Për kë do votoj më 21 qershor

 

Fejton

Nga Hyskë Borobojka

Erdhi dita e uruar për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë të kryeqytetit. Çdo qytetar votën e tij e ka të shtrenjtë dhe e di mirë kujt duhet t’ia japë për mbarëvajtjen e punës. Edhe unë, i vetëquajturi Hyskë Borobojka, kam vendosur që të votoj për kandidatin për kryetar, Erion Velija. Këtë vendim nuk e kam marrë në hava, por me fakte e prova të “saktë” për cilësitë e tij të “rralla” dhe jo thashetheme pazari e ç’fluturon hahet.

Si mos e bashkoj votën time të shtrenjtë, për këtë zotni të shquar, kur e ka bashkuar ajka e politikanëve të shquar të vendit, që kanë krijuar një kooperativë elektorale të tipit të lartë, në të cilën janë “qinosur”. “Demokratsocialët me “Socialdemokratët, “Fryna e re” me të vjetrën, Demokristianët me “Kristiandemokratët”, Komunistët persekutorë me të persekutuarit e deri te “Tregu Çam”. Do të thoni se disa kohë më parë kryetari i tij i kishte pështyrë, por tani veqili i tij  kthehet dhe i lëpin, pasi do t’i japin votën më 21 qershor. Kandidati i ri, i zgjedhur për kryetar, e di mirë se gurë-gurë bëhet kalaja, për të marrë selinë e bashkisë të kryeqytetit. Me votën time si të mos vendos dhe unë një gur në themelet e kësaj kalaje, kur dihet botërisht, që njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën.

Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë për këtë kryetar të ardhshëm, që i ka falur Zoti i madh e i plotfuqishëm, shpirtin humanitar për t’u shërbyer njerëzve në rrezik e në nevojë. Dhe këtë cilësi të rrallë e ka treguar, jo me fjalë, por me vepra. Një ditë prej ditësh, tek udhëtonte me makinën e tij luksoze, sytë si shigjeta i shkojnë te një fëmijë rom i leqendisur. Frenoi në vend, zbriti, e mori e përkëdheli, e rehatoi në ndenjësen e makinës dhe e mbajti frymën në spital për ta shëruar. Madje s’lojti nga vendi deri sa pa me sytë e tij radiografinë e fëmijës. Ky gjest i rrallë i një ministri kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës, më bën me krahë e me besim të patundur, jo vetëm t’i jap votën time të shtrenjtë, por edhe shpirtin. I bindur që po të më ndodhë ndonjë zaifllëk (larg qoftë) s’do të më lërë të më rrjepin klinikat e spitalet private, por do të më marrë e të më shpjerë atje ku mjekësia për ruajtjen e shëndetit ka bërë emër.

Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë këtij kandidati që s’e ka zënë e s’e zë gjumi për hallet e qederet e njerëzve. Ishte ky dhe vetëm ky Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që për 18 muaj, duke bërë studime të “thella”, për  ndihmat sociale, i “rriti” e i “shtoi” aq shumë, sa përfituesit e saj, me xhepin “plot”, si “turistë” (emigrantë) po marrin rrugët, si çifuti në shkretëtirë, për të shijuar bukuritë e kontinentit të vjetër e të riut. Dhe ata s’janë një, dy e pesë, por 80 e ca mijë, ku 40 përqind të tyre i takojnë këtij viti. Po ç’faj ka ai, kur ndonjë kokëmushkë e merr nëpër gojë se nuk e ka marrë akoma këtë “ndihmë sociale”. Por le të presë, shpesa vdes e fundit, ditët nuk futen në thes, në s’i mori në pranverë, do ta marrin në verë ose në vjeshtën e begatë. Po ç’gjnah ka ky ish-ministër kandidat për kreun e Bashkisë të Tiranës, se ata kanë “dëshirë të zjarrtë” të shëtisin botën, nga Europa në Australi.

Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë këtij deli kandidati që ka një thes të madh me cilësi të “rralla’. Është ky dhe vetëm ky, që po i ve pikat mbi “i” për historinë dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë. Të gjitha sa janë shkruar, filmuar e komentatuar, për dallëndyshet e para që lajmëruan ardhjen e demokracisë në dhjetor 1990, janë zero me xhufkë. Është ky dhe vetëm ky që tregon të “vërtetën” e kësaj epoke të lavdishme historike, se ai që organizoi dhe e “udhëhoqi” drejt fitores, ishte kryetari i tij. Por ai ishte si njeriu i padukshëm, që hidhte gurin e fshihte dorën. Dhe të lodhen sa të duan dëshmitarët okularë të atyre ditëve, të thonë se nuk e kanë parë as në grevën e studentëve, e as në rrëzimin e përmendores së diktatorit në sheshin “Skëndërbej”, (edhe pse ishte një kokë e gjysëm më i gjatë se të tjerët). Madje nuk fanepset as në filmimet e asaj kohe. Si duket luftonte prapa ferrës, duke e drejtuar luftën për rrëzximin e diktaturës nga brigjet e detit Jon.

Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë këtij kandidati, që e ka zgjedhur me dore vetë kryeministri i vendit. Prandaj kur themi Veliaj nënkuptojmë Ramën dhe kur themi Rama nënkuptojmë Veliajn. Deri sa kryetari thotë se është shumë e vështirë të gjesh një njeri që shkrihet në punë. Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë, këtij deli kandidati që e ka treguar, jo me llafe por me prova për t’i përzënë ata që i bëjnë hije shefit të tij, që s’i ka qiqrat e mbara e po heq shpirt. Si të mos ia jap votën time të shtrenjtë këtij kandidati të “dalluar” për kryesinë e Bashkisë të Tiranës, kur e di, si buka që ha, se do ndjekë këmba-këmbës përvojën e çmuar të kryetarit të tij, kur ai ishte kryetar i kësaj bashkie, më shumë se një dekadë. Vlerat e tij nuk janë ngritur në katror, por në kub. Për cilësitë e tij të “rralla”, si do të guxoj unë, një votues i thjeshtë, të mos ia jap votën, kur e di si buka që ha, po ta kesh grurë me të, ke për ta pasur mjaltë e qumësht edhe me kryetarin e tij. Si mund ta fus veten në rreshtin e atyre që dyshojnë në aftësitë e këtij ylli, që po “shndrit” në qiellin shqiptar.

Doni më për Belulin (më falni) për kandidatin e ri për kryetar të Bashkisë të Tiranës. Janë këto dhe shumë cilësi të rralla të tjera, që më obligojnë të mos e kursej votën time të shtrenjtë për të.    

SHKARKO APP