Panariti: Vera shqiptare, me shije unike
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, vizitoi të martën kantinën e verës “Arbri” në Rrëshen të Mirditës, një investim familjar, që është mbështetur me fonde nga “Programi i subvencionimit të Qeverisë në vitin 2015”, për të përmirësuar teknologjinë, rritur prodhimin dhe eksportin.
Gjatë kësaj vizite, ministri Panariti, shoqërohej nga specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) zbatuese e Programit të subvencionimit të qeverisë në mbështetje të bujqësisë, fermerë dhe banorë të zonës.
Ministri Panariti theksoi se në këtë kantinë prodhohet vera e parë shqiptare me një cilësi unikale. “Kemi krijuar një fizionomi të caktuar përsa i përket verërave të një zone të caktuar. Ndërsa kantina “Arbri” konkuron denjësisht në tregun ndërkombëtar”, tha ministri Panariti.
Duke iu referuar të dhënave të fundit të INSTAT, ministri Panariti shprehu shqetësimin se shifrat e INSTAT vazhdojnë të llogariten mbi parashikime, jo mbi të dhënat faktike.
“Vazhdon të mos llogaritet agro-përpunimi i cili llogaritet tek industria”, deklaroi Panariti, sipas të cilit, “në të njëjtin zë me bujqësinë llogariten pyjet që janë nën varësi të bashkive dhe janë nën moratorium”.
Ministri garantoi fermerët për mbështetje të plotë, përmes skemave subvencionuese, për çdo iniciativë dhe sipërmarrje të tyre në sektorin bujqësor, blegtoral dhe agropërpunues, që konsolidon zinxhirin e vlerave.
Kantina e verës ‘Arbri’ ka përfituar nga skema e subvencionimit mbështetje 50 % të vlerës së investimit për rikonstruksionin e kantinës dhe ndërtimin e një kantine të re, me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës për këtë zonë. Po ashtu përmes subvencionimit synohet ruajtja e traditës së prodhimit të verërave autoktone dhe të rakisë së rrushit po tradicionale vendase, bazuar edhe në lëgjislacionin shqiptar. Kantina filloi aktivitetin e saj në vitin 2003. E veçanta e prodhimit është varieteti i rrushit autokton shqiptar.
Sot Kantina prodhon 100 000 shishe në vit dhe parashikon të rrisë prodhimin për të plotësuar kërkesat e tregut, pa cënuar cilësinë e verës. Kjo kantinë shumë shpejt ka arritur të tërheq vëmendjen brenda dhe jashtë vendit për cilësinë e saj dhe është prezantuar në një sërë panairesh të verërave në Francë, Itali etj, si dhe në Atlasin Botëror të Verërave.