Pas Godellit, edhe Romela Begaj kampione bote!
Pas suksesit të Daniel Godellit, radhën e kishte Romela Begaj. Medalje ari për 28- vjeçaren nga Tirana, e cila nderon sërish Shqipërinë, në një aktivitet me rëndësi, si Botërori i peshëngritjes së Kazakistanit, që do të mbahet mend gjatë, pasi u kthye në eventin më me rëndësi në historinë e sportit në Shqipëri. Begaj ngriti plot 113 kilogram në stilin e shkëputjes, duke fituar medalje ari, në kategorinë 63 kilogram. Duke qenë se shtytje nuk është stili i saj i preferuar, Begaj u rendit e 9-ta dhe përfundimisht e 7-ta në dy-garësh, me 245 kilogram në total, duke kurorëzuar arritjen më të madhe në peshëngritjen shqiptare të femrave, me një paraqitje fantastike. Megjithatë, suksesi i saj mund të duket disi “në hije” vetëm për faktin se nuk mund të krasahohet me suksesin e Daniel Godellit, që e arriti një ditë më parë. Godelli u shpall kampion bote në dy-garësh, në stilin e shkëputjes, dhe nën-kampion bote në stilin e shtytjes.
Gara e Romelës
Gara e Romela Begaj ishte fantastike dhe emocionuese. Ajo deklaroi fillimisht dëshirën për të ngritur 105 kilogram në shkëputje, por duk e parë se disa nga rivalët deklaronin 108 dhe 110 kg, Romela e ngriti kuotën në 110 kilogram, duke dhënë një sinjal të qartë, se futej në garë për të fituar titullin botëror. Në këtë mënyrë, 28-vjeçarja e artë e peshëngritjes shqiptare e nisi garimin kur më shumë se gjysma e baterisë kishte mbyllur konkurrimin me tre tentativat, dhe ishte thjesht fantastike duke realizuar me sukses tentativën e parë me 110 kilogram. Në tentativën e saj të tretë për 113 kilogram, Begaj synonte të siguronte medalje ari, pasi pas asj mbeti për garim vetëm një konkurente nga Tajvani. Begaj ia doli me sukses dhe u shpall kampione bote në shkëputje. Në stilin e shtytjes ajo arriti të ngrinte 127 kilogramë në tentativën e saj të dytë, një provë që i dhuroi disi qetësi pasi arriti të klasifikohej në dy-garësh, megjithatë nuk pati fat në tentativën e tretë dhe Begaj u rendit përfundimisht në vendin e 9-të në. Medalja e artë në këtë stil u fitua nga kinezja Deng Wei, me 142 kilogramë. Kësisoj, edhe në dygarësh, Begaj zbriti në vend të shtatë, megjithatë rëndesi ka fakti që ajo doli e parë në një prej tre garave dhe mori medalje ari, duke nderuar Shqipërinë.
Suksesi i radhës
Botërori i Almatit shënon arritjen madhore të sportit shqiptar dhe në atë të peshëngritjes. Me 369 kilogramët që ngriti në total Godelli vendosi një rekord kombëtar që do të jetë e vështirë për t’u thyer, ashtu si dhe Romela Begaj, dje, me 245 kilogramë. Kampionati Botëror i Peshëngritjes 2014, po mbahet prej 8 nëntorit dhe do të zgjasë deri më 16 nëntor në pallatin e Sportit “Baluan Sholak”, Almaty, të Kazakistanit. Ndërkohë, Shqipëria me dy prej sportistëve të saj, Begaj e Godelli, e ka përmbushur me sukses misioni e saj, në këtë event. Erkand Qerimaj, i cili konsideroi një tjetër faviorit për medalje, për shkak të dëmtimit, nuk mundi dot të arrinte objektivat në këtë aktivitet. Gjithsesi, sportistët e ekipit shqiptar të peshëngritjes do të kthehen krennarë, për emocionet dhe sukseset që shënuan, në këtë event.