Papa Leoni XIV: Zoti e refuzon luftën, askush nuk mund ta përdorë Emrin e Tij për ta justifikuar atë
Në homelinë e së Dielës së Larit e të Palmave, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa vuri në dukje butësinë e Jezusit, që bie ndesh me brutalitetin dhe abuzimin e njerëzve. “Ai nuk u armatos, nuk u mbrojt.” Zoti “gjithmonë e refuzon dhunën”. “Ky është Zoti ynë: Jezusi, Mbreti i Paqes. Zot që e refuzon luftën, që askush nuk mund ta përdorë për ta justifikuar luftën”. Në plagët e Krishtit, “janë plagët e kaq shumë grave dhe burrave të sotëm”.

Krishti, Mbreti i Paqes, bërtet ende nga kryqi i tij: Zoti është dashuri! Kini mëshirë! Ulini armët, mos harroni se jeni vëllezër!
Homelia e Leonit XIV gjatë Meshës solemne kremtuar paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në të Dielën e Larit a Palmave është thirrje e fuqishme për paqe. Në kremtimin e gjatë, që përkujton Mundimet e Jezu Krishtit Zot e që filloi në obeliskun e Sheshit të Shën Pjetrit me përkujtimin e hyrjes së Jezusit në Jerusalem dhe bekimin e degëve të ullirit dhe palmës, Papa zgjodhi disa fjalë të fuqishme, që i tronditën ndërgjegjet.
Para se të fillonte Mesha, një procesion prekës nga Krahu i Kostandinit në Kolonadën e Berninit arriti në qendër të Sheshit të Shën Pjetrit, duke e rrethuar atë. E duke kujtuar turmën, që brohoriste Jezusin gjatë hyrjes së tij në Jeruzalem. Besimtarët dhe kremtuesit kishin në duar “palma fenix” – 120 gjithsej, të dhuruara nga Ecja Neokatekumenale – e edhe palmurelli tradicionale – nga Sanremo, të bekuara të martën e kaluar në Katedralen e San Siro – si dhe 120.000 degë ulliri, të mbërritura nga Umbria dhe të siguruara nga Shoqata Kombëtare Italiane e Qyteteve të Naftës, me delegacione që merrnin pjesë në liturgji. Në Sheshin para Bazilikës së Vatikanit, ku bie në sy e kuqja e veshjeve liturgjike, dy dekorime të mëdha riprodhojnë simbolin e kësaj së diele të Larit me të cilën fillon Java e Shenjtë. Me Papën, në altar, ishin Kardinalët Giovanni Battista Re dhe Leonardo Sandri, përkatësisht Dekan dhe Zëvendës Dekan i Kolegjit të Kardinalëve.
Zoti nuk e pranon luftën
Pas shpalljes së Ungjillit, ra një heshtje e thellë ndërmjet dyzet mijë njerëzve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, pastaj Papa Leoni XIV filloi të fliste. Përballë klimës ndërkombëtare të sotme, në të cilën konfliktet po shtohen dhe luftërat po planifikohen, ftesa e Papës është të kthejmë shikimin tonë nga Jezusi, i cili “ecën në rrugën e kryqit” si “Mbreti i Paqes”, dhe të reflektojmë mbi butësinë dhe qetësinë e tij, të cilat bien ndesh me brutalitetin dhe abuzimin e njerëzve.
Krishti “nuk u armatos, nuk u mbrojt, nuk luftoi asnjë luftë. Ai zbuloi fytyrën e butë të Zotit, i cili gjithmonë e refuzon dhunën”, theksoi Papa Leoni, dhe e lejoi veten të kryqëzohej “për të përqafuar të gjitha kryqet e mbjella në çdo kohë e në çdo vend gjatë gjithë historisë njerëzore”.
Ky është Zoti ynë: Jezusi, Mbreti i Paqes. Një Zot që e refuzon luftën, që askush nuk mund ta përdorë për ta justifikuar luftën e që nuk i dëgjon lutjet e atyre të cilët bëjnë luftë, dhe i refuzon: “Edhe nëse do t’i shumëfishonit lutjet tuaja, unë nuk do t’ju dëgjoja: duart tuaja po pikojnë gjak”.
Një përkëdhelje për njerëzimin ndërsa mban shpata
Jezusi, ndërsa ecën drejt Kalvarit, “e paraqet veten si Mbreti i Paqes, ndërsa lufta zjen rreth tij”, theksoi Papa, duke përshkruar mënyrën se si Jezusi ndeshet me të keqen. “Të shikojmë nga Jezusi”, nxiti Papa Leoni XIV:
Ai, i cili ofron veten si përkëdhelje për njerëzimin, ndërsa të tjerët mbajnë shpata dhe shkopinj. Ai, i cili është drita e botës, ndërsa errësira është gati ta mbulojë tokën. Ai, që erdhi për të sjellë jetë, ndërsa plani për ta dënuar me vdekje po përmbushet.
Fytyra e butë e Zotit
E Jezu Krishti është Mbreti i paqes, që “dëshiron ta pajtojë botën me përqafimin e Atit dhe të shembë çdo mur” që “na ndan nga Zoti dhe nga i afërmi ynë”, shpjegon Leoni XIV, duke numëruar të gjitha ato aspekte të Shkrimeve Shenjte, që e tregojnë si të tillë: kur hyn në Jerusalem “hipur mbi gomar, jo mbi kalë”, “i përulur”; kur ndalon një nga dishepujt e tij që “nxjerr shpatën për ta mbrojtur e godet shërbëtorin e kryepriftit” dhe e nxit ta lërë armën, “sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin”; kur dënohet padrejtësisht me vdekje dhe nuk rebelohet ndërsa “është i ngarkuar me vuajtjet tona dhe i plagosur për mëkatet tona”.
Në plagët e Jezusit, ato të njerëzve të sotëm
Por nuk është thjeshtë Jezusi “i kryqëzuar për ne” që Papa na kërkon ta shikojmë: në Të mund të shohim “të kryqëzuarin e njerëzimit”.
Në plagët e tij shohim plagët e grave dhe të burrave të sotëm. Në britmën e tij të fundit drejtuar Atit, dëgjojmë britmat e të rënëve, të pashpresëve, të sëmurëve, të vetmuarve. E, mbi të gjitha, dëgjojmë rënkimin e dhimbjes së të gjithë atyre që janë të shtypur nga dhuna dhe të të gjitha viktimave të luftës.
Me Marinë, të sigurt se e keqja nuk do të mbizotërojë.
E atë britmë të Jezusit që nga kryqi kërkon vëllazëri e paqe, në përfundim Papa Leoni XIV ia beson Marisë, “që qëndron nën kryqin e të Birit Jezus dhe qan në këmbët e atyre që kryqëzohen sot”. Pasi i huazon fjalët e Ipeshkvit italian Tonino Bello, e duke përfunduar homelinë, Papa i kërkon Virgjërës Mari t’i japë njerëzimit sigurinë se, pavarësisht nga gjithçka, vdekja nuk do ta ketë fjalën e fundit. Se padrejtësitë e popujve janë të numëruara. Se shkëlqimi i luftërave po venitet në muzg. Se vuajtja e të varfërve ka arritur në gulçimet e saj të fundit” dhe se lotët e të gjitha viktimave të dhunës dhe dhimbjes, së shpejti do të teren, si ngrica nga dielli i pranverës.
R.SH. – Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

