Paketa fiskale – Financat ndryshojnë 6 ligje me efekte në buxhet

Paketa e re fiskale që do të  shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm  tashmë ka marrë formën përfundimtare nga ekspertët e Ministrisë së Financave. SCAN ka arritur të zbardhë këtë draft, ku parashikohen ndryshime në disa ligje  të cilat pritet të ndikojnë në  “xhepat” e qytetarëve dhe  biznesit. Kështu sipas këtij drafti ndryshimet kryesore janë:

Taksa e pasurisë ku qëllimi i këtij projektligji është:

–              Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës;

–              Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës;

–              Riklasifikim i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike);

–              Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin  përkatës për fushën e turizmit.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përbëhet nga tre lloje taksash:

  1. a) Taksa mbi ndërtesën;
  2. b) Taksa mbi tokën bujqësore;
  3. c) Taksa mbi truallin.
  4. d) Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit me përafërsi 2.4 miliard lekë.

2—Ndryshime në  projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”  i cili  synon:

             Incentivimin për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit.

             Incentivimin në fushën e prodhimit të software-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishme për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.

             Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milion lekë.

3— Ndryshime në ligjin “ Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.

4—  Ndryshime në ligjin për akcizat, i cili synon   të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018.

Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5750 lekë/1000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5850 lekë/1000 copë.

  1. Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.

Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.

5—ndryshime ne ligjin për TVSH, ku propozohet aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së në për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6 %.

Projektligji përbëhet nga 5 nene. Konkretisht shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për çdo furnizim-shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të certifikuara “Hotel me pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.”

6— Ndryshime  ne ligjin “Për taksat kombëtare” lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky projektligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi për qëllime të këtij ligji. Aktualisht me ligjin në fuqi, konsiderohen automjete luksi, autoveturat deri në 4+1të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret:

  1. a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
  2. b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.

Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, synohet qe kriteri “4+1” të zëvendësohet me kriterin “6+1”.

Ky propozim ka ardhur nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milion lekë.

 

SHKARKO APP