Panariti me kongresmenin Rouzer, mbështetje për blegtorinë dhe peshkimin

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, takoi Kongresmenin e Karolinës së Veriut, David Rouzer, të cilit i kërkoi mbështetje për zhvillimin e blegtorisë dhe peshkimit.

David Rouzer është Kyetari i Nënkomitetit për Bujqësinë dhe Blegtorinë në Kongresin Amerikan.

Pasi bëri një ekspoze të shkurtër mbi gjendjen dhe perspektivat e bujqësisë shqiptare gjatë viteve të fundit, Panariti kërkoi mbështetjen amerikane për sektorin e blegetorisë, në veçanti për sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, për pajisjen e tyre me një dispozitiv elektronik, i cili vendoset nën lëkurën e kafshëve. Ky dispozitiv përmban të dhënat shëndetësore të kafshës dhe ofron garanci maksimale kundër falsifikimit të këtyre të dhënave.

Kreu i MBZHRAU-së, Panariti, nënvizoi nevojën e anijeve të peshkimit për pajisjen me një sistem gjurmues më të sofistikuar, i cili do të jetë inkorporuar në strukturat e anijeve për të ndaluar dëmtimin e tyre. Pajisja me këtë sistem monitorimi për lëvizjen e anijeve të peshkimit, do të parandalojë përfshirjen e tyre në aktivitete të paligjishme, të cilat mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Lidhur me sektorin e peshkimit, ministri Panariti i bëri të ditur kongresmenit Rouzer, përpjekjet e Shqipërisë për të hapur eksportet e midhjeve dhe mundësitë për të eksportuar në SHBA aciuge dhe sardele.

Nga ana e tij, Kongresmeni Rouzer theksoi se, bujqësia është çelësi i një ekonomie të suksesshme. Rouzer e siguroi ministrin Panariti se, SHBA mbështet projektet për t’i ofruar prodhimeve bujqësore vlerë të shtuar.

SHKARKO APP