PD është katandisur si “Ushtria e Duçes” në dyzet e treshin

Nga Fejzo Subashi/Pergjegjësia e Bashës, për humbjen në zgjedhjet e 25 Qershorit, jo vetem që nuk diskutohet, apo vihet më në mëdyshje, por e keqja është së Partia Demokratike u katandis pas kësaj beteje si “ushtria e Duçes” në fund të Luftës së Dytë Botërore… Nuk është vetëm faj, por dhe përgjegjësi e Lul Bashës për humbjen e madhe, pasi ai është katandisur si tek roli i “Danes”, në filmin “Shkëlqimi i Përkohshëm” te Kinostudios Shqipëria e Re. Sot, edhe sikur Lul Bashën ta heqim, apo të dorëhiqet vetë me lojën ngriva-shkriva, apo ta marrim dhe ta “ekzekutojmë”, në mes të Tiranës tek Sheshi Skënderbe, të cilin Rilindja e përuroi para ca ditësh, nuk besoj se rregullojmë, apo përgatisim për fitore të reja elektorale PD-në, por thjeshtë u bëjmë qejfin mocionistëve të shumtë, të cilët sot kërkojnë kokën e “Danes” me ulërimat pa kufi, se u dhimbset PD-ja. Realisht, humbja e PD-së, është shumë e rëndë dhe e pa suportueshme, jo vetëm për anëtarësinë e kësaj force politike, por për qytetarët, opinion dhe klasën politike Shqiptare. Kjo gjëndje ku ndodhet sot PD-ja, kërkon një analizë e thellë, të nxirren shkaqet dhe arsyet e kësaj situate, duke u analizuar të gjitha hapat që nga Qershori i 2013, ku secili të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, që nga funksionari më i thjeshtë e deri të “Danja”…

Natyrisht, në analizën time, unë nuk do qëndroj thjeshtë te shkaqet kryesore për situatën ku ndodhet sot PD-ja, apo që ka autor dhe përgjegjës të vetëm Lul Bashën. Lista e servirur nga Basha, në arenën e fushës së betejës elektorale, linte shumë për të dëshiruar… E keqja më e madhe brenda radhëve të PD-së ishte se: Për ta, Basha jo vetëm që nuk e kthente, por nuk jepte shpresë e besim tek anëtarësia, se “Danja” nuk mund të merrte fatet e vendit e të mund ti jepte zgjidhje halleve e shqetësimeve të konstatuara edhe nga vetë ai. Natyrisht, “krasitja” që i bëri ai armatës së uzurpuesve të kësaj force deri më dje, apo sjellja e “fidanëve të rinj”, qe shumë e domosdoshme, pse jo dhe historike për PD-në dhe vetë Lul Bashën. Këtë veprim, iniciativë, personalisht do e përshëndesja, përgëzoja dhe mbështesja, pasi vërtet është domosdoshmëri dhe nevojë jo vetëm për këtë forcë politike, por për gjithë klasën politike Shqiptare. Të ndërrosh kastën e vjetër apo të realizosh rotacionin e figurave dhe personaliteteve të një force politike, natyrisht përveç risive, ka edhe kosto politike, ashtu siç ka edhe mjaft risi dhe benefite, për progres dhe të ardhmen e forcës e klasës politike.  Nëse prurjet e reja apo kur në këtë rotacion, sjellë “fidanë, apo bostan të shartuar në kunguj”, me performanca, aftësi e eksperienca disa herë më keq sesa ata që largon, kjo jo vetëm që nuk sjellë risi e pozitivitet, por sjell kosto politike për forcën politike, për vetë liderët dhe vendin. Pra, nuk është ndonjë hata e madhe, të mos vendosësh në listë Topallin, Boden, Patozin etj, por kur i zëvendëson apo sjell figura shumë herë më të dobët se këta apo me individë që nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, është për të të ardhur keq e për të vënë kujën, pasi ka mjaft figura dhe intelektualë në PD, personalitete te fushave të ndryshme, njerëz të spikatur që gëzojnë respekt dhe i kanë dhënë shpirtin PD-së. Por, ai nuk përfshiu në këtë listë, mjaft bashkëpunëtor të afërt të tij, individë me virtyte dhe me shumë vlera. Në këtë listë, nuk ju dha hapësira krerëve të forumit Rinor të PD-së, për të cilët është analizuar e diskutuar gjatë në emisionet televizive gjatë fushatës, ku ne argumentuam e shpjeguam arsyet tona se përse Basha nuk i kandidon, megjithëse e meritonin të ishin pjesë e legjislativit, pasi kishin performancën dhe staturën, aftësitë, kualifikimin e formimin, që do të ishte vlerë e shtuar për Parlamentin Shqiptar. Zhgënjimi nuk ishte vetëm për ata, por për të gjithë anëtarësinë dhe elektoratin Shqiptar.  Natyrisht, gjatë kësaj fushate, Basha nuk pati mbështetjen e duhur mediatike, por edhe sjellja dhe veprimi i tij në media, nuk ishte ai që duhet dhe është frytdhënës në fushata elektorale. Lidhur me këtë fakt, ai jo vetëm që nuk krijoi raporte bashkëpunimi e afrimiteti, por shpesh i shikonte si “dele të zeza”, ndërsa në lidhje me ofrimin e përfaqësuesve të medias për ti pasur pjesë të ligjvënësit, as që bëhet fjalë… Ai, “abuzoi” në lidhje me strukturat dhe degët e PD-së në rrethe dhe qarqe, të cilët jo vetëm që i shfrytëzoi dhe i strapacoi për tre muaj në çadër, por as nuk i dëgjoi, aq sa dhe si duhet, në lidhje me listat. Më keq akoma, nënvleftësoi riorganizimin e tyre, jo vetëm në kohë dhe hapësirë, por edhe në cilësi, aq sa në disa qarqe apo rrethe, hyri në fushatë duke anashkaluar apo pa krerët e strukturave të PD-së së rrethit. Po kështu, shpesh herë raportet dhe lidhjet me krerët dhe strukturat nëpër rrethe herë i ndërmerrte vetë, dhe herë ua linte koordinatorëve, gjë e cila sillte shpesh konfuzion dhe pasiguri. Një tjetër arsye, ishte raporti i Bashës me ndërkombëtarët dhe organizmat ndërkombëtare, aq sa, hera-herës, të krijonte përshtypjen se Basha u kishte vendosur kufirin te thana. Kulmin e këtij kufiri, e tregoi marrëveshja e ofruar nga ndërkombëtaret për realizimin e objektivave dhe kushteve të vendosura në çadrën e lirisë, ku refuzimi dhe “kryeneçësija” e tij, solli dhe krijoi situata kaotike për PD-në, ndërsa si finale solli marrëveshjen me Ramën, që sipas shprehjes popullore “U mbars mali, e polli një mi”. Në fakt, produkti thuajse ishte i njëjtë me atë të ofruar nga ndërkombëtarët, por që u pranua pas “shkeljes së syrit” nga Rama, prandaj për këtë arsye, mendoj se do mbetet gjatë në histori si marrëveshja Rama—Basha. Natyrisht, pas Marrëveshjesë së 17-18 Majit të 2017, Bashës i ranë shumë kreditet, pasi ende sot e kësaj dite, kjo marrëveshje nuk është bërë publike, u shfrytëzua dhe i dha më shumë fryte Ramës, sesa Bashës, ku ai jo vetëm lëshoi shumë nga çfarë kishte kërkuar në çadër, por ra “viktimë” në shumë e shumë kërkesa, por mbi të gjitha humbi jo vetëm mbështetjen e aleatet, por paralizoi dhe demoralizoi anëtarësinë e PD-së.

Një shkak tjetër i dështimit të PD-së, kishte të bënte me marrëdhëniet me aleatet dhe LSI-në, pasi ende nuk është kuptuar qëllimi, objektivi dhe sjellja e tij, ku as aleatet dhe as LSI-ja, nuk e morën vesh jo vetëm qëndrimin dhe sjelljen, por se çfarë kërkonte realisht ai nga këta. Për këtë arsye, ai jo vetëm që nuk mori mbështetjen e tyre e ata nuk u përfshinë në fushatë, por u mjaftuan me “ishalla i këputet ndonjë gjë dashit”, meqenëse i tunden shumë… Një gabim i madh ishte slogani i tij, “Për një Republikë të Re”, pasi ai nuk shpjegoi për asnjë moment se çfarë kërkonte, kuptonte apo donte të thoshte me Republikë të Re. Ai për asnjë cast nuk sqaroi se çfarë formati dhe forme do kishte kjo Republikë e Re, do ndryshonte nga Parlamentare në Presidenciale, apo në perandori e mbretëri…

Sipas procesit dhe formulës së zgjedhjeve, pritej qeveri e re me elementë të rinj në tempullin e ligjvënies, ndërsa ai kërkoi të sillte apo të ofronte figura të reja, të cilat nuk i promovoi, prezantoi apo pasqyroi si të tillë në media dhe tubime elektorale. Sigurisht, që këto arsye nuk i kam konstatuar dhe thënë vetëm unë, por i kanë konstatuar votuesit shqiptar, qytetarët e thjeshtë, anëtarët e PD-së si dhe gazetarë e analistë të shumë mediave. Por, përveç këtyre, ka dhe shumë shkaqe e arsye që jo vetëm e çuan PD-në në këtë situatë, por e katandisën si “ushtria e Duçes “ në vitin 43. Gjithashtu, ka dhe shkaqe e arsye të tjera, që nuk janë “Gjynahet e Danes”, por të individëve e figurave drejtuesve në strukturat e PD-së si:

Një shkak tjetër është figura “emblemë” e Berishës, ku me rolin, sjelljen dhe rëndësinë e tij në PD, të jep përshtypjen sikur ai e ka PD-në dhe Lulin ne dorë, ku mund ti shtrydhë si limon, apo mund të sillet me ta si të dojë… Herë-herë, Luli të jepte përshtypjen sikur edhe frymëmarrjen e merrte kur i thoshte e urdhëronte Berisha, ndërsa në momentet e fundit, ai e lëshoi, e hodhi, sikur donte ti thoshte, tani “bjeri detit në këmbë”…Një arsye tjetër e humbjes së PD-së, qe mungesa e mbështetësve të mjaftë “ishëve” drejtues të niveleve të para dhe të dyta, të cilët jo vetëm që e volën mirë e mirë, mesa mundën dhe si mundën PD-në, duke ja ulur imazhin, por nuk u angazhuan e nuk morën përgjegjësi në fushatë, ndërsa sot i shikon ti hakërrehen, të ulërasin e të bërtasin, se fajin e ka Luli… Pra, Luli ishte si Gjenerali i vetëm në një betejë të madhe, ku i munguan jo vetëm kapterët, por edhe ushtarët, se për kolonelë dhe majorë as që bëhet fjalë…

Një arsye shumë domethënëse ishte se shumica e mocionistve, të cilët si të pa kënaqur nga mos përfshirja në lista, e shikonin fushatën nga hotelet dhe motelet luksoze brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa sot, iu “dhimbset” dhe iu “ther” në shpirt e zëmër situata e PD-së, por harrojnë se asnjë herë nuk i kërkuan të paktën falje anëtarësisë dhe elektoratit Shqiptar, për bëmat dhe sjelljet e tyre prej bajraktari, ku nuk lanë gjë pa fut në xhepat e tyre, nuk lanë soj e sorollop me tesera e pa tesera, me diploma e pa diploma, pa e bërë pjesë të administratës. Ndaj, PD-ja është katandisur e shpartalluar si “ushtria e Duçes”, ku nuk ka “qen e mace” ku ta kapi. Po kështu, ajo nuk mund të organizohet dhe as të përgatitet për garë, nëse secili prej antarëve që ka mbajtur edhe postin më të vogël në struktura e forumet e PD-se, nuk nxjerr përgjegjësitë që i takojnë, nëse nuk vë interesat dhe idealin e PD-së mbi interesat dhe benefitet personale, nëse nuk i vënë shpatullat punës për të komunikuar e bashkëpunuar me elektoratin. Nuk mund të kemi kurrë një PD dinjitoze, progresiste, që të marrë mbi vete fatet dhe përgjegjësitë e kombit, pavarësisht thirrjes dashamirëse të Besnik Mustafajit apo të ndonjë intelektuali tjetër, ne qoftë se nuk i kthehemi idealit të vitit 90, nuk i kthehemi dhe u referohemi atyre që realisht sakrifikuan jetën për demokracinë e vërtetë.

SHKARKO APP