Asgjësim kafshëve me plasje, kompensim pronarëve

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti komentoi sot situatën e krijuar në vend pas rasteve të gjedhit me dermantozë nodulare gjatë konferencës për ritmin e zgjerimit të bujqësisë.

“Politika jonë e parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje nuk është thjesht ide, por në sinkron me problematikën europiane. Masat që janë marrë, mbyllje e detyruar tregjesh dhe thertoresh, jo thjesht vullnet i MB, por politike europiane e diktuar”, tha ai.

Ministri e quajti qesharake idenë se kjo mund të bëhet për të favorizuar mishin e importit, ndërsa sqaroi se: “Ne do ta kthenim Shqipërinë në vatër të madhe infeksioni nëse nuk merrnim këto masa. Po të lejonim, dëmet do ishin të pariparueshme për ekonominë. Hidhnim në erë 300 milionë euro. Qëndrimi ynë ishte i saktë. Lërini profesionistët të bëjnë punën e tyre”.

Panariti deklaroi gjithashtu se të gjitha kafshët e prekura nga dermatoza do të asgjësohen dhe siguroi se do bëhet kompensimi i blegtorëve ose financiarisht ose me gjedhë të tjera.

“Do asgjësojmë kafshët e prekura, do shohim mënyrën e kompensimit jo vetëm me shumë financiare por edhe me kafshë, madje kjo është më e mira. Të gjitha kafshët e prekura, janë në karantinë dhe do të asgjësohen. Do përpilohet një procesverbal bashkë me blegtorin do bëhet vlerësimi për kompensimin”, tha Panariti.

Gjithashtu ministri qetësoi publikun, duke sqaruar se ky virus nuk e prek njeriun dhe nuk transmetohet përmes mishit, por është gjurmuar mishi, si mënyrë për të arritur tek kafshët e prekura.

“Ky infeksion nuk transmetohet nëpërmjet mishit dhe nuk prek njeriun. Nëse kemi penguar lëvizjen e kafshëve e kemi bërë për të penguar transmetimit tek kafshët e tjera. Ne gjurmojmë mishin sepse und të jetë tregues i lëvizjes së kafshës me virus. Nuk ka rrezik për konsumatorin, është virus që nuk e prek njeriun dhe nuk transmetohet nëpërmjet mishit”, tha Panariti. Ministri i Bujqësisë vlerësoi si faktor të rritjes së eksporteve lidhjen e bujqësisë me tregun. “Eksportet falë krijimit të zinxhirit të vlerave, lidhjes së bujqësisë me tregun. Po zhvillohet bujqësi me porosi”, tha Panariti.

Ministri u ndal më tej tek të dhënat e bujqësisë, ku tha se në fushën e eksporteve ka pasur rritje 2 shifrore me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Kemi rritje spektakolare të eksportit të frutave, 2,4 herë më shumë se një vit më parë, rritje në tërësi të perimeve 28%” Ministri foli për 3 fishim të eksportit të vezëve, 60% eksporti i mjaltit, 52% peshku.

Ai tha gjithashtu se: “Kemi ulje të importeve në krahasim me një vit më parë në masën 7,8%” Panariti shtoi ndër të tjera se është zgjeruar harta e eksportuesve edhe në 7 vende të tjera si: Republika Ceke, Lituania, Lindja e Mesme.

SHKARKO APP