Penguan seancën në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e Bardhit dhe Balliut me 40 ditë

Grupi parlamentar i PS-së i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të PD-së Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Socialistët argumentojnë se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme.

Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, Bardhi dhe Balliu, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ndërhynë disa herë gjatë fjalës së kryetarit të grupit parlamentar të PS, duke e ndërprerë atë me thirrje dhe provokime nga salla, ndërsa më pas bllokuan foltoren me pretendimin se ishte përdorur gjuhë joparlamentare. PS pretendon se deputetët e opozitës nuk kanë pritur ndërhyrjen e drejtuesit të seancës, i cili sipas rregullores është autoriteti i vetëm që interpreton procedurën parlamentare, duke kaluar kështu në shkelje të rregullores së Kuvendit.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se, pas rifillimit të seancës dhe kërkesës së socialistëve për të vijuar fjalën, situata është përshkallëzuar, ndërsa veçanërisht Bardhi dhe Balliu janë përfshirë në veprime që sipas PS kanë cënuar rendin dhe funksionimin normal të seancës. Sipas socialistëve, Bardhi ka përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese, ndërsa Balliu akuzohet për sjellje agresive dhe dëmtim të pajisjeve në sallë, përfshirë mikrofonin dhe sistemin e votimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bazuar në këto pretendime dhe në pamjet filmike të seancës, PS ka kërkuar:

Swiss Digital Mobile Reklama

-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;

-Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Partia Demokratike kishte kërkuar përjashtimin nga Kuvendi për 60 ditë të deputetit socialist Taulant Balla, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës së papranueshme ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë së njëjtës seancë parlamentare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?