Pensionet, nga indeksimi: veteranët 15.6 % rritje, të tjerët 1.4%

Duke filluar nga 1 gushti 2015, të gjitha llojet e pensioneve do të përfitojnë rritje nga indeksimi i inflacionit, i cili sipas vendimit nr. 651, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, është në masën 1.4%. Indeksim, por jo në këtë vlerë, por 15.6%, do të ketë edhe shpërblimi i veteranëve të luftës nacionalçlirimtare. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë në shumën e 568 milionë lekëve dhe përballohen nga fondi i kontingjencës, të parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2015.

Indeksimi & Vlerat

Pensionet e reja, të cilat do të përllogariten sipas formulës së re, që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015, do kenë përfitime edhe nga indeksimi me inflacionin. Kjo, në bazë të ligjit të ri, “Për sigurimet shoqërore”, i cili parashikon përfshirjen në masën e pensionit të kompensimeve për energjinë, bukën dhe të ardhurat, çka do të thotë se tashmë edhe Ermelinda Hoxhaj këto kompensime do të jenë objekt indeksimi. Deri më tani ato përllogariteshin si pjesë më vete e pensionit, ndërkohë që, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk mund të indeksohen me normën e inflacionit. Qeveria në vendimin e muajit korrik ka përcaktuar të gjitha llojet e pensioneve dhe kompensimet që përfitojnë indeksim prej 1.4%. Rritja, mijëra pensionistëve u llogaritet që nga gushti i këtij viti. Indeksimi i inflacionit do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 568 milionë lekë.

Sipas pikës 3 të vendimit, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr. 150/ 2014, datë 6.11.2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.8.2015 nuk do të jenë më pak se 12.436 lekë në muaj dhe më shumë se 24.872 lekë në muaj. Po ashtu, edhe vlera e pensioneve të caktuara me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 31.12.2014 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 8.516 lekë në muaj, por jo më shumë se 12 436 lekë në muaj. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.8.2015 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 12.436 lekë në muaj.

Veteranët

Qeveria, sipas vendimit nr. 652, datë 22.7.2015, ka miratuar indeksimin e masës së shpërblimit të veteranëve të luftës antifashiste në masën 15.6%. Vlera mesatare e shpërblimit që do të përfitojnë kjo kategori pensionistësh është rreth 400 lekë në muaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën 16.600 mijë lekë dhe përballohen nga fondi i kontingjencës, të parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2015. Efekti financiar llogaritet që nga data 1 gusht 2015. Bashkëngjitur në tabelë janë të gjitha llojet e pensioneve që do të indeksohen.

 

SHKARKO APP