Për pandeminë propozohet një “Plan Marshall”! Por çfarë ishte programi 4 vjeçar që mori emrin nga Sekretari Amerikan
Sa herë ka krizë, përfshirë edhe në këtë aktualen, në komunikimin publik rikthehet termi “Plan Marshall” si kurë për ‘shock-un’ e krijuar nga situate e emergjencës në zona të ndryshme të botës.
Por çfarë ishte Plani Marshall që në 4 vite ndihmoi Europën të ringrihet në këmbët e veta pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore?
Plani “Marshall” i njohur edhe si Programi i Rimëkëmbjes Europiane ishte një program amerikan ndihme për të Europën Perëndimore pas shkatërrimit të Luftës së Dytë botërore. Ai u aktivizua në vitin 1948 dhe ofroi më shumë se 15 miliardë dollarë për të ndihmuar rimëkëmbjen financiare të kontinentit.
Programi e mori emrin nga Sekretari i Shtetit George Marshall. Ky ishte një plan 4 vjeçar për rindërtimin e qyteteve, industrive dhe infrastrukturës të dëmtuar rëndë gjatë luftës dhe me qëllim heqjen e barrierave të tregtisë mes vendeve europiane, ashtu sikurse dhe për të fuqizuar tregtinë mes këtyre vendeve dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës.
Përveç zhvillimit ekonomik, një nga qëllimet e këtij plani ishte edhe frenimi i përhapjes së komunizmit në kontinentin europian.
Plani Marshall konsiderohet edhe si një element kyç në formimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut NATO, si një aleancë ushtarake mes Amerikës dhe vendeve europiane në 1949.
Presidenti amerikan Harry Truman firmosi “Planin Marshall” me 3 prill të vitit 1948 dhe ndihma iu shpërnda 16 shteteve europiane përfshirë Britaninë, Francën, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë perëndimroe dhe Norvegjinë.
“Plani Marshall” mundësoi ndihma për përfituesit mbi bazën e popullsisë, ku pjesën me të madhe përfituan superfuqitë industriale si Gjermania Perëndimore, Franca dhe Britania e Madhe. Kjo u bë edhe sepse vetë sekretari Marshall dhe këshilltarët e tij besonin se rimëkëmbja e këtyre shteteve të mëdha ishte themelore për rimëkëmbjen e kontinentit europian.
Por jo të gjithë vendet europiane përfituan në mënyrë të njëtrajtshme. Shtete si Italia, që ishin pjesë e aksit sëbashku me Gjermaninë naziste, dhe ato që ishin neutrale (si Zvicra) morën më pak mbështetje sesa vendet që kishin luftuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë.
SCAN