PD “është mat” në Durrës pa PR dhe Agron Dukën

 

Nga Zef Shtjefni

PD-ja po ia dorëzon PS-së Tiranën dhe mbase është kjo arsyeja që ka kaq shumë dilemë për t’i lëshuar edhe Durrësin republikanëve. Mos përfaqësimi direkt në dy qytetet më të mëdha të vendit duket e rëndë për demokratët. Por në fakt Tiranën e kanë humbur vetë, me atë performacë skandaloze pune, thjeshtë duke e amortizuar Kryeqytetin dhe duke i humbur katër vite atij. Krahas kioskizimit të rrugëve dhe parqeve të kryetarëve të mëparshëm demokratë, Basha i shtoi biografisë qeverisëse të PD-së në Tiranën edhe gropat e shtuara të rrugëve, semaforët e prishur, koshat e plehrave të kthyer në grumbuj teneqeje dhe lejet e ndërtimit në çdo park të mundshëm, deri poshtë Digës së Liqenit Artificial. Në Durrës, kësaj radhe në fakt demokratët i kishin mundësitë më të mëdha, sepse Dako sido që të ketë punuar, është konsumuar në dy mandate radhazi. Por republikanët i kanë zënë mat ata me Agron Dukën. E them këtë, sepse nëse bën vaki që demokratët nuk e pranojnë Dukën si kandidatin e tyre, mundësia më e madhe është që t’ia dhurojnë edhe një mandat tjetër Bashkinë e Durrësit socialistit Dako. Është shumë i thjeshtë ky hesap. Po nuk u dhanë Durrësin, republikanët tashmë dukën të vendosur që të dalin vetëm në zgjedhje. Kështu, humbja për PD-në do të ishte e pashmangshme. PR-ja ka qenë i vetmi aleat besnik i PD-së gjatë këtyre 24 viteve. Humbja dhe e këtij aleati do të kishte kosto politike të madhe për demokratët, jo vetëm për Durrësin, por në gjithë Shqipërinë. Republikanët me Dukën ndjehen të fortë në Durrës dhe këtë e vërtetuan në zgjedhjet e përgjithshme. Nëse ata dalin të vetëm, mbase i kanë mundësitë edhe të fitojnë. Por edhe nëse nuk fitojnë, të paktën mbi 30% të votave i marrin me siguri. Këto vota, më së shumti ata do t’ia marrin të djathtës. Kështu automatikisht Dako i PS-së do të fitonte mandatin e tretë. Socialistëve sigurisht kjo skema e prishjes së republikanëve me demokratët do t’u interesonte shumë. Por çudia është pse nuk e kuptojnë këtë situatë demokratët dhe pse e kanë aq të vështirë ta pranojnë Agron Dukën si kandidatin e tyre në Durrës!

Do të ishte normale ndërrimi i pushteteve në Durrës, pas tetë vitesh qeverisje nga e majta. Por humbja apo dorëzimi i Tiranës dhe lëshimi i Durrësit aleatëve republikanë, mbase u duket sikur po e humbasin edhe këtë qytet të madh. Por dhe firoja për së treti herë, do të ishte fuqi e tepruar edhe për mazhorancën qeverisëse. Duka është një kandidat i fortë dhe i vështirë për t’u mundur, thonë të gjitha testet e sondazheve paraprake. Ai ka ambicie për punën, dhe e ka treguar këtë në të gjitha sipërmarrjet e tij, por dhe në detyrat shtetërore që ka pasur. Nëse demokratët do të donin një kandidat servil, i cili do të dije të thotë: “urdhëro, si urdhëron”, atëherë nuk e kanë keq që nuk e duan Dukën. Por nëse duan një njeri të punës, që me siguri do t’i përkushtohej qytetit të tij, atëherë nuk e kuptoj pse nuk e duan, apo pse janë në dilemë për të! Mbase nuk i le Berisha! Me Dukën, si kandidat të përbashkët, koalicioni i djathtë do të futej në garë me një besueshmëri dhe mundësi shumë të madhe për fitore. Duka është një nga ata kandidatë që do marrë shumë vota edhe majtas. Ndaj, si do që të ndodhë, beteja për Durrësin do të bëhet shumë interesante. Këto ditë e majta e ka rikonfirmuar Dakon si “Herkulin” e saj atje. Ndërsa të djathtët janë akoma në dilemë! Nëse duan ta qeverisin edhe Durrësin si Basha Tiranën këto katër vite, bëjnë mirë që ta provojnë forcën vetëm, se me siguri do të provojnë shijen e humbjes. E them këtë sepse kam bindje të plotë se po nuk pranuan Dukën si kandidat të përbashkët, PD-ja është e “zënë mat” në Durrës dhe po ia ridorëzon edhe qendren e dytë më të rëndësishme të vendit, PS-së. 

SHKARKO APP