Palo shteti që kemi ndërtuar
Nga Çapajev Gjokutaj
Dje u vra në Tiranë një grua 39 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, gjyqtare. E vrau ish bashkëshorti. Arsyeja sipas vrasësit: nuk po e linin të takonte fëmijët.
Dashuri të madhe paska patur për fëmijët. Kaq të madhe sa shkoi dhe u vrau njeriun më të dashur, nënën. I la rrugëve në një moshë delikate. I gjymtoi në vetëndjerje dhe i damkosi në opinion. U hapi plagë që vështirë se do zenë kore ndonjëherë
Kur vuante nga malli sa s’duronte dot, pse s’ja hoqi vetes, po vajti e vrau bijën e botës dhe plagosi shpirtërisht e për gjithë jetën fëmijët e tij? Ky model maçoisti ekstrem, që një e dy merr koburen dhe vret gruan, po na shfaqet si shumë shpesh. Nuk është burri i traditës, siç duan të thonë. Është burrec dhe egoist safí.
Si të mos mjaftonte kjo dozë e fortë egoizmi dhe hipokrizie, dalin dhe politikanët e bëjnë politikë: Pse shteti nuk mbrojti nënën dhe gjyqtaren?
Gjyqtarja Hafizi u vra se shteti nuk e mbrojti. Ishte ky shtet që amnistoi dhe la të lirë vrasësin, që edhe dy vjet të shkuar kishte tentuar ta vriste. Ishte ky shtet që nuk i dëgjoi paralajmrimet se, jo dokushdo, por një gjyqtare kërcënohej me jetë. S’ishin paralajmërime nën zë. Ishin bërë në institucionet e drejtësisë, madje edhe në ambasadën amarikane.
Është palo shteti që s’ka qenë ndonjëherë shtet. Vetëm se është vepër e përbashkët. E kanë ndërtuar bashkë dhe njeri pas tjetrit këta politikanë që, sa herë ka gjak e kufoma, dalin e angullijnë si hijena.
Jo se u dhemb, por se u duhen vota. Hipokrizi dhe cinizëm në doza elefanti. S’ka logjikë që i pranon, as kandar social që mund t’i mbajë!