Pensionet e parakohshme, ja sa lekë do përfitojnë 635 mijë pensionistë

Nga dje ka hyrë në fuqi rritja e pensioneve për 635.000 pensionistë në bazë të indeksit të çmimeve.

Pak ditë më parë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi bëri me dije: “Rritja e pensioneve do të zbatohet nga data 1 gusht 2016. Efektet financiare për zbatimin e këtij projektvendimi nga data 1 gusht deri në 31 dhjetor 2016 llogariten në shumën 662 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondet e planifikuara për rritjen e pensioneve në Buxhetin e Shtetit. Edhe pas aplikimit të indeksit, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera, që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si dhe kompensimet”. Po ashtu, VKM-ja përcakton edhe vlerën minimale të pensioneve të parakohshme, duke përcaktuar se: “Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.8.2016 e në vazhdim nuk do të jenë më pak se 12.635 lekë në muaj”. Sipas vendimit të qeverisë, nga indeksimi përfitojnë edhe pensionet, të cilat caktohen nga data 1.8.2016 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.7.2016. Në tabelën bashkangjitur shkrimit janë të gjitha kategoritë e pensioneve që përfitojnë indeksimi 1.6%. Po ashtu, në vendim qeveria ka parashikuar edhe vlerat minimale dhe maksimale të pensionit të plotë të pleqërisë dhe invaliditetit, të cilat prej datës 1 gusht 2016 nuk mund të jenë më pak se 8.652 lekë në muaj, por jo më shumë se 25.270 lekë në muaj, për disa kategori, të cilat i keni të sqaruara më poshtë.

Pensionet e plota

Pika 3 e vendimit të qeverisë përcakton se “Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të këtij ligji si dhe pensionet e pleqërisë së punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.8.2016 nuk do të jenë më pak se 12.635 lekë në muaj dhe më shumë se 25.270 lekë në muaj”. Ndërsa pika katër përcakton se: “Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 8.652 lekë në muaj, por jo më shumë se 12.635 lekë në muaj”.

SHKARKO APP