Për garën që nis pa nisur gara

 

Nga Lorenc Vangjeli*

Ka një tentativë të qartë dhe të vazhdueshme për ta mundur kundërshtarin në garë që pa nisur gara. Për ta mposhtur kundërshtarin në shifra, para se të dalin dhe të verifikohen vetë shifrat. E keni vënë re? Të njëjtat të dhëna të INSTAT-it, sa për të marrë një shembull, i shërbejnë njëlloj si propagandës qeveritare, si asaj që kërkon përmbysje të qeverisë.

Çfarë njëri e quan sukses, tjetri nxiton ta shpallë si provë të pakundërshtueshme të dështimit. Sepse palët politike në Tiranë janë në garë për gjithçka. Edhe për shifrat e pjesmarrësve në mitingje elektorale. Siç ndodhi edhe me dy takimet finale parazgjedhore në Tiranë. Tek koalicioni i majtë të enjten dhe një ditë më pas tek opozita.

Rrjetet sociale, ndryshe nga regjitë qëndrore televizive të dy partive që janë në gjendje të bëjnë dhe një orkide të egër të vetme të ngjajë si pyll manjolash, publikuan foto nga ajri të të dy mitingjeve në Tiranë. Njeriu Fluturues Alket Islami shërbeu me fotot e tij më shumë se mijëra fjalë për të treguar të vërtetën dhe për të bërë krahasimin. Por dhe kjo është vetëm një pjesë e të gjithës

Sot në Tiranë pakkush ka dëshirë të dalë në shesh, të tundë flamujt e tifozllëkut partiak dhe të brohorasë për fitoren e dikujt që gjithmonë e më tepër është i ndryshëm nga militanti i thjeshtë. Atij që i thuhet me skenar sesi duhet të brohorasë, sa duhet të brohorasë dhe kur duhet të brohorasë. Pastaj, gjithë të tjerët e ndjekin atë pas si orkestra dirigjentit, pavarësisht se regjizorët vetë janë në skenë.

Televizionet, media e shkuar dhe rrjetet sociale, shtuar me parimin që çdo qytetar me celular është një gazetar, e kanë bërë praninë fizike në një miting, fare fakultative. E vërteta ndodhet vetëm në kutitë e votimit. Në kutitë e dikurshme, por që kësaj here, do t’u mungojë Ristani i ish-KQZ-së. Ai që tani PD e ka në krye të saj, për merita që ai ja nxorri vetes nga fundi i kutisë së fundit të votimit.

Tentativa për ta mundur kundërshtarin deri dje niste kryesisht nga KQZ-ja. Fatmirësisht kësaj here asaj nuk i ka ardhur rradha. Dhe ky është një lajm i mirë në ballafaqimin e shifrave mes palëve në garë. Eshtë një lajm i mirë për Tiranën dhe gjetkë ku palët janë në pritje për të mundur kundërshtarin edhe me shifrat e kutive.

*Javanews.al

SHKARKO APP