PD e LSI braktis mbledhjen, Këshilli Bashkiak voton vendimet në ndihmë të shtresave në nevojë
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur ditën e sotme për të miratuar një sërë vendimesh që u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë. Kreu i Këshillit, Aldrin Dalipi u kërkoi këshilltarëve që tregojnë kujdes kur u flasin qytetarëve për projektet e Bashkisë, duke mos i keqinformuar ata.
Por këshilltarët e PD dhe LSI kanë reaguar e më pas kanë braktisur mbledhjen e Këshillit.
“I qëndrojmë vendimit për të lënë sallën 6 këshilltarët me mandate të pavlefshme. Nëse do të votojmë vendimet me 6 mandatet që kemi kërkuar të lënë sallën, atëherë vendimet nuk janë të vlefshme”, u shprehën këshilltarët e LSI.
Pas kësaj, mbledhja ka vijuar me këshilltarët e majtë, të cilët kanë votuar projektvendimin mbi dhënien e ndihmës ekonomike për 3545 familje në kryeqytet, ndërmjet të cilëve personat me statusin e jetimit, viktima të dhunës në familje, individë viktima të trafikimit apo edhe familjet me shumë fëmijë.
Një tjetër vendim i miratuar është kompensimi i energjisë elektrike për kategoritë në nevojë. Më konkretisht individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik që kanë nevojë për kujdestarë, u jepet kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në muaj. Individëve përfitues të statusit të të verbrit, që kanë nevojë për kujdestarë, u jepet kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në muaj. Ndërsa për individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik dhe individëve përfitues të statusit të të verbrit, të cilët nuk kanë nevojë për kujdestarë, pritet t’u jepet një kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 1400 lekë në muaj.
Kategoritë të tjera që përfitojnë kompensim për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri 300 kwh në muaj janë: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë. Kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.
Gjithashtu Këshilli Bashkiak do të miratojë dhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e Njësive Administrative nën administrimin e Bashkisë Tiranë.