Pas incidenteve, Capello: Mali i Zi-Rusi duhet të ishte ndërprerë që në fillim
Dhuna e tifozëve në shkallët e stadiumit i vë një tjetër njollë të zezë futbollit europian pas ngjarjeje të Beogradit, ku u dhunua kombëtarja shqiptare. Dhe ndoshta jo rastësisht episodi i radhës ndodhi në Ballkan, pikërisht në stadiumin e Podgoricës. Ndeshja Mali i Zi – Rusi e vlefshme për grupin G eliminator të Euro 2016 u ndërpre përfundimisht në minutën e 66-të për shkak të hedhjes mjeteve ndezëse në fushë nga e ana e tifozëve vendas, të cilët në fakt e kishin detyruar gjyqtarin e garës që ta ndërpriste përkohësisht takimin ende pa u luajtur një minutë lojë, pasi portieri i Russisë Akinfeev, u godit nga një flakadan i hedhur nga tifozët e vendosur pas portës. Ky episod shkaktoi ndërprerjen e lojës për 35-minuta ndërsa Akinfeev nuk u kthye më në fushë, pasi u dërgua në spital për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mirëpo në minutën e 66’, në momentin kur Shirokov i Rusisë humbi një 11-metërsh, shpërtheu një zënkë në fushë mes futbollistëve të të dyja skuadrave, çka u pasua me hedhjen e mjeteve ndezëse nga tifozët, duke e detyruar arbitrin ta ndërpriste përfundimisht lojën. Për ngjarjen në fjalë trajneri u Rusisë Fabio Capello nuk i kurseu kritikat në drejtim të zyrtarëve të ndeshjes, që sipas tij duhet ta kishin ndërprerë përfundimisht sfidën në momentin e goditjes së Akinfeev. – “Kjo ndeshje nuk duhet të kishte rinisur që kur ndodhi incidenti i parë. Gjithsesi ne e vijuam takimin deri në çastin kur u mor vendimi i duhur për ta ndërprerë përfundimisht. Delegati i UEFA-s ka të drejtë ta ndërpresë sfidën, jo arbitri. Për sa i përket futbollit të luajtur, mendoj se skuadra ime zhvilloi një lojë të mirë, por nuk mundi të shënonte.” Nga ana tjetër trajneri i Malit të Zi Branko Brnovic, u kërkoi falje futbollistëve rusë dhe homologut të tij, Capello, për gjithçka ndodhi në Podgoricë. Sipas tij, vendimi për ta ndërprerë përfundimisht lojën, ishte i drejtë. Tashmë kjo ndeshje do të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, që sipas të gjitha gjasave do të ndëshkojë Malin e Zi duke i dhënë tri pikët në tavolinë Rusisë.