PE: Greqia mbetet në euro
Nga Kujtim Vani
Kreu i Parlamentit Europian Martin Schulz shprehet se Greqia do tw mbetet në euro dhe “porta e spekulimit në kurriz të monedhës së përbashkët mbyllet”. “Ndjesia ime është se do të kemi marrëveshje me Greqinë brenda javës. Duhet të finalizohen negociatat. Ekziston një marrëveshje në parim në kuadër të Eurogrupit. Greqia nduhet të paraqesë propozimet për reformat, për kornizën e investimeve të vendit dhe ripërtëritjen e ekonomisë. Koha është tani, nuk mund të presim që të përfundojmë në kompromis. Jemi në fazën e fundit të negociatave. Nevojitemi një zgjidhje para fundit të muajit”. I pyetur në vazhdim se nëse dhe sa duhet të përgatitet BE për mundësinë e daljes së Greqisë nga zona e euros, Schulz, nënvizon: “Jo. Nëse doni që dikush të qëndrojë në familje, nuk bëni studime lidhur me një dalje të mundshme. Po punojmë fort që ta mbajmë Greqinë në euro. Dua të ndihmoj qeverinë greke, cilado qoftë ajo qeveri, që të qëndrojë në eurozonë. Sepse spekulimi në kurriz të euros është dëshmuar veçanërisht i dëmshëm. Vija është e thjeshtë: Greqia mbetet në euro dhe porta e spekulimit në kurriz të monedhës së përbashkët mbyllet”.
Të enjten, takimi i pesëshes në Bruksel
Të enjten në ora 21,00 do të realizohet takimi pesëpalësh në kuadër të samitit të Bashkimit Europian, sipas burimeve të mirinformuara. Takimi u kërkua nga kryeministri Aleksis Cipras, gjatë një bisede telefonike me kryetarin e Këshillit të BE, Donald Tusk. Sipas të njëjtave burime, në takim do të marrin pjesë përveç kryeministrit grek, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Francois Hollande, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Cleude Juncker, kryetari i Këshillit të BE Donald Tusk dhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.
Merkel: Do të bëjmë të gjitha përpjekjet në bisedimet me Greqinë
“Gjermania duhet të jetë gjithmonë një vend që nuk le pa bërë asnjë përpjekje”, sillet të ketë deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të CDU/CSU. Merkel iu referua bisedimeve me Athinën, që i përshkroi si “të vështira” dhe rezultatin e tyre si “të hapur”. Sipas burimeve që u referohet agjencia gjermane e lajmeve, dpa, zonja Merkel i ka ulur pritshmëritë prej takimit që do të ketë të hënën me kryeministrin grek Aleksis Cipras në Berlin, duke nënvizuar se takimi i programuar “nuk e zëvendëson inspektimin e problemeve ekonomike të Greqisë dhe të reformave nga trojka ndërkombëtare”. Merkel shtoi se, deri tani, progresi në Athinë është i kufizuar.
APELI
Lagarde: Greqia duhet të realizojë reformat strukturore
Greqia duhet të realizojë reformat strukturore, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, në emër edhe të kreditorëve të tjerë të vendit, që kërkojnë zbatimin e reformave në këmbim të likuiditetit, sipas agjencisë Reuters. Lagarde, që po realizon një vizitë dyditore në Indi, nënvizoi se i kupton vështirësitë për taksapaguesit, mirëpo shtoi, vendi duhet të reduktojë deficitin e vet fiskal. “E di se sa e vështirë ishte për popullin grek dhe posaçërisht për njerëzit që paguajnë taksat e tyre dhe sidomos ata që janë transparentë”, deklaroi Lagarde dhe shtoi: “Mirëpo e ndjej gjithashtu fuqishëm se ekonomia duhet të transformohet, se duhet të ketë reforma strukturore, se sistemi i sigurimeve shoqërore duhet të stabilizohet dhe të financohet plotësisht, pasi nuk mund të marrësh huara pa fund”.