Per deputetet e Vlores dhe ujin e Bestroves

Nga Kristo Mertiri

Mbi 20 vjetë e ca më parë, në gazetën  “Bashkimi” u botua edhe një letër e thjeshtë në ballinë. Mbante firmën e një nxënësi në shkollën 8 vjecare. Ishte rast i rrallë në median pluraliste. Sepse nuk zuri thjesht boshllëkun e një rubrike të rëndomtë. Bëhej fjalë për ujin e pijshëm të qindra banorëve që ishin dhe janë si në një mëhallë të bukur e të fshehur pak metra larg qytetit të bekuar.

Kur u ngrit NB “Vlora” e ullishtës, shteti monist i sistemoi nëpër pallatet me aparatmente të pajisur mirë dhe të lidhur me rrjetin e ujësjellësit të Novoselës. Gurgullimat e ujit të pijshëm u bashkuan me gurgullimat e gëzimit popullor në Bestrovë. Mirëpo dallgët entuziaste të fillimdemokracisë nuk vazhduan gjatë, ato u shuan shpejt e hidhur nëpër rrokullimën marramendëse të “shkërdhatokracisë”. Ai gëzim u tha e u bë trokë bashkë me buzët e thara të banorëve punëtorë e të urtë të këtij fshati me emër në histori.

Një ditë prej ditësh, befas një “kucedër” rrëmbeu pa mëshirë edhe pikën e fundit të ujit ! Vecse nuk ishte ajo përbindëshja e përrallave të lashta popullore dhe as ai gjarpri shumë i madh me dy deri trembëdhjetë kokë…Po të ishin gjallë  ish luftëtarët e batalionit shqiptar të këmbësorisë, ata që “gozhduan për orë të tëra këmishëzinjtë e Legjionit “Ferrara” dhe “Nannini” në Prillin përvëlues 1939 në kodrat ullimbuluara të Bestrovës, sot do vinin duart në kokë dhe ndoshta do lëshonin edhe lotë zhgënjimi e dëshpërimi. Sepse uji i pijshëm nuk mungonte as 77 vite më parë, atëhere kur lagnin ballin e përzhitur, buzët dhe grykët e zhuritura në beteja. Apo sic thonë jo pa ironi në Labëri: Iku kordha-jatagani, doli pena dhe mellani…Dhe as në luftën e Njëzetës kur vërviteshin mbi telat me gjemba, bashkë me gunat e dhirta dhe me dyfekët lidhur me gjalmë. Bijtë e vërtetë të popullit nuk i pritën asnjëherë me lule e pekule trupat pushtuese. Dhe jo vetëm në Durrës, por edhe në Sarandë, te Ura e Bahcallëkut në Shkodër e në Vlorë. Përkrah tyre, do të përmendet jo pa krenari në breza edhe emri i Bestrovës … Rreth ujit gëzonin, këndonin e uronin, por edhe mund të mallkonin. Ndërsa lebërit e sertë derdhnin vargje e iso supengritura : “U shofsh me ujë Itali !/ Se paske qenë lubi/ Matesh me një Shqipëri…”.

Rrodhën mbi dy dekada pluralizëm politik. Autori i asaj letre të paharruar u rrit e u burrërua. Provoi mbi shpatullat e njoma edhe udhët helm të mërgimit të detyruar. Por diturisë nuk iu nda. Punë dhe shkollë. Pas diplomimit me rezultate të larta jashtë shtetit, u kthye menjëherë në mëmëdhe, në kryeqytetin e dashur. Tani është bërë dy herë baba i dy djemve. Por…Bestrova e mbuloi me jo pak trishtim. Copëzat nga parajsa e fëmijërisë i gjeti si të mbuluara nga një mjegullnajë irrituese. Rrugë të kafshuara pa mëshirë. Cezma e buzë të thara njeriu. Asnjë curilë uji nuk pipëtinte nëpër apartamente. Shkurt, ulërimë me thes në kokë !…

Rikthimi i ujit të pijshëm, realisht është thjesht një pikë ujë nga deti i buxheteve shtetërore apo nga ai i donacioneve private në vite. Të shurdhuar e të rrëmbyer nga totototë e tatatatë e fushatave elektorale mashtruese, vijnë e ikin kaluar me këmbët në yzengji mjaft këshilltarë lokalë e deputetë pendëfryrë nga premtimet vezulluese. Mbushin trastat e thasët me vota dhe pijnë e zbrazin me fund shishet me ujë të gazuar e pa gaz të fabrikave në Glinë, Tepelenë, Nepravishtë, Qafshtamë, Trebeshinë, Lajthizë, ato italiane etj. Kjo tablo e neveritshme dhe pa asnjë cipë qytetarie e dinjiteti, ndizet dhunshëm cdo 4 vjetë ! Karshillëk e arrogancë lakuriqe përmes pazarit me shitje e blerje si në tregun e gjësë së gjallë. Përshembull, mbrëmë më treguan një video të Qershorit 2013, regjistruar e përhapur me zell partiak nga sejmenët e një kandidati për deputet  të ardhur nga bulevardi i Vlorës drejt e në udhët e lerosura të Bestrovës. Fjalime, përbetime, thirrje e blegërima si përpara tufës me dele të mbledhura në shtrungat ku dëgjohen kusitë bosh që presin mbushjen me qumësht nga mjelja e posacme. Kusi të palara e lapërdhara. Dhe askush nuk guxoi të përmendëte fjalën “Ujë”(?!) përballë banorëve shpresëshuar të Bestrovës. Folën pa letra e pa zemra në duar. Një miku im fjalëkripur te Ura e Tabakëve, e tha bukur :

-Mos e vrisni radaken, o të uruar ! Kësaj race demagogësh, ka mbi 20 vjetë që u kanë rënë letrat në ujë dhe kujtojnë se do u shuajnë etjen me bisht të lugës. Mos harroni, shumica e banorëve buzëplasur kanë mbi dy dekada që e paguajnë ujin e pijshëm për raki. E blejnë në qytetin e Vlorës (?!). Një lloj tregtie fitimprurëse e pashoqe në kurriz të hallexhinjve vendalinj. Politika votambledhëse, as që po e vë ujin e saj në zjarr. I mbani mend protestat masive të Panajasë gjitone ? Banorë e refugjatë nuk pranuan asnjë kompromis me ca pushtetarë lokalë e qendrorë të korruptuar. Dhe fituan ujësjellësin e munguar…

Këshilltarë e deputetë tunden e shkunden sa herë vijnë e ikin nga Bestrova. Dhe ashtu shend e verë, i gënjen mendja  kur kujtojnë se ua kanë shkuar ujët e pistë nën rrogoz njerëzve të thjeshtë. Por banorëve mendjelëruar nuk ua lidhin dot gjuhën. Megjithse mashtruesit dhe grabitësit ustallarë të votive dinë të “notojnë” edhe në dy gisht ujë…Fjala vjen, disa refugjatë u kanë dërguar letra-protesta Kryeministrave të radhës. Por muri i shurdhërisë institucionale vazhdon të ngrihet edhe më lartë ! Heshtje dhe arrogancë me brirë, deri në fyerje. Vaj halli kur kjo sjellje demonstrohet me papërgjegjshmëri nga dora vetë Kryeministri deputet i Vlorës (?). Shpërthimet e intelektualit trim e kokëplotë, Lubonja, përballë qeveritarëve rilindas, janë kambana të forta edhe për ata që nuk kanë veshë. Vetëm militantët e verbër dhe sejmenët e punësuar padrejtësisht në skalionet e Administratës Shtetërore, vetëm kjo skotë hidhet përpjetë e shan rrugacërisht me pseudonime nga llogoret-ferra të internetit… Jo më kot njerëzit e thjeshtë tallin e qesëndisin pa droje pushtetarët që i bëjnë petullat me ujë Selite a Boville. Sepse Shqipëria jonë nuk është vetëm Tirana. Për mjeshtrat e imazhit dhe të fasadave kallpe nuk ia futin kot : Këta kokorocë të shpien në 100 cezma e nuk të japin asnjë pikë ujë ! Apo dinë të të japin edhe me shoshë ? Ndërsa vetë ngopen e dehen me ujë të ambalazhuar Brenda e jashtë vendit. Bestrova është një nga shembujt klasikë se si funksionon Administrata locale e qendrore. Vërtet nuk i ecën fjala dhe nuk i merr ujë lopata ?…

Së pari, kush e shkëputi rrjetin e Bestrovës nga Novosela dhe a u përgjigj njeri përballë shtetit ligjor të telikosur e të handakosur në luftën donkishoteske kundër “komunizmit” ? Sepse shkatërrimi vazhdon…

Së dyti, sa këshilltarë lokalë e deputetë të disa legjislaturave janë “përgjëruar” dhe kanë bërë be e rrufe nga maja e kalit për popullin e urtë durimmadh, duke tundur degën e ullirit ? Vargani i përditshëm me bidona e fuci që shkojnë e vijnë nga Vlora, tashmë është kthyer në një ritual drithërues e tepër irritues. Madje disa po blejnë ose marrin shtëpi me qera në qytet, duke hedhur pas krahëve sjelljen harbute të zyrtarëve fjalëngrënës…

Së treti, po tani që administrohen nga Bashkia e qytetit, a do të ndizet ndonjë projekt konkret emergjence ? Aq më tepër që po drejtohet nga një mjek jo dosido e që me siguri do të alarmohej edhe për shëndetin e rrënuar të banorëve nga mungesa e ujit të pijshëm. Një i mencur paska thënë se skepticizmi është fillimi i besimit…

Së fundi, po deputetët e votave të grabitura me mashtrime elektorale (të djeshëm e të sotëm, të djathtë e të majtë), a do të presin akoma me sytë nga qielli mjegullgrisur i Qeverisë dhe të karfosur në gëkmëkun e tyre shurdhmemec parlamentar ? Atje, përmes ullinjve të shumtë shekullorë mos vallë banorët do vazhdojnë të heqin të zitë e ullirit ?! Mirëpo një pyetje e drejtpërdrejtë pret përgjigje publike : Zotërinj deputetë, a keni pirë ndonjë gotë ujë në Bestrovë ?…

SHKARKO APP