Paralele kuvendesh midis Anglisë dhe Shqipërisë

Nga Ilir Levonja/Disa orë më parë, David Cameron lëshoi postin Kryeministrit në Britaninë e Madhe. Ai erdhi në pushtet si lideri i konservatorëve pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2010. Atë kohë zëvendësoi Gordon Brown e Tony Blair-it ose liderin e laburistëve anglezë.

Midis të tjerash ai i tha kuvendarve se ndihej i lumtur që iu dha mundësia t’i shërbejë për pak kohë së ardhmes së vendit të tij.

Pra nga nga muaji maj i 2010-ës deri më sot, 14 korrik 2016, bëhen plot 6 vjetë. Dhe mos u çudisni që në një të ardhme aty tek dera, emri i tij të jetë vetëm një indeks në faqet e historisë së shtetit anglez. Ashtu siç edhe janë sot emra të tillë si Margaret Thatcher, Tony Blair e Gordon Brown etj. Megjithëse akoma ka një vrull të ashpër, sidomos prej lobit që kërkoi daljen nga komuniteti europian, karshi reformave në arsim dhe shëndetësi. Të cilat ai nisi me masa shtrënguese, për shkak të krizës ekonomike, të ashtuquajtur tashmë si kriza e viteve 2000. Qytetarët britanikë nuk ia mohojnë meritat për një shmangie nga depresioni financiar etj.

David Cameron dha dorëheqjen një muaj më parë për shkak se i hapi rrugën një referendumi, mbi qëndrimin apo jo të Anglisë në BE.

Fitoi jo-ja, kur ai vetë këmbëngulte në atë që Anglia duhej të ishte pjesë e fateve të komunitetit të saj. Për këtë arsye dha edhe dorëheqjen si kryeministër. E për rrjedhojë, në bazë të statutit të partisë, edhe si lider i konservatorëve. Kësisoj edhe emri i pasuesit, po në bazë të statutit, duhet të fitojë më parë se postin e kreut të shtetit, atë të partisë. Kështu edhe Tereza May, iu nështrua zgjedhjeve dhe konkurencës.

E solla këtë shembull jo për faktin e koiçedencave shqiptare me atë të botës. Në një parlament të dorës së parë, ka debat dhe duartrokitje. Kurse në një të tillë të dorës së fundit, ka pështyma dhe krekosje boshe..

Megjithatë në këtë rrotacion pushteti, ne shqiptarëve na del për detyrë që të vendosim syrin tek vrima e çelsit në Kuvendin tonë.

Duhet ta bëjmë edhe pse aty ka plot kokëtula që të zënë pamjen.

Ka plot kollarexhinjë e kollarexhesha që i marrin njëri-tjetrit veç më të këqijat. Ka që nuk janë në pushtet nga 6 apo 7 vjetë. Por që nga dita kur marshuam rrugëve të vendit me thirrjet që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Dhe bëhen kështu më shumë se njëzetë e gjashtë vjetë. Këta nuk kanë se çfarë të japin më. Ndaj nuk është rastësore që reformat tek ne bëhen me tendencë të mbrojtjes së vetvetes. David Cameron në fjalën e largimit tha, që jam i lumtur që i shërbeva të ardhmes së vendit tim. Aty tek ne, deri sa nuk arrijnë të bashkëpunojnë, deri sa nuk arrijnë marrëveshje të përbashkëta. Ka domethënien që i shërbejnë së shkuarës, jo së ardhmes. Dhe e shkuara tek ne janë po ata. Pra i shërbejnë vetvetes.

Të vendosim syrin tek vrima e çelsit në dyert e partive politike.

Edhe pse aty ka plot nevrastenikë që të ulërasin si tradhtarë. Janë militantë që nuk i shërbejnë fateve të vendit. Por fateve personale.

Dhe që shpesh të thumbojnë me Y të madhe. Janë militantë, jo intelektualë që duan të shpalosin talentin, aftësinë, gjeninë etj.

Dhe ky është një regres i madh social. Një depresion më i keq se ai i krizave financiare.

Të vendosim syrin tek vrima e çelsit në derën e memories së demokracisë tonë. Për të kuptuar një herë e mirë se sa i domosdoshëm është rrotacioni etj. Se sa qafëtrashë, e bejtexhinj me makina luksoze paguajmë me djersën tonë. Ndërkohë që vet jemi bërë krijesa që në masë linçojmë edukatore kopshtesh, mësues që rrahin, e drogmenë që shkelin robtë në mes të rrugës. Duke anashkaluar shkaktarët realë. Madje duke ua mbrojtur avenirin me fanatizëm. Edhe pse këto krijesa janë produkte të paaftësisë së qafëtrashëve.

Sot një deputet i Kuvendit i tha kolegëve se jemi bërë të neveritshëm për njerëzit. Po na përçmojnë etj. Kjo nuk është e gjitha. Madje nuk është asgjë, veçse një oratori e cila pa veprimin mbetet një vdekje e ëmbël. Ajo që po e merr me vete përditë Shqipërinë. Sepse i mungojnë prurjet si kjo e David Cameron-it.

SHKARKO APP