Pallati pa leje i Sino Llanajt me 4 mijë m² në Astir bllokohet nga IMT. Arrestohet biznesmeni

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar një objekt ndërtimor në zonën e Astirit, me sipërfaqe prej mbi 4 mijë metrash katrorë, pasi është konstatuar se ndërtimi është kryer pa leje në një hapësirë publike. Ndërhyrja është mbështetur nga Policia Bashkiake, ndërsa aksionin e ka ndjekur nga afër nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili vlerësoi rolin e IMT-së dhe Policisë Bashkiake për lirimin e territorit.

“Nëse Tirana sot është më e çliruar nga ata që kishin zënë hapësira pa leje, është merita e madhe e IMT-së, e drejtuar nga Rigers Sheqeri, dhe e Policisë Bashkiake, e drejtuar nga Elona. Ne nuk do të ndalemi derisa çdo hapësirë e zënë padrejtësisht të kthehet në lulishte dhe parqe për fëmijët”, – deklaroi ai nga vendngjarja.

Sipas verifikimeve paraprake, objekti është në pronësi të biznesmenit Sino Llanaj, ndërsa ndërtesa ishte drejt përfundimit të punimeve, pa asnjë leje ndërtimi të miratuar nga autoritetet përkatëse.

Swiss Digital Desktop Reklama

Emri i Sino Llanajt nuk është i panjohur për autoritetet dhe opinionin publik. Ai rezulton të jetë bashkëpronar në një kompleks ndërtimor në zonën e ish-Parkut, ku rreth 120 familje kanë mbetur pa banesa për më shumë se një dekadë, si pasojë e një konflikti të gjatë me ndërtuesin tjetër, Albert Allmuça. Ky konflikt, i shpërthyer në janar të vitit 2021, përfundoi me plagosjen e Llanajt pas një përleshjeje fizike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Familjet që kanë blerë apartamentet në atë kompleks kanë zhvilluar disa protesta para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të marrë banesat e tyre, pasi projekti është ngecur në mes të përplasjeve mes dy investitorëve.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës ka konfirmuar ndalimin e biznesmenit Sino Llanaj:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit.”

Kjo ngjarje tregon se fenomeni i ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat e populluara si Astiri dhe Yzberishti, vijon të jetë një plagë e hapur për Tiranën urbane, pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme dhe ndëshkimeve administrative apo penale.

Ky rast vë në pah dështimet e sistemit të lejeve ndërtimore dhe mungesën e transparencës në menaxhimin urban të kryeqytetit. Pavarësisht investimeve publike, zaptimi i hapësirave publike, ndërtimet pa dokumentacion të rregullt dhe mungesa e kontrollit efektiv në terren mbeten probleme strukturore.

Nëse autoritetet duan vërtet një Tiranë të çliruar dhe të rregullt, përgjegjësia duhet të jetë e dyanshme: ndëshkim për shkelësit e ligjit, por edhe auditim i institucioneve që për vite kanë mbyllur sytë ndaj abuzimeve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?