Paradokset e jetës dhe krimi si çmenduri sociale…

Nga Gëzim Tushi –

Situata e agravuar sociale e krimit në Shqipëri është bërë tejet dominante dhe ndikuese në psikologjinë sociale të shoqërisë dhe për pasojë në mënyrë fare evidente njerëzit ndihen dhe janë të mërzitur nga kjo epidemi e shfrenuar sociale që jo vetëm po “korr” jetë njerëzish, por po deformon shijen e shëndoshë dhe kuptimin e vlerës së jetës.

Personalisht mendoj se përmasat numerike dhe sofistikimet e stratagjemave të krimit në shoqërinë tonë, janë bërë kaq të thella e të sofistikuara sa që mund të themi se realiteti është bërë i tillë, i çuditshëm dhe atipik sa që po i “pret krahët” edhe sociologëve për të treguar shkaqet sociale dhe njëherësh për të dhënë shpjegimet e duhura të kësaj dukurie masive. Në fakt ka shumë kohë që krimi në shoqërinë tonë ka marrë përmasa shqetësuese dhe gjasat tregojnë se ai nuk ka të ndalur. Paradoksalisht ne po shqiptarët padrejtësisht sot po jetojmë një situatë të zgjeruar të krimit në shoqëri.

Në të vërtetë në këtë situatë të agravuar të krimit nuk mund të qëndrosh indiferent apo të bësh rolin e pështirë të qytetarit sehirxhi. Në mënyrë tejet urgjente dhe krejt ultimative është detyrë e politikanëve dhe elitës intelektuale, sociologëve dhe juristëve për të vlerësuar situatën, për të bërë diagnoza të përgjithshme dhe diferenciale të krimit, me qëllim që të ndihmojmë shoqërinë tonë dhe të shpjegojmë shkaqet e kësaj situate kriminale në të cilën jetojmë dhe që e përjetojmë dramatikisht.

Kurba kreshendo e krimit është bërë tejet shqetësuese për njeriun dhe shoqërinë shqiptare. Faktet e ndodhura kohët e fundit por dhe statistikat në rritje të krimit janë tregues të asaj që dinamika e krimit është në rritje. Kjo është arsyeja pse në shoqëri për të vlerësuar situatën, duhen bërë analiza të kujdesshme dhe jo duke dhënë pa përgjegjësi sociale gjykime të bazuara në përshtypje sipërfaqësore.

Kjo do të thotë se duhet të ndërgjegjësohemi për shkaqet dhe pasojat e krimit, të cilat kanë bërë  që pikërisht krimi të sjellë në mënyrë masive zvetënimin e jetës shoqërore në Shqipëri. Besoj se kemi nevojë të bëjmë shumë gjëra me veten dhe shoqërinë, me familjen dhe shkollën, me institucionet e edukimit dhe median, por mbi të gjitha është koha kur duhet që të rregullojmë raportet e krimit me ligjin, si dy gjëra të kundërta dhe të papajtueshme sepse në fakt ligji dhe veprimi i tij është kundër krimit në shoqëri. Ligji është ai që bën veprimin e duhur dhe përmes tij mundëson parandalimin dhe pastaj edhe ndëshkimin e krimit në shoqëri.

Në mënyrë evidente duket dhe nuk është fare vështirë të konstatohet se jo vetëm tendenca e krimit në shoqërinë tonë është në rritje, por sasia intensiteti dhe tipologjia e larmishme dhe atipike e bëjnë të vështirë se cila do të jetë kurba e zhvillimit të tij në të ardhmen.

Shqetësimi social është në rritje për shkak se shoqëria shqiptare po përballet me nivele kaq të larta dhune sa që është e natyrshme të besojmë se jemi të rrezikuar që në vend që të ecim drejt qytetërimit po i afrohemi situatës së gjendjes natyrale të luftës së njeriut kundër njeriut, apo i të gjithëve kundër të gjithëve.

Në mënyrë të natyrshme kjo situatë e zgjeruar e krimit në familje dhe shoqërinë tonë të detyron të bësh pyetjen, se çfarë ka ndodhur në shoqërinë shqiptare, çfarë ka ndryshuar në ontologjinë e njeriut të sotëm? Akoma më shumë kjo situatë të detyron të shtrosh pyetjen, në se jemi duke jetuar në një shoqëri normale apo në një “xhungël sociale”. Në të vërtetë që në mesin e shekullit të kaluar shumë sociologë dhe filozofë parandjenë tendencën e zgjerimit të krimit në shoqëri. Në këtë kontekst që në mesin e shekullit të kaluar sociologu Eric From, profetizoi se, “breznitë do të vijnë duke u përkeqësuar”. Ky qëndrim i Fromit i parë me optikën e kohës sonë dhe i ballafaquar me realitetet e krimit banal e të ekzagjeruar, nuk ka qenë përfytyrim fatalist i të ardhmes, por qëndrim realist që po e vërteton koha në të cilën jetojmë, por një qëndrim realist që duhet vlerësuar.

Personalisht mendoj se më shumë shqetësues se përmasat sasiore të krimit në Shqipëri, që duhet pranuar se janë asimetrike me nivelin e qytetërimit tonë duhet të na shqetësojë diçka tjetër që është akoma më e rëndësishme dhe tejet shqetësuese. Përmasat e krimit në Shqipëri, indiferenca qytetare, mefshtësia e institucioneve dhe shumë faktorë të tjerë materialë, shpirtërorë e kulturorë që nuk veprojnë kanë krijuar një terren që ndikon dukshëm në përshtatjen e shoqërisë dhe pranimin si fakt të kryer të “kulturës së krimit në shoqërinë tonë.

Pse krimi po bëhet si “buka e përditshme”për shqiptarët ?

Krimi në shoqërinë tonë është bërë kaq  shpeshtë dhe i dendur sa që për fat të keq ka filluar që edhe shoqëria të normalizohet nga prania e kësaj dukurie, dhe të trajtohet si një shfaqje normale e dhunës së njeriut.

Përditë njerëzit janë të shqetësuar për faktin se gjithnjë e më shumë po përballemi me fenomene të agresivitetit, dhunës dhe krimit social. Me të drejtë ata pyesin: çfarë ka ndodhur që njerëzit tanë shfaqen kaq të ashpër dhe agresivë në jetën private e marrëdhëniet sociale ? Pse kaq shumë njerëz me instinkte të shfaqura kriminale?

Nuk është vështirë që situatës së krimit në Shqipëri tí bëhet një analizë e thjeshtëzuar sociologjike apo përshkrim semplist i situatës konkrete të shtrirjes dhe përhapjes së krimit në shoqëri. Problemi është dukshëm më i thellë dhe shkaqet janë më të komplikuara dhe më të ndërlikuara sa duken në pamje të parë. Personalisht mendoj se esenca e fenomenit është në mënyrë sintetike përtej enumeracionit të shkaqeve klasike, me të cilat ne jemi mësuar nga ideologjia e vjetër dhe instrumentet e materializmit historik të përshkrimit të shkaqeve objektive dhe faktorëve subjektiv të krimit.

Padyshim janë fare evidente ndikimet e faktorëve të tillë si shpërbërja e familjes tradicionale, varfëria apo arsimimi. Por personalisht mendoj se shkaku madhor i zgjerimit të krimit në shoqëri duhen kërkuar në dy arsye madhore me natyrë sinkretike, siç janë nga njëra anë zgjerimi i “xhepave të errët”të shoqërisë si ambiente që veprojnë jashtë dhe të pavarura nga ndikimi i faktorëve socialë, ligjorë e kulturorë, dhe nga ana tjetër është krijimi i “kategorisë së turbullt”të individëve të shthurur dhe që veprojnë me instinkte dhe pa pasur asnjë “fre social” që t’í ndalojë në rrugën e tyre të marrëzisë kriminale.” Një pjesë e këtij krimi që po lulëzon në vendin tonë është i lidhur me faktorë të tillë siç është zgjerimi gamës së kënaqësive të deformuara nga përdorimi i zgjeruar i alkoolit, drogave dhe shthurjes së seksualitetit.

Ideja që ndeshim rëndom dhe që është bërë banale është arsyetimi thjeshtëzues që i redukton të gjithë faktorët e krimit të lidhur vetëm me varfërinë. Personalisht gjithnjë e kam kundërshtuar këtë lloj shikimi me optikë materialiste deterministe si një fakt që jo vetëm nuk është analog me tërë të vërtetën por dhe që në mënyrë tejet të gabuar e bazon tërë këtë realitet të krimit vetëm në një faktor të vetëm social ekonomik siç është varfëria. Varfëria është faktor që ka peshën e vet në nxitjen e krimit në shoqëri por ai nuk mund të jetë faktori i vetëm, as i vetmi “ilaç” që duhet përdorur për të shëruar sëmundjen e krimit në shoqëri.

Tani që përmasat e krimit janë ekzagjeruar dhe tipologjia e tij është banalizuar, shpesh herë në përpjekje për të shpjeguar këtë situatë bëhen argumentime të ndryshme me karakter sociologjik dhe interpretim social. Por nga që duhma e krimit është bërë tejet problematike dhe meqenëse tërmetet e tij ndihen kudo, kanë filluar të shfaqen edhe prirje të turbullta të interpretimeve biologjizante të krimit dhe shkaqeve të tij. Interpretimi biologjik i shumë fenomeneve sociale me sa duket është pasojë e zbehjes së forcës ndikuese, edukuese dhe kontrolluese të amortizatorëve socialë dhe dobësimi fare evident i institucioneve të edukimit, sigurisë morale dhe disiplinës sociale.

Sociologët e krimit dhe të humanitetit janë të mendimit me plotë të drejtë se kur instinktet njerëzore dalin në sipërfaqe, atëherë kjo tregon dhe është tregues i sigurt se shoqëria është në krizë. Kjo do të thotë që në se vlerësojmë përmasat e krimit të shoqërinë tonë atëherë nuk duhet të kemi frikë të pranojmë se shoqëria po mbushet jo me njerëz normalë por me “drurë të kalbur” që duhet larguar prej saj, sepse po i prishin shëndetin social. Nuk mund të heshtim, nuk mund të mbyllim sytë kur ndodhemi përballë realiteteve të tilla të krimit në shoqërinë shqiptare, përmasat e të cilës të detyrojnë të mendosh se jemi duke ecur drejt ndërtimit të situatave njerëzore në shoqëri, apo po i hapim kufijtë shtrirjes së formave të rënda të barbarisë kriminale që po na shëmtojnë jetën tonë të përditshme?

Shoqëria shqiptare ka nevojë për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj krimit dhe kriminelëve. Në vend të krimit kaq shumë të përhapur shoqëria jonë ka nevojë të luftojmë për të edukuar njerëzit tanë që të zotërojnë artin e komunikimit, aftësitë e dialogut qytetar dhe tolerancës humane që janë vlerat bazale të qytetarit dhe qytetërimit demokratik. Sepse në se është në rritje niveli social i krimit në Shqipëri kjo do të thotë se gjërat janë keq, sidomos kur është fjala për raportin midis mendimit, ndjenjave dhe instinkteve tek njeriu i sotëm. Sepse pikërisht në raportin që vendoset apo ndërtohet midis tyre krijohet “kufiri”që ndan njeriun me sjellje humane nga ai me qëndrime kriminale.

Është e natyrshme pyetja që bëjnë njerëzit kur ndodhen para situatave të zgjerimit të krimit në shoqëri: Çfarë po ndodh që njeriu nuk është në gjendje të zotërojë trupin dhe instinktet e veta? A është në gjendje ky njeri të inventarizojë”dhe të mbajë në kontroll ekonominë e instinkteve personale që dëmtojnë shoqërinë. Këto probleme duhet të jenë në rendin e ditës në politikat e qeverisë, institucioneve të edukimit, familjes, shkollës. Nuk mjafton të flasim me fjalë për qeveri të mirë dhe rend social, por duhet të angazhohemi për politika dinamike kundër krimit dhe shkaqeve të tij, në mënyrë që të përfshijmë këtë “problemin njerëzor” duke e bërë çështje të politikës së ditës normalizimin e “jetës së njeriut në shoqëri” me sa më pak krime dhe kriminelë brenda saj. Pa këtë dimension të luftës kundër krimit politika dhe institucionet e edukimit dhe disiplinës sociale janë të “minuar” e të zbrazur nga brenda…

SHKARKO APP