Panariti propozon amnisti për borxhet e fermerëve

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, tha sot se do t’i propozojë në ditët në vijim Ministrisë së Financave, por edhe Kryeministrit Rama, amnisti për femerët që janë debitorë ndaj Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Deklaratën e tij, Minstri Panariti e bëri gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e MBZHRAU, me përfaqësues subjektesh, fermerë, shoqata kultivuese e prodhuese, të cilët për arsye të ndryshme objektive, nuk kanë mundur të shlyejnë këstet e fondeve që kanë përfituar nga skemat e financimit nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Në këtë, merrte pjesë dhe Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR-së, Znj.Suela Popa.

Në fjalën e tyre, fermerët, të cilët prezantuan problematika dhe argumente të ndryshme për këtë situatë të krijuar, i kërkuan ministrit Panariti, që AZHBR të pezullojë proceset gjyqësore ndaj tyre për mosshlyerje të kësteve, si dhe ristrukturim të shumave të pakthyera, të shpërndara në kohë e më këste të tjera.

Ministri i Bujqësisë, Z.Panariti, iu konfirmoi fermerëve se, që nga java që vjen, nëpërmjet shkresave zyrtare AZHBR-së, si palë paditëse, do t’ju kërkojnë gjykatave ku ndodhen çështjet, që t’i pezullojnë ato për një afat 6-mujor. “Jemi këto t’ju dëgjojmë hallet tuaja e të përpiqemi bashkarisht për një zgjidhje. Ne dhe AZHBR jemi të predispozuar t’ju ndihmojnë e jo t’ju lëmë në këtë ngërç që është krijuar. Në radhë të parë, ajo çfarë do të bëjmë, është fakti i pezullimit të proceseve gjyqësore ndaj jush”, deklaroi Panariti, duke theksuar se, “atë çfarë nuk mund ta japim financiarisht për ju, për bujqësinë në tërësi, do të bëjmë gjithëçka që ta lehtësojmë nga barra financiare e krijuar ndër vite”.

Por, veç kësaj, Ministri i Bujqësisë, iu premtoi fermerëve një inciativë të tijën, për t’i dhënë fund kësaj situate.

“Që nga dita e hënë, unë do t’i kërkoj Ministrisë së Financave dhe Kryeministrit Rama, shpalljen e amnistisë për ju. S’mund të vazhdohet më kështu dhe ajo çfarë është zgjidhja më e mirë për ju, është amnistia. Kjo është një histori humbëse, një histori që nuk na çon agjëkundi ne, as ju, veçse e forcon ngërçin e krijuar dhe për këto arsye, do të bisedoj me Ministren e Financave dhe Kryeministrin Rama, për t’i dhënë fund kësaj çështje dhe zgjidhja e vetme është amnistia ndaj detyrimeve tuaja”, deklaroi ministri. Sipas tij, edhe nëse do të rikonceproheshin detyrimet, situata juaj është po e njëjta e nuk mund të zgjidhej asgjë, veç shtyrjes së proceseve gjyqësore.

Për ministrin Panariti dhe Drejtoreshën e AZHBR-së, Popa, dalja e fermerëve nga kjo situatë, heqja e tyre nga listat e e debitorëve, do ta lehtësonte dhe pjesmarrjen në aplikimi të tjera të projekteve të Ministrisë së Bujqësisë, nëpërmjet fondit prej 90 milionë eurosh të IPARD.

“Nëse ju nuk do të dilni nga kjo situatë, gjë që është e mundur vetëm nëpërmjet amnistisë, ju nuk do të mund të aplikoni e përfitoni as nga grandi 90 milionë euro i IPARD, i cili rrezikon të digjet e moslëvrohet. Zgjidhja e duhur është aministia për ju, me qëllim që të dilni nga kjo situatë, të ringjallni bizneset tuaja, t’i jepni frymë bujqësisë dhe të rifilloni aplikimet për grande e subvencione të tjera”, theksoi Ministri.

Javën ne vazhdim, fermerët do të kenë takime intensive me AZHBR-në për pezullimin e proceseve gjyqësore në ngarkim të tyre, ndërkohë Ministri Panariti do të ndjekë rrugët e përmendura më lart, atë të kërkesave për aministi ndaj tyre.

SHKARKO APP