Pas Moratoriumit rikthehet fauna e egër
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Divjakë, për Moratoriumin e Gjuetisë:
Më vjen mirë që Ambasadori e mirëpriti ftesën tonë që kishte pikërisht këtë qëllim, që ta shkëpuste nga tensioni artificial i politikës dhe ta sillte pranë natyrës për të shijuar një copëz Shqipërie të mrekullueshme, e cila sot është në një proces rilindjeje që preket me sy, falë një pune të mrekullueshme të bërë nga Ministria e Mjedisit, nga struktura e këtij Parku Kombëtar.
Është një moment i bukur për të bërë një bilanc dhe për të nxjerrë disa mësime të rëndësishme për të ardhmen. Bilancin e thuajse një viti pas vendosjes së moratoriumit dhe mësimin se jo vetëm asgjë nuk është e pamundur, por përkundrazi, së bashku ne mund të bëjmë të mundura gjëra që duken tërësisht të pamundura. E faktikisht, në një vit kemi bërë të mundur një rikthim masiv të specieve të llahtarisura nga papërgjegjshmëria vrastare e njeriut, në këtë zonë dhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Mjaft t’ju them se raporti që Ministria e Mjedisit i vuri në dispozicion Qeverisë, kur ministri i kërkoi Qeverisë mbështetje për këtë Moratorium, fliste për fazanin e shfarosur 100%, nga viti 2001 në vitin 2011; për thëllëzën e malit të shfarosur 70%; për thëllëzën e fushës të shfarosur mbi 70%; për lepurin e shfarosur mbi 50%; edhe vetë dhelpra, me gjithë zgjuarsinë e vetë, siç na e kanë treguar kur kemi qenë të vegjël, nuk i kishte shpëtuar dot këtyre barbarëve dhe ishte shfarosur mbi 30%. Më pak se të tjerët, por prapë shumë, shumë rëndë. Faktikisht, e gjetëm popullatën e faunës së egër në një minimum kritik, aq sa duket padrejtësi t’u thuash të egër këtyre që jetojnë në formën e zogjve dhe të kafshëve të tjera dhe t’u thuash të butë atyre që i vrasin, që janë me dy këmbë, si puna jonë.
Studimet kanë treguar se në Shqipëri strehohen mesatarisht 180 mijë specie që vijnë për të dimëruar. Një shifër që konsiderohet shumë e lartë për sipërfaqet relativisht të vogla ujore që ka Shqipëria në të paktën 5 ligatinat e famshme shqiptare. Ndër të cilat është edhe Karavastaja që së bashku me Nartën, me Shkodrën, Ohrin dhe Prespën e Madhe, që hyjnë në zonat me rëndësi ndërkombëtare, të njohura ndërkombëtarisht për vlerën e tyre në tërësinë e ekosistemit.
Kur e kemi vizituar për herë të parë këtë park, së bashku me Ministrin, kemi takuar këtu një grup të Al Jazeera-s që kishte ardhur për të dhënë lajmin përmes Al Jazeera-s se pelikani kaçurrel u rikthye në një territor ku ia kishin bërë jetën të pamundur. Kjo për të treguar rëndësinë e madhe që ka për botën e qytetëruar ky raport me faunën e egër. Sepse për fat të keq, edhe bota e qytetëruar ka një problem të brendshëm me egërsinë e vet, që shpeshherë është shumë më e egër sesa egërsira më e frikshme e pyllit.
Por përtej kësaj, është shumë e rëndësishme që ne të rrisim ndjeshmërinë e gjithë shoqërisë sonë, për faktin që ky raport me natyrën dhe me faunën e egër është një raport prej të cilit varet drejtpërdrejtë ekonomia jonë, prej të cilit varet drejtpërdrejtë mirëqenia jonë, prej të cilit varet drejtpërdrejtë zhvillimi ynë. Pra, vendosja e moratoriumit është një instrument në funksion të rritjes ekonomike, në funksion të rritjes së mirëqenies, në funksion të nxitjes së zhvillimit. Sepse, banorët e kësaj zone janë dëshmitarë që në kohëra më të qeta, edhe pse në kohëra izolimi për Shqipërinë, ky ishte një territor shumë i vizituar. Ndërkohë që, në kohëra kur duhej të popullohej nga turistë, të cilët janë të dhënë pas natyrës, u popullua nga gjahtarë që erdhën këtu për ta shfarosur faunën e egër dhe praktikisht për ta nxjerrë tërësisht jashtë lojës së zhvillimit këtë territor.
Rezultatet e Moratoriumit janë mbresëlënëse. Unë jam dakord me atë varkëtarin e sekondës së fundit që tha ‘sikur kjo të vazhdojë nja 10 vjet të jetë kështu’. Edhe pse Ministria e Mjedisit e ka përgatitur programin e ri për gjuetinë shumë strikt dhe nga ku përjashtohen në mënyrë kategorike mundësitë për të gjuajtur në zona të mbrojtura, përsëri unë hyj tek ata që besojmë, bashkë me Erjonin kuptohet, që është mirë që gjahtarët ta shtyjnë edhe për ca vite të tjera ëndrrën e tyre për të rifilluar të vrasin shpendët. Sepse, kemi nevojë për një rikuperim të plotë të gjithë kësaj faune të egër. Me gjithë respektin për gjahtarët, që Erjoni e ka, unë them që e kam por në fakt nuk e kam, sepse më duket si një sport pak përtej mundësive për ta kuptuar. Por gjithsesi, formalisht, ne i respektojmë edhe gjahtarët, por nuk duhet të na e marrin për keq nëse jemi në krahun e zogjve dhe nuk jemi në krahun e tyre. Falë moratoriumit, ne kemi një ripërtëritje të ndjeshme. Drejtori dha një shifër, por Ministria e Mjedisit ka një tërësi shifrash shumë inkurajuese për të gjithë territorin e Shqipërisë dhe dua ta rinënvizoj edhe në fund të fjalës, që është shumë e rëndësishme që ne ta shohim gjithë këtë proces të lidhur me ekonominë.
Ju jeni dëshmitarë që në këtë zonë Qeveria po mbështet fuqishëm transformimin urban dhe transformimin e infrastrukturë. Dhe, jo pa arsye. Nuk është thjeshtë nevoja që ka Bashkia e Divjakës për të përmirësuar infrastrukturën e vetë urbane, por është synimi ynë strategjik për ta transformuar gjithë këtë territor, me qendër Bashkinë e Divjakës, në një zonë të fortë zhvillimi ekonomik përmes turizmit, përmes rritjes së prurjes së vizitorëve nga Shqipëria ose nga jashtë Shqipërisë, që do ta zbulojnë pak nga pak, ose rizbulojnë këtë zonë dhe do të kuptojnë se këtu në Shqipëri ne kemi një pasuri kaq të madhe për ta eksploruar së bashku me fëmijët tanë, sa nuk ka nevojë që të marrim rrugë e të ikim jashtë shtetit. Se këtu në Divjakë, këtu në këtë territor, shumë pak kilometra larg Tiranës apo Durrësit e me radhë, gjendet një zonë e mrekullueshme për të kaluar fundjavën me familjen, për të kaluar fundjavën me miqtë dhe për të sjellë edhe miq të huaj dhe për t’u treguar një Shqipëri të bekuar, ashtu siç e bëri Zoti apo Natyra, për ata që nuk besojnë në Zot, si puna e Erjon Braçes.
E fillova falenderimin me Ambasadorin e Amerikës në Shqipëri, dua ta mbyll me “Ambasadorin” e Divjakës në Tiranë, me Erjon Braçen, i cili ka pasur një kontribut absolutisht shumë të rëndësishëm për të bërë të mundur që të kthehet shumë fortë vëmendja e Qeverisë ndaj kësaj zone, ndaj këtij territori, që është një territor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Jo thjesht për sa fola deri tani, por edhe për bujqësinë, për të cilën ne kemi filluar të ndërtojmë një qasje të re për infrastrukturën e prodhimit, – së shpejti fillon një investim i rëndësishëm për unazën e prodhimit bujqësor në zonë, – që do të ripërtërihet tërësisht dhe në tërësi për të mbështetur punësimin real të gjithë kësaj zone.
Duke qenë se pas çdo fjalimi ka duartrokitje, unë do t’ju lutesha shumë që këto duartrokitje të mos ishin për mua, por të ishin për Erjonin.
Shumë faleminderit!
***
Në vetëm një vit nga vendosja e Moratoriumit të Gjuetisë fauna e egër është rigjallëruar ndjeshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Këto konkluzione u bënë të ditura sot gjatë analizës së Ministrisë së Mjedisit, organizuar në Parkun Kombëtar të Divjakës, mbi efektet e deritanishme të këtij Moratoriumi, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu, deputetë të Lushnjës, etj.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka solli në vëmendje skepticizmin që ekzistonte fillimisht për vendosjen e këtij Moratoriumimi, ndërsa theksoi se sot, një vit më pas, rezultatet e arritura janë spektakolare. “Shumëkush e konsideroi të parealizueshëm këtë Moratorium, shumëkush mendoi se do ishte e pamundur të vendosej kontrolli në të gjithë vendin. Në fakt, një vit pas marrjes së vendimit situata është krejt e ndryshuar dhe rezultati është spektakolar. Unë besoj dhe kjo ishte një ndër punët e mira të bëra nga qeveria shqiptare”- tha Koka.
Si deputet i Divjakës, Erion Braçe vlerësoi mbajtjen e këtij premtimi nga Kryeministri, një premtim që ua kish bërë grupimeve shoqërore dhe ambientaliste. Me falenderimin e tij për banorët e zonës dhe vetë gjuetarët, të cilët mbështetën iniciativën e Qeverisë për ndalimin e gjuetisë në një hark 2-vjeçar, Braçe shprehu besimin që ky afat do të shkojë edhe më tutje për t’i dhënë Shqipërisë një pamje natyrale dhe ftuese për të gjithë ata qytetarë, vendas e të huaj, që duan të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. “Do doja të falenderoja banorët e Divjakës, të cilët edhe në periudhat më të errëta, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mjedisin, edhe për parqet kombëtare, e kanë mbrojtur këtë Park Kombëtar, këtë pasuri të madhe kombëtare, natyrisht kanë bërë çmos për të mbrojtur të gjitha gjallesat e tjera të këtij parku. Pra, një falenderim shumë i madh i shkon sot të gjithë banorëve të kësaj zone të cilët kanë mbështetur një iniciativë shumë të madhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e kanë bërë për veten e tyre, por me këtë rast i kanë dhënë një pasuri shumë të madhe Shqipërisë tonë të dashur.
Dua të falenderoj Kryeministrin e vendit, i cili mbajti një premtim të bërë që gjatë kohës që ne ishim në opozitë,” u shpreh deputeti Braçe.
Për ambasadorin Amerikan, Donald Lu, ky Moratorium është një shembull mbresëlënës për mënyrën sesi qeveritë mund të punojnë me banorët vendas në mbrojtjen e ekosistemeve delikate të Shqipërisë. “Zonat bregdetare të Shqipërisë ishin stacioni i fundit për mijëra zogj shtegtarë. Shumë prej tyre janë qëlluar dhe vrarë në shifra të larta prej gjuetarëve vendas e të huaj që patën përfituar nga mungesa e rregullave dhe zbatimi i tyre. Sot, ne shohim sesi natyra e ka rimarrë veten dhe falë Moratoriumit të Gjuetisë këta zogj shtegtarë kanë pasur mundësinë që të zhvillohen sërish në brigjet e vijës bregdetare të bukur të Shqipërisë,” tha Ambasadori Lu.
Studimet tregojnë se në Shqipëri strehohen mesatarisht 180 mijë specie që vijnë për të dimëruar, shifër e lartë kjo për sipërfaqet ujore relativisht të vogla të vendit tonë. 5 ligatinat shqiptare, Karavastaja, Narta, Shkodra, Ohri dhe Prespa e Madhe bëjnë pjesë në ekosistemet e zonave të mbrojtura, me biodiversitet të pasur dhe plotësojnë kriteret për zonat me rëndësi ndërkombë