Pellgu i bretkosave

HUMOR

Në një pellg bretkosash rrethuar nga shelgjishte dhe bar, në ujë dhe jashtë pellgut bretkosat po bënin protestë. Duam mbret! Duam mbret, o Zot! Edhe ne kemi të drejtën të kemi mbretin tonë, jemi shtet! Zoti i dëgjoi dhe ju përgjigj!

-O bretkosa! Po çfarë ju duhet mbreti juve, a jetoni mirë, a është i mjaftueshëm pellgu për të gjithë?!

Bretkosat ja kthyen: Po si mund të kuptohet një pellg bretkosash pa një mbret?!

Të nesërmen Zoti në mes të pellgut hodhi një trung peme.

-E gëzofshi mbretin dhe mbretërinë tuaj o bretkosa!

Bretkosat sa e panë trungun mbret, u çmenden nga gëzimi… Festë, fishekzjarrë… me këngëtarë e DJ. Ditët kaluan dhe bretkosat bënin çfarë të donin në pellg se trungu mbret, nuk fliste…, tund e shkund trungun, por hiç. Hidhu mbi trung, këndo, përplas këmbët, por trungu mbret nuk fliste e s’fliste. Atëherë ju drejtuan Zotit: O Zot! Aman na hidh një mbret përsëmbari. Ky s’flet e ç’e duam ne një mbret të tillë?!

Zoti ju tha- më dëgjoni mua, e keni mire?!

Jooooo!- thirri korri i bretkosave, na e ndërro?!

Të nesërmen Zoti buze pellgut vendosi një gomar. Gëzuan bretkosat, festë, muzikë, shampanjë, shkuma party… mbreti lëvizte! Ditët po kalonin dhe mbretëria po shkonte për mrekulli, por kishte një gjë të keqe. Në gjithë qetësinë e mbretërisë mbreti gomar here pas here pëlliste dhe palla e gomarit i trembte. Rastiste që ishin ne gjumë apo shtrirë në bar, apo mbi shelgjishte dhe kur pëlliste gomari mbret, ato të lebetitura hidheshin në ujë. Pas ca kohe u mblodhën dhe vendosen t’i drejtohen sërish Zotit.

-Aman o Zot i madh, na e ndërro?! I mire është, por na tremb me pallën e vet…, aman?!

Zoti ju tha: O bretkosa të dashura, mbajeni gomarin se e keni mirë, më dëgjoni mua, ç’të keqe kini nga gomari?!

Joooo! Se duam!-njëzëri bërtitën bretkosat! Në ditën tjetër, mbi bar i shtrirë hijshëm rrinte gjarpëri, mbreti i ri i pellgut. Bretkosat shpërthyen festën… Ky është pellgu që duam, rroftë mbreti gjarpër! Dhe vijuan ditët e mbretërimit të pellgut, gjarpri rrinte e rrinte dhe here pas here fap i hante 5-6 bretkosa në dite. Kur e kuptuan bretkosat s’dinin ku të futeshin, u tmerruan dhe bërtisnin në drejtim të Zotit! Aman o Zot, aman!Ç’na bëre?! Zoti i dëgjoi, qeshi, dhe ju tha: Ju dhashë trungun, s’lëvizte, ju dhashë gomarin, pëlliste…. Tani ju dhashë gjarprin, por ai ju ha. (Morali). Kur s’ke karar, gjen zarar!

SHKARKO APP