Padia për shpifje, Erion Braçe paraqitet sërish në SPAK
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është paraqitur ditën e sotme në SPAK.
Braçe u pa duke hyrë në Prokurorinë e Posaçme me një dosje në duar, ku ka qëndruar për rreth një orë.
Kjo paraqitje vjen në kuadër të një padie për shpifje të ngritur ndaj tij nga biznesmeni Anduel Çekrezi, me të cilin ka një konflikt të hershëm pronësie në zonën e Imshtës, në Lushnje.
Sipas burimeve, Braçe ishte paraqitur edhe javën e kaluar në SPAK për të njëjtën çështje. Konflikti lidhet me pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik, ndërsa palët kanë pasur përplasje të vazhdueshme, përfshirë edhe në rrjetet sociale.
Biznesmeni Çekrezi pretendon se disponon dokumentacion të rregullt pronësie dhe se toka në fjalë është blerë ligjërisht.
Ndërkohë nga ana tjetër, deputeti Braçe këmbëngul se bëhet fjalë për tokë publike, madje duke pretenduar se është privatizuar edhe një pjesë e lumit.
Burimet bëjnë me dije se përplasja mes palëve tashmë ka marrë rrugën ligjore dhe pritet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

