PD po bën miting kundër Metës, apo kundër vetes?
Nga Zef Shtjefni
Nuk e di se me çfarë morali e organizojnë mitingun kundër Metës berishianët e PD-së kësaj here. Tre vite më parë mblodhën gjithë forcat dhe energjitë e Partisë, të Qeverisë dhe të Pushtetit të tyre për ta mbrojtur Metën. Tani i mbledhin për ta rrëzuar. Sigurisht, nuk e kishin e as nuk e kanë aspak hallin tek pastërtia e Meta, por te LSI-ja e tij, me të cilën kishin të lidhur ekzistencën e tyre në pushtet dje dhe kanë të lidhur ekzistencën e tyre në opozitë sot. Ky miting kundër Metës është një pasqyrë perfekte e hipokrizisë, e imoralitetit politik. Kur je me Sali Berishën, këta të bëjnë hero. Kur je kundër Sali Berishës, të bëjnë kriminel. Nuk është se nuk e njohin këtë strategji berishiane shqiptarët, sepse na e kanë vërtetuar me qindra herë dhe në sa e sa raste të tjera të ngjashme. Por e veçanta kësaj radhe qëndron në faktin se nuk po e bëjnë heshturazi, apo vetëm nëpër media e në foltoren e parlamentit, ku sa e sa herë kanë pështyrë e lëpirë. Por po organizojnë një miting të madh, për të kopjuar socialistët, apo për t’u hakmarrë ndaj tyre. Nëse ju kujtohet, Berisha dhe PD-ja e mbrojtën me të gjitha mjetet Metën para pak vitesh, kur e kishin pushtetin së bashku. Këto marifete i ka bërë dhe e bën PS-ja. I ka bërë dhe i bën PD-ja. I kanë bërë dhe i bëjnë të gjitha partitë pa përjashtim. Por në ndryshim nga partitë e tjera, PD-ja i fut duart shumë thellë jo vetëm në xhepat e bizneseve, por dhe në ato të shtetit. Ama, Berisha, si mjeshtër i madh i hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, këto punë i bën pa lënë gjurmë. Është fare e lehte që në sistemin qeverisjes së rrumpallës, që ngriti Ai në këtë vend, të caktosh fituesit e çdo tenderi apo çdo reklame dhe të marrësh përqindjen e tyre. Është fare e thjeshtë të fitosh sa të dush para me firmën tënde kur je Kryeministër. Ashtu siç është fare e thjeshtë të vjedhësh rrush, kur të kanë besuar si roje vreshti. Ai nuk e kupton se për këto u dënua në zgjedhjet e qershorit të kaluar, edhe pse Prokuroria nuk ka ende guxim t’i thotë gjë. Edhe Luli nuk e kupton se për këto e të tjera më keq se këto do të dënohet nga populli në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, dhe po të kishim drejtësinë në binarë, mund të rrezikonte edhe më shumë për të gjitha akuzat e shumta që i janë bërë në çdo karrige pushteti, të cilat ka ndërruar si mbreti gratë. Kauza e PD-së për të organizuar miting kundër Metës, nuk bëhet për të sulmuar apo për të rrëzuar Ilir Metën personalisht. Ai do të jetë një miting, si gjithë mitingjet e tjerë që bën Sali Berishës, për të provuar që të rimarrë me dhunë pushtetin, të cilin populli ia hoqi me votë fshikulluese. Jam i bindur se po t’i duhet prapë Meta nesër, do të gjejë një pretekst të ri për ta mbrojtur. PD-ja e Berishës ka frikë nga vota e popullit, sepse e ka dhunuar sistematikisht atë. Gjithashtu, Ajo e di mirë se me këtë lloj opozitarizmi destruktiv, që shpesh kalon deri në antishqiptarizëm, me këtë lloj drejtimi e administrimi që po i bën Bashkisë së Tiranës dhe bashkive të tjera në vend, do të ndëshkohet rëndë edhe në zgjedhjet lokale. Berisha po luan çdo kartë, që të shmangë dhe të mos përballet me votën paqësore të shqiptarëve. Nuk e dimë se me çfarë skenari do të veprojnë në mitingun e së enjtes berishianët. Por është e qartë se vijnë për të kërkuar një pretekst për të bërë dhunë, për t’u hakmarrë për 21 janarin e për t’u rikthyer në ato dy godina përmes forcës. Nuk e dimë gjithashtu nëse përballë do të gjejnë policë të armatosur, apo prapë ato gratë e vajzat e brishta, me uniforma policie të hekurosura. Sigurisht, Berisha do të preferonte të parët. Do të preferonte që dhe Rama e Meta të ishin brenda atyre zyrave, të veshur me antiplumb dhe kallash në dorë, si ai dhe Luli me 21 janar. Nuk ka faj, sepse Ai e percepton pushtetin si pronë e personave dhe opozitarizmin si hasmëri e hakmarrje. Po të isha unë në vend të Ramës, as ato gratë e vajzat nuk do i lija aty, se ç’taksiratë kanë dhe ato të shkretat që t’i shajnë me fjalë të ndyra. Nëse prishin e rrënojnë, siç e kanë zakon protestuesit, do bëja çmos t’i mblidhja natën, si cjeptë në vathë, gjithë dhunuesit e institucioneve dhe gjithë organizatorët e tyre. Mitingjet e dhunshme, përfshirë dhe atë të 21 janarit, i kanë sjellë gjithmonë dëm vetëm popullit e vendit tonë dhe asnjëherë politikës e politikanëve protagonistë në to. Të mos harrojmë se dhe në mitingun e 21 janarit, me ligj, policët kishin të drejtë të gjuanin mbi këdo që u thyente derën e hynte brenda rrethimit apo brenda godinës dhe që shkatërronte zyrat e Qeverisë. Ato pasuri janë të gjithë popullit dhe jo vetëm të atyre pak militantëve, që sillën aty për qëllime politike. 21 janarin e bën të rëndë vrasja e njerëzve paqësor në mes të bulevardit, e bën të rëndë dhe të dënueshëm ligjërisht fshehja e gjurmëve të krimit, siç janë manipulimi i armëve, zhdukja provave dhe filmimeve brenda institucionit. E bën të rëndë kundërshtimi e moszbatimi i urdhrave të arrestimeve të Kryeprokurores së Përgjithshme të Republikës nga ish-Kryeministri etj. Ka dhe një handikap tjetër të madh ligjor kauza dhe organizimi i këtij mitingu, që i bie mbi kokë PD-së. Çështja për të cilën Ajo do të protestojë, sapo është futur në duart e Prokurorisë. Nuk jam absolutisht pro edhe të takimit të Ministrit Tahiri me të arrestuarin, pasi nuk është kjo puna e tij. Por Kryeprokurorin dhe thuajse të gjithë prokurorët dhe gjykatësit i ka emëruar Sali Berisha. Ka të tijin dhe Kryetarin e Këshillit të lartë të Drejtësisë. Ndaj, pyes: mos është ky një miting për të influencuar politikisht mbi hetimet dhe gjykimin e kësaj merimange apo tymnaje kriminale?!