Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shtuar dy klasa mësimore për pacientët e vegjël

Prej muajit prill të këtij viti në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë shtuar dy klasa mësimore, ku pacientët e vegjël mund të zhvillojnë orë mësimore dhe argëtuese çdo ditë.

Aktualisht në këto klasa, mësimi u është besuar dy mësueseve, Rajmonda Çela dhe Dhurata Myrtollari, të cilat me përkushtimin shumëvjeçar dhe didaktikën mësimore, u gjenden pranë të vegjëlve që ata mos të mbeten mbrapa në lëndët mësimore që zhvillojnë në shkolla ndërsa marrin trajtim mjekësor.

Mësuese Rajmonda shprehet se mësimi në Pediatrinë e QSUNT-së ka qenë gjithmonë prezent për pacientët e vegjël, por me shtimin e dy klasave digjitale, orët mësimore bëhen edhe më interaktive dhe të veçanta.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Janë rreth 5-6 fëmijë çdo ditë që argëtohen apo marrin mësim në këto dy klasa. Afërsisht janë mbi 150 fëmijë që çdo muaj bëhen pjesë e këtyre klasave mësimore. Në varësi të moshës, për më të vegjlit zhvillohet rreth një orë argëtim, me lojëra interaktive, por edhe me numra, shkronja druri, apo shkrime në tabelën elektronike. Ndërsa, për moshat më të mëdha, ne zhvillojmë një orë lëndën e matematikës, një orë gjuhën shqipe dhe me radhë të gjitha lëndët e tjera mësimore, në varësi të qëndrimit në spital”, tha Çela.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mësuesja tjetër e klasës mësimore në Pediatrinë e QSUNT-së, Dhurata Myrtollari shprehet se prej 30 vitesh eksperiencë në shkolla të ndryshme në kryeqytet, kjo përvojë është për të ndryshe edhe nga ana emocionale.

“Në të dyja klasat ku unë jap mësim, për fëmijët e shtruar në spital, kapaciteti është i mjaftueshëm. Përveç librave dhe lëndëve mësimore, sipas kurrikulave të shkollës, ne ofrojmë edhe mësim të specializuar për fëmijë me nevoja të veçanta. Teknologjia dhe metodologjia që kemi në shërbim për zhvillimin e orëve mësimore, na ka ndihmuar shumë”, pohoi Myrtollari.

Ndërkohë, prindërit e dy pacientëve të vegjël, që prej dy javësh janë të shtruar në Pediatri me problematika të alergjisë dhe virozave respiratore, shprehen të kënaqur për këtë mundësi për fëmijët e tyre.

“Kemi mbi 10 ditë këtu në spital dhe fakti që fëmijët mund të largohen pak nga mjekimet, serumet, gjilpërat për të bërë diçka më afër moshës së tyre, është një mundësi e mirë për ta, por edhe për ne si prindër”, shprehet një prej tyre.

Projekti i klasave mësimore në Pediatri është një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, në funksion të së drejtës themelore të çdo fëmije për arsim të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të pandërprerë, pavarësisht rrethanave.

Mjediset e dedikuara për shkollën dhe argëtimin, për të asistuar fëmijët që kalojnë kohë më të gjatë në spital, janë pjesë e infrastrukturës spitalore dhe transformimeve në rrjetin e spitaleve pranë QSUNT-së.

Dy klasat mësimore janë të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë fondacioni izraelit SASA Setton.

Në dy klasat, njëra multidisiplinare dhe tjetra një klasë-studio arti, fëmijëve të shtruar në spital u ofrohet edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse për mirëqenien e tyre emocionale sipas grupmoshës.
ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?