Papa Françesku: Duke njohur rolin e të moshuarve, do të marrim shumë dhurata
Në një postim në pltaformën X, me rastin e Ditës Botërore të Gjyshërve e të Moshuarve, që do të kremtohet nesër, 28 korrik, Papa Françesku fton për të qenë pranë njerëzve të shtyrë në mote dhe për të zbuluar ndihmesën e tyre të çmuar “në familje, në shoqëri, në Kishë”. Në përvjetorin kushtuar përfaqësuesve të të moshuarve, ndjesa e plotë për ata që marrin pjesë në festime ose ia kushtojnë kohën më të ligshtëve.
Në prag të Ditës IV Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila kremtohet nesër, më 28 korrik, në një postim në X, në faqen e tij të internetit @Pontifex Papa Françesku nxit për të qenë pranë të gjithë atyre që janë të shtyrë në mote. “Duke njohur rolin e pazëvendësueshëm që kanë në familje, në shoqëri dhe në Kishë – shkruan Papa – edhe ne do të marrim shumë dhurata, shumë hire, shumë bekime”.
Papa: t’i nxitësh të rinjtë kundër të moshuarve është manipulim
E kremtuar çdo të dielë të katërt të korrikut, pranë e pranë kujtimit liturgjik të shenjtorëve Joakim dhe Anna, më 26 të muajit, Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve u caktua nga Françesku në vitin 2021. Tema e sivjetme është: “Mos më braktis në pleqëri”. Me këtë synon të nënvizojë se vetmia, për fat të keq, është shoqërim i hidhur në jetën e shumë të moshuarve, shpesh viktima të kulturës së hedhurinës – lexojmë në portalin e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. E marrë nga Psalmi 71, është thirrja e një burri të moshuar, që rishikon historinë e tij të miqësisë me Zotin, zgjedhur posaçërisht në këtë vit të përgatitjes për jubileun, që Papa ka vendosur t’ia kushtojë lutjes.
Ndjesa e plotë për ata, që festojnë përvjetorin
“Të mos u mungojë kurrë butësia jonë gjyshërve dhe të moshuarve të familjeve tona” – nxit Papa në Mesazhin e tij për Ditën, me rastin e së cilës Pendestaria Apostolike jep “ndjesën e plotë të mëkateve, me këto kushte: rrëfim sakramendor, Kungim dhe lutje eukaristike sipas synimeve të Atit të Shenjtë, “shoqëruar nga pendimi dhe bamirësia e vërtetë”, “në kremtimet e ndryshme që do të mund të ndiqen në mbarë botën”.
R.SH. – Vatikan