Pensionet, sa do të rriten sipas viteve

Pas vendimit të qeverisë për rritjen e pensioneve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka detajuar përmes tabelave përllogaritjet për të gjitha kategoritë që preken . Bëhet fjalë për pensione që janë caktuar nga data 1 tetor 1993 deri më 31 dhjetor 1996 e që përfitojnë një rritje nga 840 lekë deri 5000 lekë në muaj. Për shembull, një pensionist që ka dalë në pension në harkun kohor 1 tetor 1995 deri në 31 mars 1996 dhe që në atë kohë merrte 4400 lekë, me rritjen e fundit, pensioni i shkon 19.500 lekë. Po ashtu, një pensionist, që në këtë hark kohor i ishte caktuar pensioni 3100 lekë, me rritjen e fundit do të marrë 14 210 lekë. E njëjta logjikë vlen për të gjithë ata që përfitojnë këtë rritje.

Vendimi i qeverisë, i cili u miratua ditën e mërkurë, i ndan përfituesit në 6 grupime të ndryshme e më konkretisht: 1 tetor deri në 31 dhjetor 1993, 1 janar deri në 30 shtator 1994, 1 tetor 1994 deri në 30 prill 1995, 1 maj deri 30 shtator 1995, 1 tetor 1995 deri në 31 mars 1996 dhe 1 prill deri në 31 dhjetor 1996. Shtimi për këto kategori do të bëhet me shuma fikse, duke çuar në një masë pensioni jo më të ulët se 14 085 lekë. Ndërkohë që, një pjesë e përfituesve, me vendimin e qeverisë do të arrijnë të marrin pension pleqërie, që kap vlerën e 23 640 lekëve.

“Shekulli” boton sot rritjet dhe diferencat për pensionet për të katër vitet, ndërkohë që shifrat ekzakte të këtyre rillogaritjeve janë duke u përpunuar nga specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, e sipas tyre, ato hidhen në sistem nga dita në ditë, e fundi i muajit gusht është caktuar si koha përfundimtare. Por, sipas ISSH­së, rillogaritjet mund të dalin edhe më herët, çka do të thotë se mund të jenë gati edhe në fillim apo në fund të javës së ardhshme. Por, për të gjithë kontingjentin e pensionistëve përfitues, e që në total janë 19 655, duhet theksuar se vendimi i Këshillit të Ministrave i shtrin efektet financiare nga data 1 qershor 2016, çka do të të thotë se pavarësisht nga koha kur do të kryhen veprimet, shtesa në buxhetet e pensionistëve që do të përfitojnë, do të kalojë nga kjo datë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nxjerrë udhëzimin përkatës, për përcaktimin e saktë të përfituesve në zbatim të kritereve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Kategoritë

Së pari, përfitojnë pensionistët në pension të plotë pleqërie, të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe e kanë përfituar pensionin për herë të parë në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996. Së dyti, do të përfitojnë rritje të masës së pensionit të pleqërisë, punonjësit e nëntokës dhe gratë e punësuara në arsim dhe kulturë, të cilët përfituan pension të parakohshëm në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996, sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por vetëm nëse kanë plotësuar moshën për pensionin e plotë të pleqërisë.

Një pjesë e mirë e minatorëve dhe pothuajse të gjitha gratë e punësuara në arsim dhe kulture, të cilat kanë dalë në pension të parakohshëm në atë kohe, tashmë kanë kaluar në pension të plotë dhe do të jenë përfitues të rritjes së masës së pensionit menjëherë. Ndërsa ato nuk kanë plotësuar akoma moshën për pension të plotë pleqërie, nuk do të përfitojnë shtesë menjëherë, por, në momentin kur ato do të plotësojnë moshën, kjo shtesë do të reflektohet në masën e tyre të pensionit të plotë. Kategoria e tretë që përfiton rritje sipas këtij vendimi, janë pensionistët në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, të llogaritur sipas dispozitave të ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Mbi sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, deri në datën 30.9.1993, të cilët, kanë plotësuar moshën për pension të plotë në periudha të mëvonshme dhe iu është rivlerësuar masa e pensionit nga 60 për qind në 70 për qind të pagës mesatare.

Vjetërsia e punës

Sipas specialistëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, këto ishin grupet më pak të favorizuara nga politikat e zbatuara në vite për rritjen apo indeksimin e pensioneve si dhe rritjen e diferencuar të pensioneve, e cila u aplikua në pesë faza në harkun kohor 1999­2005. Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit të pagave në fillimet e viteve 90, ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensioneve, rritjet e pensioneve me tendencë rritjen me përqindje më të larta të pensioneve më të ulëta, rillogaritja e diferencuar e këtyre pensioneve në vitin 2006, bëri që të ngushtohen diferencat, pra të prishet raporti mes pensionit minimal dhe atij maksimal, apo e thënë ndryshe u konstatua ngjeshja e pensioneve pranë madhësisë së pensionit minimal dhe atij mesatar.

Pensionistët në pension pleqërie të caktuar në harkun kohor 1.10.1993 deri në 31.12.1996 që përfitojnë nga ky vendim, kanë një pension rreth 13­20 për qind më të ulët se pensionet e caktuara deri në 30.09.1993 dhe 18­ 25 për qind më të ulët se pensionet e caktuara pas vitit 1998. Pensionet e parakohshme për punonjësit e nëntokës dhe gratë që kishin punuar në arsim, kur llogariteshin si të plota, rezultonin me një masë pensioni edhe më të ulët, e cila në të shumtën e rasteve rezultonte minimale. Pensionet për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve, që kanë përfituar atë me minimalisht 20­25 vite në shërbim, në llogaritura në vitet 90­93, pasi rivlerësoheshin si të plota, arrinin në vlerën e të ardhurave minimale, duke krijuar një diferencim të ndjeshëm me pensionet e pleqërisë të personave të tjerë, të cilët kishin të njëjtën periudhë pune, të njëjtat paga dhe kishin dalë në pension pleqërie në atë periudhë.

SHKARKO APP