e vulosur dhe me firmë, mandat arkëtimin apo kuponin tatimor, të cilat sipas drejtuesve të OSHEE-së vërtetojnë se abonenti e ka paguar energjinë elektrike dhe se nuk është aspak e vërtetë që ai të rezultojnë si debitor i saj. E në këtë kuadër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar publikisht se nuk do të aplikohet asnjë masë e ndërprerjes së energjisë elektrike ndaj tyre, për rastin e mësipërm, deri në verifikimin përfundimtar të ankesës. “Nëse abonenti i ka dokumentet e kërkuara që ka kryer pagesën, pavarësisht se ajo nuk ndodhet e reflektuar në sistem, ndaj tij nuk merret asnjë masë dhe gjendja e tij debitore fshihet nga sistemi”, sqarojnë drejtuesit e OSHEE-së lidhur me një situatë të tillë. Duke shtuar më tej edhe faktin se asnjë abonenti nuk i është kërkuar dhe as nuk i kërkohet që të paguajë dy herë për fatura që pretendon se janë të likujduara më parë. E për këtë arsye, sipas tyre, të gjithë qytetarët që janë ndeshur me një ngatërresë të tillë, duhet të rrinë të qetë, sepse pas dorëzimit të dokumentave të lartpërmendura, gjithçka do rregullohet dhe ata do të mund të figurojnë sërish në sistem si klientë të rregullt të OSHEE-së. “Kompania po merr masa për zgjerimin e qendrave të Kujdesit ndaj Klientit, duke hapur rreth 28 pika të reja, me orare të zgjatura, edhe në fundjave, në shërbim të abonentëve”, shtojnë gjithashtu drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kujtojmë se janë disa mijëra qytetarë në rang vendi të cilët janë përballur së fundmi me problematikën e të figuruarit si debitorë të energjisë elektrike, për shkak të moskalimit në sistemin e Postës të faturave të paguara prej tyre.
DOKUMENTAT
Çfarë duhet të paraqisni?
– Librezë e vulosur e me firmë
– Mandat arkëtimi i pagesës
– Kuponi tatimor i pagesës
PROBLEMATIKA
Si ka lindur konflikti për
faturat “e papaguara”?
Janë mëse 6 mijë abonentë të energjisë elektrike në rang vendi të cilët rezultojnë të jenë debitorë të saj, edhe pse kanë paguar në degët postare faturat respektive në filialet e
Postës Shqiptare. Për këtë arsye, kjo e fundit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes tashmë ngritur një grup të përbashkët pune për të verifikuar problematikën dhe për t’i dhënë zgjidhjen e duhur. Ku nga ana e tij, OSHEE-ja ka lajmëruar që në fillim lidhur me zgjidhjen e saj se nuk do të lejojë asnjë qytetar të paguajë dy herë faturat e dritave, ndërkohë që deri tani janë zgjidhur mbi 2 mijë ankesa. Për këtë arsye, fillimisht Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i ka ftuar qytetarët që konstatojnë këtë problem, të tërheqin pranë Postës Shqiptare një kopjo të mandatit të arkëtimit që kanë bërë dhe të paraqiten në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë. Dhe për rastet kur qytetarët kanë kryer pagesën por ajo nuk është përcjellë drejt kompanisë së shpërndarjes, OSHEE-ja do të kërkojë këtë shumë financiare nga Posta Shqiptare. Dhe në rastet kur shuma mund të jetë derdhur por nuk është pasqyruar në sistem, korrigjimi do të kryhet nga OSHEE-ja.
6
Mijë abonentë është numri i përafërt i atyre në rang vendi të cilët janë përballur me problematikën e të paguarit të energjisë elektrike, por të të figuruarit në fakt zyrtarisht si debitorë të saj
DUKURIA
Efektet e saj pritet që të shfaqen tek rritja e çmimit të bukës
Embargoja ruse mbi
grurin prek Shqipërinë
Vendosja e embargos ruse mbi grurin pritet të japë efekte në tregun shqiptar duke rritur çmimin e bukës. Konkretisht, vendimi hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe parashikon vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton/grurë. Prodhuesit e miellit në Shqipëri shpjegojnë se kjo taksë do të rrisë kostot me 15% duke e dhënë efektin direkt në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë rritja e dollarit që është monedha me të cilën blihet drithi sipas tyre është një tjetër shtesë e kostos për këtë produkt i cili përdoret në masë nga qytetarët shqiptarë. Kujtojmë se Shqipëria importon pjesën më të madhe të grurit i cili përdoret për miell nga Russia dhe kjo pritet të vërë në vështirësi industrinë e përpunimit të miellit. Ndërkohë burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se ky problem po ndiqet nga afër dhe ditën e hënë ministri do të diskutojë me prodhues të miellit për të gjtur një zgjidhje.
Sipas ministrisë, gjetja e tregjeve të reja për importin e grurit është një prej zgjidhjeve që do t’u jepet prodhuesve të miellit.
Por për vetë përfaqësuesit e kësaj industrie, gjetja e burimeve te tjera për furnizim është e vështirë dhe do kohë. Shiqpëria importon mbi 50% të grurit nga Rusia dhe pjesën e mbetur nga Serbia e cila gjithashtu e importon grurin nga ky vend. Kujtojmë se Rusia ka vendosur embargo për një sërë produktesh që eksporton si një kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj këtij vendi, por edhe si një mënyrë për të frenuar inflacionin në këtë vend. Gjithashtu, embargoja e vendosur nga Rusia pritet të prekë një sërë vendesh europiane pasi është transportuesi i katërt më i madh i drithërave në botë.
80%
E importit të grurit në vendin tonë kryhet përkatësisht nga Rusia (në masën prej 50%) dhe nga Serbia, e cila gjithashtu e importon atë nga Rusia