PBDNJ dhe OMONIA: IKMT vijon represionet ndaj banorëve në Himarë. Ndërkombëtarët të ndërhyjnë
PBDNJ-OMONIA (dega e Himarës) vijon me denoncimin dhe informimin e opinionit ndërkombëtar sesi ajo që PBDNJ i quan “metoda makiaveliste”, duke parashtruar gjoja plane rregulluese dhe zhvilluese shndërrohen në instrumenta për të sfumuar pjesëmarrjen e komuniteteve lokale në përfitimet nga veprimtaria ekonomike e bazuar kjo në të drejtën e tyre historike dhe pronësore në zonë.
“Kërkohet ndërhyrje e menjëherëshme e faktorit ndërkombëtar për të ndaluar veprimet abuzive të Qeverisë dhe segmenteve parashtetërore për të paraprirë acarimit të mëtejshëm, të panevojshëm dhe jo të dobishëm të situatës”- thuhet në deklaratën e përbashkët të PBDNJ-OMONIA, dega e Himarës.
Deklarata e plotë
Hienat e pushtetit të frymëzuara nga retorika nacionaliste e Kryeministrit dhe në procedura legale të dyshimta, të realizuara në bodrumet e këmbimeve okulte të politikës me interesa të errëta ekonomike, i janë mësyer këto ditë dhe për të disatën herë, Himarës.
Jemi të sigurtë, prandaj dhe denoncojmë me forcë se të gjitha ndërhyrjet gjoja urbanizuese apo zhvilluese në thelb kanë terrorizimin me qëllim nënshtrimin dhe asimilimin e popullsive autoktone sipas inskenimeve më të rrezikshme për kohezionin shoqëror të vendit.
Konkretisht dhe nën justifikimin e përhershëm se u thirrën nga organet “kompetente” të bashkiakë, IKMT, po i njëjti organ që rrëzoi me bujë Kishën e Shën Athanasit, por sot nën drejtimin e një force qartazi antihelene, sikundër PDIU, u paraqit dje, e Hënë, 12 Qershor, në zona të Dhërmiut për të dëbuar nga tokat e të parëve të tyre mëse 15 familje autoktone.
Është një akt vandal i motivuar nga subkoshenca nacionale i organeve ekzekutive të shtetit që për vete është nën ndikimet e një Kryeministri totalisht të paragjykuar për popullsitë e atyre trevave, (Minoritetit Etnik Grek ne pergjithesi), historinë dhe destinacionin e tyre.
Njëherësh dhe pavarësisht reagimit të shoqërisë vendase, faktorit ndërkombëtar dhe autoriteteve të pavarura të shtetit për planin e rregullimit të qendrës së Himarës, në shkelje të legjislacionit dhe abuzim me pronat private të banorëve, me pretekstin e krijimit të ambienteve shkollore gjithashtu cënohet pronësia e familjeve aty.
Si në rastin e shembjeve të objekteve ambulante të banorëve të Dhërmiut në Draleo edhe ato të qendrës së Himarës, asnjë njoftim paraprakt dhe mirëkuptim nuk është kërkuar nga qytetarët.
Klima paraelektorale sikundër edhe në të kaluarën përdoret nga segmente të emërtuara tashmë për krijimin e faktit të kryer por edhe për reperkusion hakmarrës ndaj komuniteteve të panënshtruara në planet ogurzeza okulte të pushtetit të Ramës dhe klikës së tij qeverisëse.