Pagat e ish-të përndjekurve për 23 mijë dosje, ja kujt i jepet përparësi
Ministria e Financave ka filluar të vëzhgojë me vëmendje dosjet e ish-të përndjekurve politikë, për të parë përfituesit dhe ndarjen e tyre në kategoritë përkatëse parësorja dhe joparësorja.
Ministrja teknike Helga Vukaj është duke verifikuar procesin e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit dhe ndërkohë po pritet pagesa e këstit të tretë për të dyja kategoritë. 23 mijë është numri i ish-të përndjekurve politikë, që përfitojnë dëmshpërblim raportohet nga Ministria e Financave.
Janë gjashtë kategori gjithësej dhe janë përcaktuar kushtet që duhet të plotsohen.
Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës.
Në kategorinë e dytë janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, të cilët vazhdojnë të jenë gjallë.
Në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Në kategorinë e katërt ku prioritet kanë persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç.
Për kategorinë e pestë prioritet kanë persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç.
Në fund tek kategoria e gjashtë prioritarë janë ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie.