Paketa e re fiskale: Të gjitha ndryshimet e propozuara

Qeveria reflekton duke ritentuar vendosjen e marrëdhënieve me biznesin. Beqiraj: Për gjobat do të pritet zbardhja e argumenteve të Gjykatës Kushtetuese, por do të respektohet parimi i proporcionalitetit. Kontrollet do të bëhen sipas një plani vjetor, që do të përcaktohet që në janar…

Pasi tentuan të “shtrojnë” biznesin përmes masave të larta ndëshkimore e presioneve të kontrolleve tatimore, financat kanë ndryshuar tërësisht taktikë. Ato po shfaqen më bashkëpunuese dhe kanë premtuar thjeshtimin e procedurave tatimore e fiskale, ndërsa presin propozimet e biznesit.

Janë 358 propozime, komente dhe sugjerime të biznesit, të cilat në total kërkojnë ndryshimin e 60 procedurave. Deri tani, financat kanë draftuar 11 procedura të thjeshtuara që lidhen me kalimin e strukturës së Apelimit Tatimor dhe të Avokatit të Tatimpaguesit në varësi të financave; rritjen e transparencës; lejimin e çdo biznesi, pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH, të printojë vetë faturën tatimore kompjuterike; lehtësimin e procedurave të çregjistrimit dhe shkurtimin e afateve, kryerjen e kontrolleve me plan dhe duke njoftuar 45 ditë përpara bizneset etj.
Ndërsa Aktet nënligjore që ndryshojnë janë:

-Thjeshtimi i procedurave të eliminimit të tatimit të dyfishtë, për sa i përket procedurës së aplikimit dhe paraqitjes së dokumentacionit voluminoz pranë administratës tatimore për çdo aplikim për eliminimin e taksimit të dyfishtë, siç veprohet aktualisht.

-Thjeshtimi dhe ulja e kostove për procedurën e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit. Ndryshimi i kufirit të eksportuesve që do të përfitojnë rimbursim automatikisht, nga 100% për eksport në mbi 70% për eksport, si dhe kryerja e rimbursimit brenda 30 ditëve për të gjithë eksportuesit që punojnë mbi 50% për eksport, duke rritur numrin e eksportuesve që përfitojnë nga kjo procedurë në 40% të tyre.

Drafti u ka shkuar bizneseve për mendim dhe afati i lënë nga Ministria e Financave që biznesi të kthejë një përgjigje për paketën e re fiskale është data 20 qershor.

Gjobat, Beqiraj: Do të zbatohet parimi i proporcionalitetit

Gjoba prej 10 milionë lekësh për tregtarët e shumicës që shesin mallrat e pashoqëruara me faturë; gjobat 500 mijë lekë për moslëshim fature, mosdeklarimi i pagës reale, mosdeklarimi i punonjësve te biznesi i vogël; .gjobë 100% të mallit të padeklaruar dhe rivlerësim të të ardhurave për 6 muaj; gjoba 500 mijë lekë nëse nuk afishon çmimet, ishin disa nga supermasat që u parashikuan në ndryshimet e ligjit të procedurave, në kuadër të aksionit antiinformalitet që nisi në shtator të vitit të kaluar. Supergjobat kaluan në komisione e Kuvend pa shumë debat me biznesin dhe hynë në fuqi në fund të nëntorit, duke krijuar një frymë frike te sipërmarrjet. Për fat të mirë, ato nuk arritën të zbatoheshin, pasi Gjykata Kushtetuese i rrëzoi ato duke i gjykuar në papajtueshmëri me Kushtetutën.
Znj. Irena Beqiraj, zëvendësministre e Financave, pohon se ende nuk është vendosur përfundimisht se sa do të jenë nivelet e reja të gjobave, pasi duhet pritur që Gjykata Kushtetuese të zbardhë argumentet se pse i rrëzoi ato. “Për t’i rishikuar duhet të dimë arsyet se pse u hodhën poshtë”. Gjithsesi ajo pohon se në çdo rast do të respektohen parimet e proporcionalitetit.

Kontrollet do të bëhen me plan

Nuk do të ketë më trokitje në derën e biznesit nga tatimorët për kontrolle të papritura, që shpesh vendosen nga vetë ata. Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë kryerjen e planifikuar të tyre. “Plani i kontrolleve do të bëhet që në fillim të vitit, duke u bazuar në analizën e riskut, apo elemente të tjerë”, thotë Beqiraj. Mund të bëhen dhe vizita fiskale të paplanifikuara gjatë vitit, si p.sh., pas kërkesës për rimbursim TVSH-je. Gjithsesi, ajo pohon se do të ketë plan të përcaktuar dhe nuk do të lihen në dorë të tatimorëve.
Bizneset do të njoftohen 45 ditë përpara fillimit të kontrollit, duke i dhënë mundësinë të vetëkorrigjohet brenda këtij afati.
Një tjetër ndryshim është zgjatja e afatit nga 12 muaj në 60 muaj pa aplikuar penalitete, të së drejtës së tatimpaguesit për vetëkorrigjim të deklaratës tatimore. Ekonomia është shumë informale, pohon znj. Beqiraj. Ajo pranon se aksioni kundër informalitetit u nis pa përgatitur publikun. Tashmë bizneset do të kenë kohë deri në 5 vjet të vetëkorrigjojnë deklaratat tatimore pa marrë gjoba.

FOKUSI I PAKETËS SË RE

Më shumë informacion

Financat do të tentojnë informim dhe komunikim në funksion të edukimit të tatimpaguesit dhe unifikimin, standardizimin dhe aplikimin e rasteve precedente tatimore. Konkretisht:
-Rritje e transparencës me tatimpaguesit dhe forcimi i detyrimit për zbatimin e njëjtë dhe efektiv të legjislacionit tatimor nëpërmjet përcaktimit të detyrimit të administratës tatimore për të publikuar dhe për të zbatuar njësoj për të gjithë tatimpaguesit në rrethana të njëjta, Vendimin Teknik të nxjerrë për një tatimpagues të veçantë;
-Përmirësim të mëtejshëm të procesit të informimit për tatimpaguesit nëpërmjet detyrimit të administratës për botimin e buletinit përmbledhës të vendimeve të gjykatave, si dhe unifikim të qëndrimeve dhe lehtësim në informim nëpërmjet përmbledhjes së tyre në formë komentarësh;
-Ndryshimin dhe përmirësimin e mënyrës së informimit, nëpërmjet detyrimit për publikimin e legjislacionit tatimor në gjuhën angleze, çka sjell lehtësi në informim, kryesisht për biznesin e huaj.

Thjeshtim dhe shkurtim procedurash

Ndryshimet ligjore synojnë thjeshtimin, qartësimin dhe shkurtimin e procedurave të ndryshme tatimore, të faturimit, çregjistrimit, vlerësimit, kontrollit tatimor, që do të tentohet të arrihet përmes:
-Qartësimit të disa elementeve që kanë të bëjnë me marrjen e akteve tatimore dhe llogaritjen e afateve përkatëse, përmbajtjen e njoftim-vlerësimit, publikimin dhe transparencën në llogaritjen e kamatëvonesave që aplikon administrata tatimore për një detyrim tatimor.
-Lehtësimit në procedurën e çregjistrimit të biznesit, duke bërë transparent procesin midis tatimpaguesit/QKB-së ose gjykatës dhe organit tatimor, duke shkurtuar afatin e kësaj procedure.
-Reduktimit të kostove për biznesin dhe përmirësimin e njërit prej indikatorëve “Të bërit biznes në Shqipëri” nëpërmjet lejimit të çdo biznesi, pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH, të printojë vetë faturën tatimore kompjuterike.
-Korrigjimit nga ana e administratës tatimore dhe jo nëpërmjet procedurës së ankimit për sa i përket dënimeve për shkak të ngarkimit gabimisht të një përgjegjësie tatimore të gabuar në sistem, jo në përputhje me ligjin.

Përmirësimi i procedurave të apelimit

Sipas të dhënave nga tatimet, ka arritur në 16.2 miliardë lekë (116) milionë euro shuma që biznesi ka ankimuar te Drejtoria e Apelimit Tatimor përgjatë vitit 2015. Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme. Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim.

Në një anketim që Këshilli i Investimeve publikoi së fundmi lidhur me mekanizmat e zgjidhjes së marrëveshjes mes biznesit dhe administratës publike ka konstatuar se “ekziston një perceptim i përgjithshëm mbi faktin se shpeshherë, rivlerësimi i detyrimeve tatimore ose doganore kryhet në mënyrë arbitrare nga administratat përkatëse, pikërisht për të krijuar të ardhura dhe për të arritur objektivat dhe planet e tyre buxhetore, duke shfrytëzuar këto “mundësi” ligjore.

Po sipas këtij raporti, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) ndonëse është e njohur gjerësisht nga biznesi, nuk perceptohet si një strukturë e pavarur nga pjesa tjetër e administratës tatimore dhe as e paanshme në vendimet e saj. Vendimet e kësaj të fundit janë në masën dërrmuese jo në favor të bizneseve, por të administratës tatimore. DAT ju jep të drejtë bizneseve në mënyrë të qartë vetëm në 4% të rasteve.
Në rregullimet e fundit ligjore, financat synojnë edhe sigurimin e pavarësisë dhe rritjen e garancisë për procesin e apelimit tatimor, përmes veprimeve të mëposhtme:

-Pavarësia e vendimeve të apelimit tatimor do të sigurohet nëpërmjet funksionimit të kësaj njësie si strukturë e pavarur pranë Ministrisë së Financave;
-Zbatimi funksional dhe efektiv i së drejtës për t’u ankuar, ulja e kostove të biznesit dhe përmbushja e një kërkese të përsëritur, për të zbatuar vendimin e Drejtorisë së Apelimit Tatimor për ankimin administrativ, në rastin kur ai është në favor të tatimpaguesit, pa e zgjatur pafundësisht procesin duke apeluar në mënyrë fiktive.
-Për të siguruar paanshmërinë dhe transparencën për apelimet e detyrimeve tatimore, vlera e të cilave është e konsiderueshme mbi një vlerë e cila do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, pranë Ministrisë së Financave ngrihet Bordi i Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore.

Zgjatet afati i vetëkorrigjimit në 5 vjet

Ndryshimet ligjore synojnë përqasjen drejt vetëpërmbushjes dhe vetëdeklarimit, përmirësimin e procesit të vlerësimit, kontrollit tatimor dhe rikonceptimin e mundësisë për marrëveshje të pagesës me këste në raste të mungesës së likuiditeteve nga biznesi. Konkretisht:
-Zgjatja e afatit nga 12 muaj në 60 muaj pa aplikuar penalitete, të së drejtës së tatimpaguesit për vetëkorrigjim të deklaratës tatimore, duke e njehsuar kështu me afatin e parashkrimit;

-Forcimi i partneritetit me biznesin, duke përmirësuar afatet, kohëzgjatjen e kontrollit, procedurat e kontrollit dhe rikontrollit tatimor, gjithashtu vendimmarrje me bazë të gjerë për rezultatet e kontrollit tatimor, duke rritur transparencën dhe duke ulur mundësinë për abuzim nga administrata tatimore, nëpërmjet vendimeve kolegjiale.

-Synohet të rritet transparenca në rikontrolle, duke dhënë arsye ligjore të detajuara dhe të argumentuara përse kryhet rikontrolli dhe këto arsye do t’i bëhen me dije edhe tatimpaguesit.

-Njoftimi i tatimpaguesit 45 ditë përpara fillimit të kontrollit, duke i dhënë mundësinë të vetëkorrigjohet brenda këtij afati, duke përfituar uljen e dënimeve të aplikueshme nga 100% në 30% dhe aplikimi i kamatëvonesave fillon nga periudha kur vetëkorrigjohet, jo nga periudha së cilës i përket detyrimi siç do të ishte nëse ky detyrim konstatohej nga kontrolli.

-Rritje e rolit të Avokatit të Tatimpaguesve dhe konsiderimin në perspektivë të krijimit të një organi të pavarur të Avokatit të Biznesit.

-Mundësi për të lidhur marrëveshje pagese me këste deri në 2 herë, si dhe heqja e detyrimit për të llogaritur kamatëvonesë përgjatë afatit që shtrihet marrëveshja, kamatëvonesa të cilat aplikohen aktualisht pavarësisht marrëveshjes së pagesës me këste.

-E drejta e administratës tatimore për të çuar shoqërinë në procedurën e falimentit do të ushtrohet në përputhje me ligjin “Për falimentimin”; Administrata tatimore lidhur me këtë proces ndaj tatimpaguesit, sipas këtij ligji, gëzon vetëm të drejtat që ka çdo kreditor tjetër.

Krijim i një sistemi eficent dënimesh tatimore, i cili nuk nxit mospajtimin me ligjin;
Ndryshimet ligjore parashikojnë reduktim dhe harmonizim të dënimeve administrative, me synim krijimin e një klime pozitive për biznesin sipas një sistemi penalizimi, i cili nuk synon të dëmtojë, por njëkohësisht nuk nxit dhe incentivon mospajtimin me ligjin. Në këtë aspekt janë ndryshuar nenet që përcaktojnë dënimet konkretisht, neni 113, 114, 115, 117,119, 121, 122, 124, 128/3, 130.

Lehtësi për tatimpaguesit nëpërmjet mosaplikimit të dënimit me konfiskim të mallrave që mban në ruajtje, përdor apo transporton pa dokument tatimor, por nëpërmjet forcimit të elementeve që kërkojnë domosdoshmërinë e dokumentimit.
Mosaplikimi i dënimit sipas nenit 119 për punonjësit e papaguar të familjes, kur vërtetohen si të tillë.

PËRMBLEDHJE E NDRYSHIMEVE NË AKTE

Lehtësime për fermerët

– Heqja e detyrimit për likuidim me bankë të transaksioneve me fermerët për transaksione deri në 150.000 lekë. Për transaksione ditore deri në 30.000 lekë me të njëjtën fermë, likuidimi bëhet me para në dorë; për transaksione mbi 30.000 lekë deri në 150.000 lekë, likuidimi bëhet ndërmjet shërbimit postar më të afërt të aksesueshëm.
– Krijimi i lehtësive të biznesit që blejnë produktet e fermerëve që vjen prej numrit të madh të faturave, duke i dhënë mundësinë e lëshimit të faturave kompjuterike, pa qenë nevoja e përdorimit të blloqeve të faturave dhe plotësimit të tyre me shkrim.
– Krijimi i lehtësive në rimbursimin e TVSH-së së bizneseve që blejnë produktet e fermerëve për të konsideruar me risk zero.
Lehtësime të tjera për procedurat dhe eksportuesit për rimbursimin e TVSH-së
– Ndryshimi i kufirit të pataksueshëm për blerjet online ose dërgesat, duke e ulur atë nga 150 euro në 22 euro, duke shmangur në këtë mënyrë konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
– Lehtësimi i procedurave të rimbursimit për eksportuesit do të rrisë mundësinë për likuiditet të shoqërive eksportues, me qëllim rritjen e investimeve nga ana e tyre dhe rritjen e eksporteve.
– Për qëllime të rimbursimit të TVSH-së, ndryshon kriteri që përcakton riskun nga 100% eksportues (deri më sot) në 70% eksportues. Ky ndryshim rrit në 40% subjektet eksportuese që rimbursohen automatikisht pa kontroll.
– Gjithashtu, edhe ato subjekte që punojnë mbi 50% për eksport, pavarësisht analizës së riskut, do të rimbursohen brenda 30 ditëve në mënyrë të detyrueshme nga administrata tatimore.
Nga të dhënat e marra pranë Administratës Tatimore për vitin 2015 rezultojnë që janë 2515 subjekte që kanë kryer eksport nga 0.01% deri në 100%. Nga këto, vetëm 309 ose 12.3% prej tyre janë 100% eksportues. Ndërkohë që mbi 70-100% janë 831 subjekte eksportues, ose 33%. Pra është lehtësuar procedura e rimbursimit të TVSH-së për rreth 33% të eksportuesve.
Gjithashtu, mbi 50% deri në 70% janë 175 subjekte ose 7% e tyre, duke lehtësuar procedurën dhe duke siguruar rimbursimin brenda afatit 30-ditor. Kështu, ky projektvendim synon thjeshtimin e procedurës së rimbursimit të TVSH-së për rreth 40% të eksportuesve nga 12.3% që ishte përpara ndryshimit.

PROCEDURA TË THJESHTUARA

1. Struktura e apelimit tatimor do të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave, për të forcuar pavarësinë e vendimeve, kërkesë e vazhdueshme e biznesit
2. Do të strukturoret procedura e vendimmarrjes nga kjo strukturë apelimi administrativ, në mënyrë të tillë që vendimet e Drejtorisë së Apelimit të jenë të zbatueshme dhe detyruese për administratën tatimore. Administrata tatimore pranon vendimin e kësaj strukture të apelimit.
3. Me qëllim rritjen e eficiencës së strukturës, Avokati i Tatimpaguesit do të kalojë si strukturë në Ministrinë e Financave deri në krijimin e institucionit të pavarur të avokatit të biznesit.
4. Lejimi i çdo biznesi, pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH që lëshon (numër i konsiderueshëm ose jo) që e ka të mundur të ketë një sistem kompjuterik të printojë vetë faturën tatimore, pasi të dërgojë modelin e faturës në administratën tatimore dhe të pajiset me një numër serial.
5. Publikimi në faqen e DPT të opinioneve për zbatimin e legjislacionit tatimor, përmbledhja dhe unifikimi i qëndrimeve në formë komentarësh për raste të ngjashme.
6. Publikimi i vendimeve të gjykatës për çështje tatimore, në formën e një buletini informativ çdo muaj.
7. Shkurtimi i afateve për procedurën e çregjistrimit të subjekteve që nga momenti që bën aplikimin në QKB, si dhe transparenca e kësaj procedure dhe çdo komunikim i administratës tatimore me QKB dhe anasjelltas, i vihet në dijeni tatimpaguesit.
8. Procedura e vetëpërmbushjes së tatimpaguesit përpara fillimit të kontrollit, njoftimi për fillimin e kontrollit tatimor, i dërgohet tatimpaguesit të paktën 45 ditë përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor dhe brenda kësaj kohe, i jepet mundësia të vetëdeklarojë dhe të vetëpërmbushë detyrimet tatimore të padeklaruara. Dhënia e mundësisë së vetëpërmbushjes, pavarësisht kontrollit të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, duke zgjatur periudhën 1-vjeçare, që është aktualisht.
9. Përcaktimi i detyrimit për evidentimin e kohëzgjatjes së kontrollit tatimor, përcaktohet sipas analizës së riskut që në njoftimin për kontroll. Zgjatja e kontrollit bëhet jo më shumë se 15 ditë.
10. Rivlerësimi dhe rishikimi i penaliteteve ndaj biznesit, duke i dhënë prioritet vetëpërmbushjes si dhe thjeshtim i tyre.
11. Hiqet dënimi për mosdeklarim të punonjësve të papaguar të familjes, sipas kategorive që do të përcaktohen. -“Monitor”.

SHKARKO APP