Pagat dhe pensionet, ja rritja në buxhet

Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve në vitin 2017 është përcaktuar në vlerën 8.9 miliardë lekë. Rritja e pensioneve me 3% do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 2.9 miliardë lekë, ndërsa 6 miliardë lekë është fondi i rritjes së pagave, që është vendosur në masën 10%.

Në projektbuxhetin e vitit 2017 të ardhurat janë parashikuar në masën 436 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 3% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa shpenzimet janë parashkruar në masën 469.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe do t’u kalojë shpenzimeve korrente në masën 389 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale, ose thënë ndryshe investimet, do të marrin 71.6 miliardë lekë. Në projektin e vitit të ardhshëm Qeveria u ka lënë pjesën më të madhe të ardhurave të hyra nga TVSH-ja. Në arkën e shtetit është parashikuar të hyjnë 3 miliardë lekë më shumë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ose 2,1% më shumë se viti 2016.

Tatimfitimi është parashikuar në masën 28.7 miliardë lekë, ndërsa këtë vit të ardhurat nga tatimfitimi janë parashikuar në masën 24.3 miliardë lekë. Rritje të konsiderueshme në arkën e shtetit do të sjellin dhe të ardhurat nga akciza. Qeveri ka parashikuar të mbledhë në total 46.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2016 ky zë është 44.6 miliardë lekë. Qeveria ka parashikuar të ulë deficitin në vlerën 33 miliardë lekë dhe borxhin me 1,6%. Buxheti i shtetit pritet të marrë dakordësinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, një përfaqësi e të cilit ndodhet prej një jave në Shqipëri.

Rritja e pagave Ministri i Financave dhe kryeministri kanë gjetur dakordësinë për rritjen e pagave dhe pensioneve tre vjet pasi kanë ardhur në pushtet. Burime nga Financat bëjnë të ditur se do të aplikohet edhe një rritje mesatare e pagave prej 10%. Nga kjo rritje pritet të përfitojnë edhe 15.100 punonjës të sektorit mbështetës të institucioneve. Një kategori tjetër që do të përfitojë është ajo e arsimtarëve, të cilëve paga, nga 54.828 lekë do t’u shkojë 60.500 lekë.

Pensionet Qeveria pritet të rrisë në masën 3% pensionet. Kategoritë përfituese do të jenë pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe pensionet e invaliditetit të qytetit. Në listën e përfituesve do të përfshihen edhe pensionet apo përfitimet e tjera që jepen nga sigurimet shoqërore, si pensionet e parakohshme e suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake dhe të ish-punonjësve të nëntokës.

Përfituesit Në total nga ky vendim do përfitojnë rreth 600 mijë pensionistë dhe përfitues të pensioneve familjare, që do të përfitojnë rritjen me 3%. Nga rritja që pritet të miratohet brenda muajit përfitojnë rreth 300 mijë pensione pleqërie urbane, 57 mijë pensione invaliditeti urbane dhe rreth 48 mijë pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë rreth 137 mijë pensionistë pleqërie, si dhe rreth 30.205 persona nga programe speciale, si ushtarakë, minatorë, pilotë etj. (Gazeta Shqiptare)

SHKARKO APP