Pas mjekëve dhe infermierëve, nis edhe ‘arratisja’ e farmacistëve nga Shqipëria

Largimi i punonjësve të shëndetësisë drejt vendeve të tjera duket se është kthyer në trend vitet e fundit. Kështu pas largimeve të shumta të mjekëve dhe të infermierëve, kategoria tjetër që largohet është ajo e farmacistëve.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017 janë regjistruar mbi 30 aplikime për largim nga vendi. Këtë fakt e ka bërë publik për televizionin Scan, Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma.

“Në 2015-2016 ka qenë më i vogël si numër, por vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2017 kemi plotësuar mbi 30 aplikime. Nuk do të thotë që janë vetëm 30 persona, janë raste kur këta profesionistë janë futur tashmë tentativave për të gjetur veten profesionalisht në vendet që kanë vajtur”.

Sipas Tomës janë një sërë faktorësh që i detyrojnë këta profesionistë që të braktisin vendin e tyre. Ulja e marzhit të barnave si dhe një sërë faktorësh ligjor kanë sjellë prekjen edhe të sektorit farmaceutik nga largimet në masë të profesionistëve.

“Trajtimi mbi politikat sesi dhe sa duhet vlerësuar përcaktohet te marzhet. Nuk ke një vlerë monetare që buxhetohet nga shteti, por që indirekt rrjedh nga marzhet e tregtimit. Uroj që kjo dëshirë për të vlerësuar saktë profesionistët e shëndetësisë të mos fokusohet në këto dy kategori, pra mjek dhe infermierë, të cilët e meritojnë, por të shtrihet në tër punonjësit e shëndetësisë, pasi sistemi farmaceutik përjeton si problematik mosvlerësimin profesional si sektorët e tjerë të shëndetësisë.”

Në vendin tonë edhe pse funksionimi i tregut farmaceutik është i sanksionuar me ligj ka ende problem pasi nuk ka rregullore për tregun e hapur farmaceutik si dhe për atë spitalor.

SHKARKO APP