PD kërkon përjashtimin e Ballës 10 ditë nga Kuvendi. Ironizon kreu i grupit parlamentar të PS
Grupi Parlamentar i PD-së i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla.
“Në seancën e datës 06.11.2025, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së
Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës.
Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshinë fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, ku specifikohet se: “1. Masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhelose në seancë plenare deri në 10 ditë” i jepet deputetit: a) kur edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesi i seancës/mbledhjes, bën thirrje për përdorim dhune, pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare/ mbledhjes së komisionit, shkakton kaos në seancë plenare komision, fyen, kërcënon ose dhunon deputetët e tjerë, drejtuesin e seancës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ftuarit ose persona të tjerë, apo përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës, Kryeministrin ose institucione të tjera shtetërore”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD-së.
I menjëherëshëm ka qenë edhe reagimi i Ballës, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan:
“Grupi Parlamentar i PD paska kërkuar të verifikohet nëse shprehja “ne nuk lehim” është metaforë apo sarkazmë. Ky qenka revolucion etik, kur kërkesa vjen prej tyre. Lajm i mirë! Megjithatë për sqarim përgjigja është tek shprehja popullore: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”.
KOHA JONË SONDAZH

