Për çamin Armando Sadiku

Nga Enkel Demi/Është 12 maji i vitit 1989 dhe në Itali hyn në fuqi ligji që e bën të detyrueshëm vendosjen e rripit të sigurimit në makinë. Psikiatri Claudio Ciaravolo po studionte se si popullarizoheshin legjendat urbane dhe mbi të gjitha si mund të ndaleshin. Kështu ai përhapi fjalën që në Napoli janë shitur bluza të bardha me rripin e sigurimit të vizatuar që ja hedhin policisë. Sot, e kësaj dite njerëzia është e bindur se në tezgat e këtij qyteti janë shitur me miliona copë të këtilla, por në fakt nuk është shitur as edhe një. Psikiatri i mirënjohur, vetë napoletan, shfrytëzoi sterotipin që bashkëqytetarët e tij janë të shkathët, të zgjuar, por që ta hedhin për të të zgrepur ndonjë gjë. Ka ngjitur sa më s’ka kjo ndodhi e paqenë dhe padyshim që studiohet në lëndën e komunikimit në Universitet.

Edhe unë disa ditë më parë u nisa nga një sterotip; Armando Sadiku, njeriu që shënoi golin e parë historik të Shqipërisë në Europian është çam. Me këtë mbiemër është një fis shumë i nderuar çam që jeton në Durrës, të cilët janë pasardhësit e patriotit Jasin Sadiku nga Margëlliçi. E dija që sulmuesi ynë ishte me origjinë nga Dibra, rritur në Elbasan, si më pas fort bukur e ka sqaruar vetë babai i tij. Por, thashë po e bëj këtë eksperiment. Tek e fundit, njerëz si unë do të kërkojnë përherë shtigje ngatërrestare për t’u zbavitur. Arsyen do e them pak më poshtë. E bëra.

Nuk e llogaris dot më sa herë është shpërndarë ky lajm në rrjetet sociale. Dhjetra mijëra herë. Nuk e di tek sa shqiptarë ka mbërritur ky lajm, sa të tjerë janë ndjerë krenarë, të motivuar apo të bezdisur nga ky kumt. Kjo, pasi edhe në këtë rast doja të shihja si reagonin njerëzit ndaj sterotipit e të qenit çam. Kjo është arsyeja e parë. Në fakt, reagimet kundër që Armando Sadiku është çam ishin të dobëta, sporadike, pasi shumica e përgëzonin çunin tonë edhe për këtë gjë. Kishte po aq pak që donin ta sqaronin historinë e tij mes Elbasanit e Cërrikut dhe mirë bënin. Të tjerë me shumë të drejtë, madje me krenari të lënduar, më thonin që ç’rëndësi kishte nga e kishte origjinën djali, rëndësi ka që është shqiptar, punë e madhe nëse ishte geg apo tosk. Me thënë të drejtën zemra m’u bë mal, sepse pas kaq tallazesh që kanë kaluar çamët sterotipi negativ i krijuar për ta nga komunistët duket është davaritur në ndërgjegjen qytetare.

Arsyeja e dytë përse e kreva këtë “të pabërë” është ajo që i thashë koleges dhe kryeredaktores së faqes 27.al:

“Unë kam gjithë jetën që jam çam. Nuk u bë kiameti, nëse Armando Sadiku u bë i tillë për 24 orë.”

SHKARKO APP