PD 16 propozime për buxhetin: Nga koncesionet, tek ulja e taksës për qarkullimin dhe TVSH-së
Partia Demokratike ka propozuar 16 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm. Duke marrë shkasë nga mungesa e investimeve të huaja, demokratët propozojnë ndryshimin e shkallës së Tatim Fitimit në masën e 9% nga 15 që është aktualisht, ndërsa kërkojnë konsensus për rikthimin e taksës së sheshtë prej 10 për qind.
Gjithashtu, opozita propozon uljen e TVSH-së në masën e 15%, teksa kërkon që pragu për biznesin e vogël të jetë 12 mln lekë. Duke theksuar se taksa progresive rëndon shtresën e mesme dhe rrogëtarët, demokratët kërkojnë që kjo nga kjo taksë të përjashtohen pagat deri në 35.000, mbi këtë prag, opozita propozon taksim në masën e 9 %.
Një tjetër propozim i Partisë Demokratike ka të bëjë me koncesionet, duke kërkuar që ato të regjistrohen si borxh publik, deputetja propozuese Jorida Tabaku propozon që tavani për vlerën totale të kontratave koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve, të jetë 40.1% e PBB-së.
Teksa kërkon uljen e taksës së qarkullimit, opozita kërkon gjithashtu që buxheti për arsimin të jetë 5%, ndërsa pensionistët të marrin një shpërblim sa gjysma e pensionit të tyre.
-Amendament për ndryshimin e shkallës së Tatim Fitimit në 9% (Edmond Spaho)
Raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria ka taksa të larta. Barra fiskale në Shqipëri është 37.% dhe ky është një nga shkaqet e largimit të investitorëve të huaj. Dhoma e Tregtisë Shqiptaro-Britanike u kërkoi deputetëve me një letër pak ditë më parë të gjenin konsensus për rikthimin e taksës së sheshtë 10%. PD propozon uljen e normës së tatimit në 9 % nga 15% që është aktualisht Kjo masë lehtëson bizneset, redukton informalitetin, nxit zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, krijon kushte për nxitjen e investimeve të huaja, si dhe përmireson nivelin e jetesës së shqiptarëve.
-Amendament për uljen e TVSH 15 % dhe pragu i TVSH 12 milionë lekë (Nadire Meçorapaj)
Të ardhurat nga TVSH janë ulur këto vite për shkak, kryesisht, të informalitetit dhe rënies së konsumit. Propozohet rishikimi i normës tatimore të T.V.SH. nga 20% ne 15 %, Ulja e TVSH-së dhe ulja e pragut në 12 milionë për Biznesin e Vogël do të japë një efekt të menjëhershëm në rritjen e konsumit dhe do të ndikojë në uljen e informalitetit, i cili nuk zgjidhet duke e goditur biznesin por duke e lehtësuar ate.
-Amendament për uljen e tatimit mbi të ardhurat personale (Fatbardha Kadiu)
Të ardhurat që vijnë nga paga zënë rreth 60% të strukturës së tatimit mbi të ardhurat personale. Kjo tregon se politika e qeverisë për taksën progresive rëndon më shumë tek shtresa e mesme dhe rrogëtarët. Prandaj propozohet përjashtimi nga ky sistem taksimi për të gjitha pagat nën 35.000 lekë dhe ulja e normës e tatimit në 9 (nëntë) për qind për të gjithë pagat mbi 35.000 lekë.
-Amendament për regjistrimin e koncesioneve në borxhin publik (Jorida Tabaku)
FMN kritikoi vendimin e qeverisë për të kryer investime publike nëpërmjet PPV-ve dhe tha se “kjo paraqet rreziqe të konsiderueshme fiskale”. FMN theksoi se “duhet të reflektohet me transparence ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik”. Fshehja e këtij borxhi nga letrat e buxhetit është një tentativë për të maskuar realitetin e borxhit në vend, që në pak vite do të rritet me 7%. Prandaj propozohet që tavani për vlerën totale të kontratave koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve, të jetë 40.1% e PBB-së.
-Amendament për uljen e taksës së qarkullimit (Edmond Spaho)
Për shkak të ndryshimit të taksës së qarkullimit në 2014-ën, të dhënat e GIZ tregojnë se shqiptarët e blejne karburantin më çmim thuajsë të njëjtë me qytetarët e Austrisë dhe Gjermanisë. Për uljen e ndjeshme të çmimit propozohet që taksa e qarkullimit për benzinën dhe gazolin të jetë 7 lekë/litri. Kjo e ul çmimn me 24 lekë/për litër.
-Amendament për rritjen e pagave (Bardh Spahia)
Në programin e qeverisë dhe sipas pohimeve të Edi Ramës, nuk është parashikuar rritje pagash pavarësisht normës së inflacionit. Që rritja e pagave të mos mbetet një akt elektoral i qeverisë, siç ndodhi këtë vit, propozohet që në buxhet të ketë një fond të posacëm prej 2,000 milion lekë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës shtetërore, për të shmangur pasojat e inflacionit.
-Amendament për shpërblimin me gjysmën e pensionit për pensionistët (Bardh Spahia)
Kryeministri premtoi shpërblimin e fundvitit për pensionistët, por nuk e mbajti premtimin e tij. Për të sjellë në vëmendje këtë fakt dhe për t’u ardhur në ndihme pensionistëve propozohet ndryshimi i projektbuxhetit dhe dhënia e shpërblimit të fundvitit për pensionistët në masën e gjysmës së vlerës së pensionit mujor.
-Amendament për arsimin 5% (Bardh Spahia)
Investimet e qeverisë Rama për arsimin janë në rënie të përvitshme. Këtë vit është 2.34% e PBB dhe sipas parashikimeve të kësaj qeverie do të vazhdojë të ulet në 2020 në 2.1%. PD në programin e vet ekonomik dhe me këtë amendament e barazon investimin në arsim më standardet e vendeve të OECD, 5% e PBB.
-Amendament për rritjen e subvencioneve në bujqësi (Edmond Spaho)
Qeveria premtoi në fushatë rritjen e subvencioneve për bujqësinë. Por skema e qeverisë për financimin nuk shkon tek fermeri. Atë e përfiton grosisti. Për t’u ardhur në ndihmë direkte fermerëve nëpërmjet programit “Zhvillimi Rural duke mbështetur prodhimin bujqësor”, propozohet rritja me 1 miliardë lekë e fondit prej 5.2 miliardë.
-Amendament për tekstet falas në arsimin e detyrueshëm (Albana Vokshi)
Raportet e Bankës Botërore thonë se varfëria dhe varfëria ekstreme është rritur në Shqipëri. Kjo ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të braktisjes shkollore. Prandaj propozohet dhënia e teksteve mësimore dhe atyre ndihmëse duke u mbështetur nga një fond prej 1.16 miliardë lekë, rreth 8.5 milionë euro.
-Amendament për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë (Jorida Tabaku)
Shteti u detyrohet ish të përndjekurve rreth 32. 5 miliardë lekë të reja dhe sipas KLSH duhen 16 vjet për të shlyer detyrimet. Pavarësisht propagandës, gjatë 2009-2013 janë dëmshpërblyer më shumë se gjatë 2014-2017. KLSH thotë se qeveria i ka mundësitë për të rritur fondet. Propozimi i PD është rritje me 2.5 miliardë leke për vitin 2018.
-Amendament për mbështetjen e shtresave në nevojë (Bardh Spahiu)
Rritja e taksave, e çmimit të energjisë dhe e çmimeve në përgjithësi, si dhe taksat e reja të 2018-ës prekin të parët qytetarët në nevojë. Për të zbutur efektin e rritjes së taksave dhe kostos së jetesës propozohet që fondi për kompensimin e shtresave në nevojë të rritet me të paktën 20%.
– Amendament për rritjen e buxhetit për Rininë (Romeo Gurakuqi)
Qeveria e ka ulur në minimum mbështetjen për rininë, edhe pse niveli I papunësisë së saj është shumë I lartë. Qeveria ka programuar 1/10 e fondeve të viteve paraardhëse, prandaj opozita kërkon dhjetëfishimin e buxhetit, duke çuar në 700 milion shpenzimet e ministrisë përkatëse dhe detajimin e tyre.
-Amendament për rritjen e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë (Romeo Gurakuqi)
Qeveria ka parashikuar një formulë të re për financimin e bashkive për vitin 2018. Kjo formulë nuk merr parasysh disa tregues që lidhen me varfërinë dhe pabarazinë, që do të thotë më pak investime dhe shërbime vendore për qytetarë. Prandaj, propozohet që transferta e pakushtëzuar të rritet me të paktën me 0,3% të PBB, ose me 5 miliard lekë. Kjo do të siguronte vijimin normal të punës në bashkitë e vendit.
-Amendament për mësuesin ndihmës (Luan Baçi)
Në Shqipëri jo të gjithë fëmijët përfitojnë nga e drejta kushtetuese për arsimin falas. Gjatë këtyre 4 viteve ka patur rritje të ndjeshmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar, atyre të ngujuar në gjakmarrje dhe të shtresave në nevojë, që nuk arrijnë të shkojnë në shkollat nëntë-vjeçare. Statistikat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se raporti mes mësuesve ndihmës dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara është 1 me 11, i pamjaftueshëm për nevojat e kësaj kategorie të veçantë. Ky problem është pjesë ë Arsimit Parauniversitar, por nuk është vënë në zbatim nga qeveria Rama. Propozohet rritja e buxhetit me 3.9 mln lekë për trefishimin e mësuesve në dispozicion të shkollimit të fëmijëve me kushte të vështira, si dhe ngritja e infrastrukturë së përshtatshme për këta mësues.
-Amendament për rritjen e buxhetit të kulturës (Valentina Duka)
Qeveria ka parashikuar për kulturën 0,4 % të PBB, buxheti më i ulët në rajon dhe në Europë. 69 % e këtij buxheti shkon për rroga dhe shpenzime të tjera. Pjesa e mbetur është fare e pamjaftueshme për projekte të mirëfillta kulturore. Propozohet dyfishimi i buxhetit.