Padia e parë për prodhuesit e “Pokemon Go”

Është loja e cila ka marrosur të gjithë por ka shkaktuar dhe  viktima. Loja “Pokemon Go” është një fenomen global që prej publikimit më 6 korrik.

Sipas mediave ndërkombëtare, ka ardhur dhe padia e parë, e bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prodhuesit e lojës “Pokemon Go” janë akuzuar se kanë shkelur në pronë private.

Një shtetas amerikan, sipas lajmeve ka paditur krijuesit e lojës pasi të huaj të shumtë sorollateshin duke luajtur rreth shtëpisë së tij, brenda pronës së tij dhe disa prej tyre madje i kishin trokitur në derë në kërkim të pokemonëve.

Kjo është padia e parë ndaj kompanive “Niantic”, “Nintendo” dhe “The Pokemon Company” dhe sipas mediave qëllimi është që të kthehet në një padi kolektive të cilës t’i bashkohen edhe njerëz të tjerë që kanë dyqane apo palestra virtuale pokemonësh në pronat e tyre. Padia akuzon prodhuesit e lojës se kanë injoruar plotësisht pasojat e parashikueshme të vendosjes së pokemonëve virtualë në botën reale pa kërkuar lejen e pronarëve.

SHKARKO APP