PD dorëzon mocionin në Parlament për heqjen e mandatit të deputetit socialist
Grupi Parlamentar i PD dorëzon në Kuvend mocionin për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Deklarata e grupit të PD-së:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Mocionit të 1/10 së deputetëve të Kuvendit, ka kërkuar sot zyrtarisht që Kuvendi të nis procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit.
Nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, z. Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit. Shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k., që janë në pronësi apo bashkëpronësi të deputetit Vullnet Sinaj, përmes vetëm 9 transaksioneve të verifikuara, kanë përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë.
“Shoqëritë e mësipërme kanë vazhduar të jenë në pronësi të deputetit Vullnet Sinaj edhe pas fitimit prej tij të mandatit të deputetit dhe gjithashtu edhe pas emërimit prej tij të dy personave zj. Elona Koshi dhe z. Eduart Koshi si “person i besuar i ortakut të vetëm z. Vullnet Sinaj”, përmes akt-marrëveshjeve të datave 20.07.2017, 29.03.2018 dhe 31.10.2018. Përmes këtyre marrëveshje rezulton se është bërë vetëm transferimi i kuotave dhe jo tjetërsimi i tyre, duke kaluar nga “zotërues aktiv i aksioneve” në “zotërues pasiv i aksioneve” për shkak të caktimit të “një personi të besuar”. “Personi i besuar” siç qartësisht përcaktohet edhe në Akt-marrëveshjet e sipërcituara i ka kaluar vetëm e drejta e vendimmarrjes mbi 100% të kuotave të zotëruara nga deputeti Vullnet Sinaj, me qëllim menaxhimin e përgjithshëm të aktivitetit të shoqërive. Por në asnjë rast, deputeti Vullnet Sinaj nuk humb të drejtën për të marrë fitimet nga shoqëria, sepse kjo jo vetëm buron nga ligji, por përcaktohet qartësisht edhe në pikën 3, të nenit 3 të secilës Akt-Marrëveshje, ku specifikohet: “Z. Vullnet Sinaj, pavarësisht kalimit në zotërues pasiv të kuotave të tij, gëzon në mënyrë individuale të drejtën e përfitimit të fryteve civile të pronësisë që gëzon mbi kuotat e saj në shoqëri, përfitime të cilat do të jenë të pasqyruara hollësisht në Pasqyrat Financiare të shoqërisë, por në çdo rast, nuk mund të ushtrojë asnjë veprim tjetër civil mbi këtë pasuri”.” – thuhet në Mocionin e firmosur nga deputetët e opozitës.
Në Mocion evidentohet edhe fakti se fillimisht në Akt-Marrëveshjen e datës 20.07.2017, deputeti Sinaj parashikonte shprehimisht në pikën 8, të nenit 3, se: “Shoqëria nuk do të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre, me qëllim zbatimin me korrektësi të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Më tej, një ndalim i tillë është hequr nga përmbajtja e Akt-Marrëveshjeve të datave 29.03.2018 dhe 31.10.2018, duke i lejuar në këtë mënyrë, në kundërshtim me Kushtetutën, që shoqëritë në pronësi të tij, të përfitojnë duke filluar nga viti 2019, të ardhura nga Buxheti i Shtetit dhe deputeti Sinaj të marrë të ardhura të tjera, përveç pagës, nga fitimi i kompanive të tij nga të ardhurat e shtetit.
Pronësia mbi këto shoqëri dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga Deklaratat Vjetore të deklarimit të pasurisë për subjektin Vullnet Sinaj. Nga ana jonë, janë marrë në analizë deklaratat e viteve 2017 (fillimi i detyrës), 2017, 2018, 2019, 2020 dhe 2022, të cilat janë publike, nga ku deputeti deklaron pronësinë mbi këto shoqëri dhe deklaron si të ardhura fitimet e këtyre shoqërive, përmes marrjes së dividentit në përputhje me kuotat që zotëron në secilën kompani.
“Për rrjedhojë, Kuvendi i Shqipërisë, në respekt të detyrimeve që rrjedhin nga neni 70, pika 4, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 119/1, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duhet të vendos për dërgimin e mocionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.” – thuhet në kërkesën e 14 deputetëve.