“Për një pëllëmbë jetë”

Nga Fran Gjoka- Tonin Nikolli është lindur në Gjadër të Lezhës, më 7 prill 1960. I pari në shtatë fëmijët e familjes pati favoret dhe jo favoret e jetës së fshatit. Ndoshta është me interes të dihen dy gjëra për Gjadrin. Fati e solli që ky fshat të ishte ndërmarrje bujqësore dhe blegtorale ndër më të njohurat në veri dhe më tej të Shqipërisë. Një favor më tepër se fshatrat e zonës, për të pasur një bazë ekonomike dhe mentalitet më të avancuar. Ishte në udhëkryq  të rrugës shtetërore, që lidhej me Shkodrën, Lezhën e më tej. Këto bënë që të zgjidhej nga mësuesit qe transferoheshin nga qyteti, si vendi me i favorshëm, pas hallit… Prej hallit të tyre, përfituam unë dhe brezat e kohës time për të pasur mësimdhënës të shkëlqyer, të cilët na dhanë gjithçka patën me pasion, bujari dhe ndërgjegje.

Do të mbeten të paharruar në kujtesën e gjadrasorëve mësuesit e kalibrit të Shueki Rroji, Vehbi Hoti, Izet Efovia, Mustafë Kambaxho, Përparim Braçe etj…, të cilëve ua dedikoj atë pak gjë që kam arritur në formimin dhe krijimtarinë time. Nuk di saktësisht kur kam hyrë në rrugën e artit poetik. Ndoshta 11 vjeç… Mbaj mend kur na ftoi mësues Shuekiu të shkruanim nga një vjershë. Vetëm unë dërgova në klasë dy a tre. Pas disa muajve, ato u botuan tek “Cicërimat e Para” në gazetën (revistë u bë më vonë) “Pionieri”. Imagjinojeni vetë gëzimin e një fëmije fshati. Më duket se që nga ajo kohë nuk kam pushuar më së shkruari. Shkolla e mesme “Skëndërbej” ka qenë  vatra e rëndësishme, ku u ndez, u rrit dhe nuk u shua kurrë dashuria për artin dhe veçanërisht poezinë. Është kuriozitet që botimin e parë, (16 vjeç) e kam bërë në prozë, një skicë tek “Sporti Popullor” i kohës. Një mijë herë kam bërë pyetjen: -Pse vallë, nga bankat e kësaj shkolle, brez pas brezi, dolën shkrimtarë dhe poetë të shquar? Asnjë mister. Aty arti kultivohej me një dëshirë dhe pasion të rrallë. Ndoshta ishte e vetmja mënyrë që moshat e reja të zbusnin disiplinën e egër, të cilës i nënshtroheshin, që në moshë të njomë. Më vonë, rënia në kontakt me poetë dhe shkrimtarë të njohur, si: Xhevahir Spahiu (ky i fundit më prezantoi shkëlqyer tek “Drita” e atëhershme), qenia në Kolegjiumet e Redaksisë të organeve ushtarake, bënë që të shfaqesha herë pas here në organet e shtypit të kohës me krijimet e mia. Në vitin 1982 kthehem përfundimisht në Lezhë, duke e braktisur shkollën një vit pa u diplomuar. Filloi një periudhë e errët. Shkruaja, por kontaktet me botën e artit mbetën larg. Mësues disa vjet në zonat ekstreme të rrethit, më tretën disi. Rastet e lumtura, të rrallat, kur takoheshim në Lezhë me poetët Rudolf Marku, Agim Isaku, Mark Simoni, Marash Mirashi, Pjetër Jaku, Salvador Gjeçi etj., ktheheshin në festa të lumtura varfanjakësh. Gazeta lokale “Koha Jonë”, na gjallëroi pak. Në ndërrimin e sistemeve, poezia ime gati dha shpirt, për t’u ringjallur me forcë pas vitit 1998, kur emigrova në Itali. Në vitin 2000 bëra përmbledhjen e parë me poezi të krijuara në vite…, por që besoja se i kishin rezistuar kohës. E titullova “Përtej Shpirtit”.

Emri i Tonin Nikollit nuk erdhi rastësisht në poezinë shqipe të viteve ‘90, sepse pikërisht poezia ishte ngjizur në shpirtin e tij prej poeti vite më parë, pasi ka qenë i pranishëm në shtyp përmes vargjeve të tij brilante shumë kohë më parë se ai të botonte librin e tij të parë “Përtej shpirtit”. E kam njohur poetin vite të shkuara, kur ai punonte mësues në fshatrat e rrethit të Lezhës. Ndoshta puna e vështirë prej mësuesi, jeta e vështirë në fshatin Gjadër, ku ai lindi në pranverën e vitit 1960 dhe pasioni për artin e poezisë akumuluan në qenien e tij artin poetik, për të shpërthyer pikërisht tani kur ai po ecën drejt të 56-tave, larg atdheut, në mërgim prej shumë vitesh.

E pata takuar vite më parë në qytetin e Lezhës, u përqafuam përmallshëm si dy miq të vjetër.E doja Tonin, sepse punonte shumë, pati arritur rezultate të mira në procesin mësimor dhe edukativ, por nuk e kisha menduar se ai do të shpërthente aq vrullshëm edhe në poezi. Biseduam gjatë atë ditë për shkollën, nxënësit, familjen, mallin për vendlindjen, emigrimin dhe… poezinë. Plot mall dhe dashuri, me thjeshtësinë që e karakterizon, Tonini futi dorën në çantë dhe nxori një libër me poezi, të cilin ma dhuroi plot kënaqësi. Ishte libri i tij i parë, të cilin e mora me shumë kënaqësi. Në fakt e prisja shpërthimin e tij, por nuk pata besuar në mund të ndodhte aq shpejt.

   E mora librin e poetit Tonin dhe e shfletova. Më befasoi poezia e tij e larmishme, plot mendim, art dhe sinqeritet brenda. Ndjehej malli për atdhe, dhimbja për vendlindjen dhe familjen, poezi me tema aktuale, ku poeti mban një qëndrim kritik ndaj realitetit. Ka një analogji mes punëtorit Tonin dhe lypsit të Migjenit, njëri provon mbi vete terrorin social, ndërsa tjetri larg atdheut provon terrorin kombëtar, fillikat,pa mbrojtje, pa shpresë. Pikërisht në këtë kontekst real nga bota e brendshme e poetit punëtor, Tonini ka ravijëzuar një vlerë monumentale, duke përsosur maksimalisht ndjesinë artistike për njeriun, për jetën. Pikërisht kjo forcë ndjesore e brendshme për të qëndruar i fortë, për të jetuar me mall në shpirt, është në harmoni të plotë me realitetin e krijuar, me ambientin jetësor të përjetuar, me imazhin e jashtëm poetik që ndërton poeti. Më mbeti në mendje poezia “Nënës sime”, ku poeti shprehet: “…A më je zgjuar, moj lokja ime fisnike,/ Në atë cep të botës, në gjysmë harrim,/ Po i kaloj netët, dridhem prej frike,/ Mos nuk do të takoj më, veç në amshim. /U zgjofsh përditë, nënë, moj loke,/ U zgjofsh përditë me mua në shpirt,/Jam si i humburi yt, në cep të kësaj bote,/ Që nënë, nënë, veç nënë pëshpërit”.

  Por poeti nuk ndalet këtu, sepse ndarja nga nëna, familja, vendlindja nuk ishte e lehtë. I ballafaquar me një brutalitet politik dhe ekonomik të vrazhdë, deri cinik të kohës, i vetëm dhe i papërkrahur, i braktisur dhe i përbuzur, poeti nuk pati rrugëdalje tjetër veçse të çante detin me skaf drejt perëndimit. Dhimbja qe e madhe, malli po ashtu. Ja si e shpreh poeti atë çast të vështirë: “…Udhëtoj me skafin e vdekjes, drejt lumturisë,/ Nata është e zezë. Edhe deti. Edhe vala,/ Bukuria ka vdekur, po tretur në asgjë,/ Ka vdekur fryma, është shuar fjala.  …Udhëtoj me skafin e lumtur, drejt vdekjes, Deti ka flakur poezinë, ka rrëmbyer tmerrin,/ Duart e nënës më tërheqin pas vetes,/ Piskama e saj çan detin, shpon terrin…”.

   Duhet thënë se emri dhe vepra e Tonin Nikollit, roli i tij në letërsinë dhe në vlerat shpirtërore dhe përgjithësisht në letërsinë shqipe kanë lënë gjurmë të pashlyera tek lexuesi ynë brenda dhe jashtë vendit, sepse vargjet e tij, sidomos ata që shprehin dhimbjen, janë tepër të ndjeshme, aktuale dhe me vlera artistike. Duke lexuar këtë poezi me titull “Ora”, ku shprehet: “Ç’është kjo orë krejt e çmendur,/ Që akrepat i lëviz,/ Kur orë e jetës sime,/ Ka kaq kohë që më braktis. Ç’është kjo orë, ç’janë këto akrepa,/ Me lëvizje monotone,/ Porsi ditët e jetës sime,/ Thellë gremisur nëpër hone…”, lexuesi kupton shpresat e poetit për një jetë më të mirë, nisur këtu e 20 vjet më parë, përmes valëve të detit, ishin të humbura, por fati qe me të, ai sot punon e jeton bashkë me familjen në Itali, duke bërë që ora e jetës të punojë përsëri.

   Më pas poeti Tonin Nikolli botoi edhe veprat e tjera poetike, si: “Pylli im i bardhë”, “Geer”, Tiranë 2011, “Një pëllëmbë jetë”, “Ada” Tiranë 2015, “Malli i ka rrënjët larg”, botuar nga SHB “Marin Barleti”, Tiranë 2013. Në këto vepra poetike shquhet pasioni i poetit për të pasqyruar denjësisht të bukurën në jetë dhe në shpirtin e njeriut, përpjekje për të përsosur më tej natyrën njerëzore, ashtu siç dallohet edhe forca e urrejtjes ndaj shëmtimit të natyrës njerëzore, që rëndom ndodh në të përditshmen. Pa këtë dashuri dhe nxitje, poeti nuk do të shpërthente në momente të caktuara gjithë atë zjarr shpirtëror në shërbim të mirëqenies njerëzore. Nga ky lajtmotiv dhe nga ky ideal u freskua poezia e Tonin Nikollit, sepse ai, në situata dhe momentet më të vështira, ai ta frenojë dhembjen, ta ndrydhë atë në vete, pa e transmetuar tek të tjerët dhe këtu shpesh poeti gjen ngushëllim dhe qetësi. Prandaj poezia e tij është vlerësuar si një poezi jetësore, plot nuanca të bukura dritëdhënëse, por në raste edhe të hidhura.

         Ja ç’thotë poetja Pranvera (Drita) Gjoni, që jeton në Belgjikë: “Brenda këtij horizonti, fjala poetike përshkruan trajektore të palimit në stilin e lire, ku vlen për t’u theksuar, që nuk është e lehtë të mbash ritmin nga fillimi deri në fund, gjë që e karakterizojnë poezitë e këtij stili dhe gjithashtu shmangien e lidhëzave, ndajfoljeve, parafjalëve, pjesëzave, ku përdorimi i tyre pa kriter e kthen poezinë absolutisht në provë. Dhe këtë do e gjeni të menaxhuar perfekt në këtë vëllim. Vargje konçize, mendim kompakt, fabula të papërsëritshme dhe një leksik i pasur me një estetikë të admirueshme. Nëpërmjet retorikave, filozofisë metaforike, hiperbolave, epiteteve, retiçencave (të cilat plotësimin e mendimit, në shijet dhe emocionet e lexuesit), sa e gjen në tokë, në det, oqean dhe po me të njëjtën rezonancë e gjen në qiell. Aty ku shpirti i poetit ka ndërtuar shtëpinë e krijimtarisë poetike, duke gravuar mbi derën hyrëse, emrin Tonin Nikolli. Në këtë cikël, që përjetohet si një tango poetike, ndeshemi me hapa ndjesish sa të egër, po aq të ëmbël… Me sarkazëm dhe brishtësi… Me urtësinë njerëzore… Me të thënit troç-drejtpërdrejtë të asaj që dhëmb, të asaj që trazon dhe shqetëson gamën e të pathënave deri tani, të oqean-ndjesive të poetit, të cilat ngrenë kështjellat rrënjë-tokë stabile, larg, shumë larg modestisë permanente të Nikollit.

    Ndërsa poeti Ndue Dragusha shprehet:“…Edhe poeti Tonin Nikolli vjen para lexuesit me librin e tij të tretë të titulluar “Pylli im i bardhë”, një nga librat e tij më të mirë, ku gjen shtrat jo vetëm poezia bashkëkohore, por edhe realiteti konkret ngërthyer me ndjenjën e pastër dhe shpirtin e trazuar, me mallin për gjërat e lëna pas dore, për kohën e humbur, për ditët e vrara, për ëndrrat e pashpjeguara të dhimbjes së madhe. “Është shtëpia ime! Mall që s’ndërrohet me tjetër!/ Oazi i vetëm për shpirtin tim të tharë…/ Si barkë e dëshpëruar, që kërkon molin e vjetër,/ Vozis drejt saj, krahëkëputur, kurrë pa u ndalë…/ (Nga poezia “Shtëpia ime”). Por “Djaloshi i dikurshëm” “Me bllokun e vogël rrasur nën sqetull,/ shkel gj ethet e vjeshtës shtruar qilim…Është i bindur se metafora e shpirtit të tij ka prekur gjithë motivet e jetës, por edhe vdekjen, kur “Një ditë do të vdes. Do këpus ëndrrën./ Do lë të vetmen gjë që kisha për ju,/ Zemrën”.

   Ndërsa poeti Gjergj Nikolla do të vlerësonte: “…Poezia e Tonin Nikollit është frymë, puls dhe jetë. Krijimtaria e tij rrjedh si burimi i freskët i bjeshkës, që kurrë nuk turbullohet…  Është një zë i veçantë në poezinë e së sotmes, për të cilin kritika duhet të ndalet! Muza e poetit sjell vazhdimisht prurje të reja si ushqim i përditshëm shpirtëror, pasi është oksigjen i pastër që të mbush me frymë. Stina poetike çel vazhdimisht e nektarin e këndshëm, duke shuar etjet tek lexuesi, që duket sikur çdo poezi e përjeton si të jetë e shkruar për të.  Një koktej shijesh dhe gjetjesh të veçanta, ku fjala e përzgjedhur me kujdes si dhe e vendosur mjeshtërisht në varg, i jep krijimeve çdo gjë të bukur e plot vlerë. Tematika e gjerë, figurshmëria e bollshme, ritmi, (kryesisht në vargje të lira), bëjnë të të rrëmbejë menjëherë magjia e krijimit. Lirikat janë tipar dallues i këtij poeti, që poezinë e ka pasion.

   Prandaj veprën poetike të Tonin Nikollit, lexuesi e ndjen si bashkudhëtare të afërt dhe të domosdoshme nëpër burimet e së përditshmes, sepse ky qe edhe ideali madhor i poetit, që shihet mjaft qartë në krijimtarinë e tij me gjashtë veprat, që tashmë lexuesi i ka nëpër duar.

SHKARKO APP