Paulin Sterkaj: Tom Doshin e mashtruan. Doktor kujdes me mua!

Deputeti shkodran Paulin Sterkaj e quan trillim të organizuar mes deputetit shkodran Tom Doshi dhe ish deputetit të LSI-së Dritan Prifti “komplotin” për vrasjen e deputetit shkodran. Nga foltorja e Kuvendit, Paulin Sterkaj deklaroi se kishte qenë në dijeni të ngjarjes dhe i kishte thënë Tom Doshit të bënte kujdes pasi po e mashtronin. Fillimisht Sterkaj nuk u lejua të fliste nga deputetët e opozitës por më pas u lejua. Sterkaj foli teksa deputetët e PD-së ishin të vendosur para foltores. “T’ia lëmë drejtësisë këtë çështje. Të mos merremi ne. Unë jam i bindur herët për këtë akuzë që ka ngritur Doshi. E kam konsultuar personalisht me të. I kam thënë Tom kujdes se po të përdorin. Nuk e dija se ku do të dilte. Më tha Paolo mu duan të më vrasin. I thashë shikoje mirë se nuk ka askush gjë me ty, që duan të të vrasin. Shife mirë këtë punë sepse të ka dalë nami se ke lekë dhe duan të të mashtrojnë. Por ky s’paska qenë mashtrim por bashkëpunim i ish- drejtorit të KESH, që e them publikisht ne po merremi ditë për ditë për të arkëtuar paret që nuk kanë paguar për 12 vjet. Kur Dritan Prifti rastësisht na doli më i pasuri në Shqipëri. Unë mendoj që parlamenti shqiptar duhet të marrë një nismë për të kontrolluar pasurinë”,- tha Sterkaj. Më pas ai tha “një tufë burrash e grash çohen në mbrojtje të një deputeti, që ka shkuar puna në drejtësi”. Ai shtoi nuk është normale të bllokohet Kuvendit për këto akuza. “Të lutem Jozefinë, kam thënë se kjo situatë kriminale duhet të na shqetësojë ne, në vend që të shqetësohemi për problemet që ka secila zonë marrim përsipër e bëjmë edhe bllokimin e sallës së Kuvendit të mos flasë në Kuvend. Tomën e kam pasur koleg edhe kundërshtar, sepse për fatin keq timin e kam pasur që askush nuk mund të më përdorë. Në 1997 kam qenë komandant i Forcave Speciale dhe të gjithë e dinë qëndrimin që kam mbajtur kundrejt urdhrave të paligjshëm. Hiqni dorë sepse është turp. Si mundet një deputet të bëjë denoncim tek Ministri i Brendshëm, t’i çojë atë që do ekzekutonte deputetin dhe t’i thoshte bëje denoncim, e ai të thoshte jo nuk e bëj sepse është në besën time. Nuk keni shans të përfitoni politikisht sot nga ky qëndrim. Ka njerëz që janë të shqetësuar, kalojeni. Zoti Berisha ju e dini kush jam unë, nuk kam shkelur asnjëherë ligjin. Ti më ke dekoruar me “Shqiponjën e artë” për trimëri dhe kontribut, po ai Paulini jam. Inshallah s’më ke vënë gishtin, se po më vë dorë edhe mua si viktimë është keq puna se ka pasoja”,- tha Paulin Sterkaj.

SHKARKO APP