Paige Viren: Investoni në turizëm lokal, jo në resorte

“Ndërtimi i restorteve të mëdha apo zhvillimi i turizmit të qëndrueshme në nivel lokal?” Kjo ka qenë një ndër pikat më të rëndësishme, diskutuar gjatë mbrëmjes së sotme në emisionin “Argument” të gazetarit Enio Civici, ku e ftuar ishte Dr. Paige Viren nga Universiteti East Carolina në SHBA.

Gjatë kësaj bisede ajo u shpreh se ndërtimi i një resorti të madh mund të duket si një investim i madh, por në fakt sipas saj, humbet sensi i elementit lokal, ku në shumicën e rasteve njerëzit vendas nuk punësohen dhe ushqimi i vendit nuk përdoret siç duhet.

Dr. Paige Viren ngre disa pikëpyetje gjatë kësaj interviste: “Nëse ndërtohet një resort i madh a e dëmton ai kulturën lokale? A e dëmton mjedisin lokal dhe a merren në konsideratë personat që jetojnë në zonën ku ndërtohet resorti?”.

Përgjigjen për pyetjet që ngre Dr. Viren e jep me një fjali të vetme duke thënë se me zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në shkallë më të vogël, investimi dhe paratë mbeten për njerëzit në nivel lokal.

“Për sa i përket resortit të madh, pyetjet që lindin janë kush punësohet, do të jenë pronarë njerëzit vendas apo korporatat? Kur fokusohemi për turizmin e qëndrueshëm ne e shikojmë atë në funksion tresh i mirë për ekonominë, i mirë për kulturën dhe i mirë për mjedisin. Nëse ndërtohet një resort i madh në një vend të caktuar a tregohet ky i ndjeshëm ndaj kulturës dhe mjedisit, pra a balancon ato tre faktorët që përmenda? Nuk po them që nuk do të duhej një resort i madh diku, por pyetja është çfarë bën ky resort aty, e dëmton kulturën lokale e dëmton mjedisin lokal ndaj duhen konsideruar personat që jetojnë në zonën ku do të ndërtohet. Nëse bëhet turizëm i qëndrueshëm në shkallë më të vogël, atëherë punët janë lokale, ushqimi është i vendit, ky biznes, pra investimi dhe paratë mbeten për njerëzit në nivel lokal. Prandaj ndoshta resorti i madh mund të duket si një investim i madh, si një përfitues i madh, por në fakt nëpërmjet tij humbet sensi i elementit lokal, njerëzit lokalë nuk punësohen, ushqimi lokal nuk përdoret siç duhet.”, shprehet Dr. Paige Viren.

/SCAN

SHKARKO APP