Pas Ramës me Bashën, edhe Taulant Balla: Pakt me metalurgët për statusin

Pakti i 18 majit mes kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha duket se ka frymëzuar fushatën elektorale që kandidatët socialistë po zhvillojnë në takimet e tyre në bazë.

Një pakt i tillë do të nënshkruhej sot në Elbasan edhe mes nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe punonjësve të Metalurgjikut.

Drejtuesi politik i PS për zgjedhjet e 25 Qershorit Taulant Balla dhe i gjithë grupi i kandidatëve të PS-së u angazhuan sot përpara metalurgëve se do të jenë iniciatorët e depozitimit në Kuvend të një ligji të plotë për statusin e metalurgut dhe të minatorit, ligj i cili, sipas tyre do të konsultohet fillimisht me sindikatat.

“Kam marrë një kërkesë prej disa kohësh nga sindikatat e metalurgëve të Elbasanit dhe do ta filloja me një ndjesë për arsyet pse nuk e kemi një status të plotë, ashtu siç e meritoni të metalurgut. Eshtë tërësisht i merituar po të kemi parasysh vështirësitë e punës. Janë dy shtresa të cilat janë të ndërlidhur me njëra tjetrën, janë shtresa e minatorëve dhe ajo e metalurgëve për të cilët unë sot duhet t’ju them se tashmë që financat po shkojnë drejt një konsolidimi, tashmë që ekonomia e vendit tonë, për shkak të 4 vite shumë të mira qeverisje, unë dua t’ju garantoj që skuadra e deputetëve të Elbasanit është sot para jush për tu zotuar se do të marrë iniciativën për të depozituar në Kuvend një ligj të plotë për statusin e metalurgut dhe të minatorit. Në angazhimin tonë ne do të konsultohemi me sindikatët. Duke qenë se tashmë gjërat duken qartë që pas 25 Qershorit do të kemi një qeveri të drejtuar tërësisht nga PS pa u dashur që timonin ta ndajmë me të tjerë, unë jam shumë i sigurtë që do t’i japim fund një historie pritjeje kaq shumë vjeçare, po të kemi parasysh që statusi i metalurgut dhe ai i minatorit ka të bëjë edhe me ata që sot jnë në punë.
Ne kemi plot punë për të bërë përsa i përket pensioneve të posaçme që përfshijnë në vetvete statusi, por duke nisur nga një situatë e mirë ekonomike që tashmë kemi ne do ta konkludojmë me një trajtim siç e meritoni të dashur metalurgë dhe metalurge.”

Balla u shpreh i bindur se në këtë iniciativë do të ketë mbështetjen e plotë të kryeministrit Rama dhe grupit parlamentar të PS dhe më në fund historia e statusit të minatorëve dhe metalurgëve do të përfundojë.

SHKARKO APP